Plazhet me ujërat më të pastër janë ato pas tunelit në Vlorë, Radhima, plazhi i Orikumit, Dhërmiut, Himarës dhe Borshit. Problematike mbeten plazhet në zonën e Durrësit, për shkak të numrit të lartë të pushuesve dhe derdhjes së ujërave të zeza në det
Tiranë, 3 Gusht 2010 – Sipas agjencisë së lajmëve ATSh, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, nëpërmjet kryeinspektorit të Mjedisit, Ilir Bala, lidhur me situatën kritike të plazheve shqiptare është shprehur: “Nuk mund të mohojmë që plazhet, sidomos në Durrës, kanë ndotje më të lartë se plazhet në jug të vendit, pasi kjo është zonë më e populluar dhe me përqendrim maksimal të pushuesve”. Sipas tij, këto janë të dhënat e një raporti teknik, jo përfundimtar, i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas monitorimeve të specialistëve të shëndetit publik, të bërë publik në disa media, disa zona bregdetare kanë rezultuar me ujëra banjatore të ndotur, ndër të cilat disa zona në Durrës, plazhi i Vjetër në Vlorë, etj. Problematika e tyre lidhet kryesisht me numrin e lartë të pushuesve në këto zona, por edhe me derdhjen e ujërave të zeza në det dhe atyre urbanë të papërpunuara.
Plazhet me ujërat më të pastër vazhdojnë të mbeten prej vitesh plazhet në jug të vendit. Më të rekomandueshme për pastërtinë e tyre janë plazhet pas tunelit në Vlorë, Radhima, plazhi i Orikumit, Dhërmiut, Himarës dhe Borshit.
Brenda normave të lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Europian rezultojnë dhe zona e Sarandës, me perjashtim të plazhit në Kanalin e Çukës, plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës.
Bala vuri në dukje dhe problematikën me ujërat e zeza në zonën e Golemit në Durrës, duke theksuar se “Inspektoriati i Mjedisit ka ushtruar kontroll në këto zona dhe në një pjesë të mirë të aktiviteteve ka ndërprerë derdhjen e ujërave të zeza nga subjekte private që e bënin këtë derdhje në mënyrë të pakontrolluar në det. Kur janë dhënë lejet e ndërtimit, është parashikuar ndërtimi i gropave septike të hermetizuara, çka nënkupton që ujërat e zeza pastrohen nga subjektet private me autobote dhe derdhen me kolektorët e qyteteve”.
MMPAU ka ndërmarrë një aksion për sigurimin e mjediseve të pastra në plazhe, duke përcaktuar masa penalizuese ndaj subjekteve private, që kryejnë aktivitete me ndikim në mjedis, si dhe ndaj atyre shtetërorë, që nuk përmbushin funksionet e tyre lidhur me mirëmbajtjen e mjedisit.
Inspektorati i Mjedisit ka vendosur edhe masa deri në pezullim të aktivitetit të subjekteve private, që ndotin mjedisin, ndërsa, sipas Balës, do të shkojë edhe deri në masën me propozim të mbylljes të aktiviteteve që ndotin mjedisin.
Problematike mbetet situata edhe sa i takon mbetjeve urbane, edhe pse ka përmirësim krahasuar me vitet e kaluara. Bala thotë se “për zonën e rërës, situata ka përmirësim të dukshëm, krahasuar me vitet e kaluara, por për pjesën urbane probleme janë të shumta lidhur me mbetjet urbane”. Me këtë rast, ai apelon për pushtetin vendor të jetë më i përgjegjshëm për administrimin e territoreve që ka nën juridiksion, lidhur me mbetjet urbane dhe të ujërave të zeza.