in

Deklarata e të ardhurave e bashkëpunëtorëve familjarë

Çdo bashkëpunëtor shtëpiak, që ndihmon për punët e shtëpisë, ose që përkujdeset për dikë, merr rrogën në të cilën i janë mbajtur kontributet, të cilat i derdhen çdo tre muaj Inps-it nga punëdhënësi.

Këto kontribute nuk përfshijnë ama pjesën që çdo person duhet të paguajë si taksa dhe tatime për të mund të përfituar shërbimet që ofron shteti nëpërmjet zyrave shtetërore (shkolla, spitale, komuna etj).

Sipas ligjit italian çdo person që ka të ardhura në Itali, nga puna e varur ose e pavarur, është i detyruar çdo vit të bëjë deklaratën e të ardhurave, nëpërmjet së cilës i deklaron shtetit se sa ka fituar gjatë vitit të mëparshëm. Në përpjesëtim me fitimin, çdokush është i detyruar të paguajë taksat sipas përqindjeve të vendosura nga ligji. Është e qartë se sa më të larta të jenë të ardhurat, aq më e madhe do të jetë shuma që i duhet derdhur shtetit.

Kjo deklaratë quhet modeli “UNICO” dhe duhet paraqitur në periudhën nga maji në shtator.

Mund të keni ulje nga taksat (të ashtuquajturat “detrazioni”) në këto raste:

– nëse keni të afërm në ngarkim, si për shembull bashkëshortin/en ose fëmijë të mitur;
– për blerjen e barnave mjekësore ose për pagimin e vizitave mjekësore;
– për shpenzimet e qirasë së shtëpisë;
– për pagimin e kredisë;
– për shpenzime për rregullime të shtëpisë

Ligji fiskal parashikon edhe raste kur nuk ekziston detyrimi për paraqitjen e kësaj deklaratë të ardhurash, në rast se të ardhurat nuk e kapërcejnë një shumë të paracaktuar çdo vit nga ligji. Kjo vlen dhe për bashkëpunëtorët familjarë dhe për kujdestarët si jo komunitare ashtu dhe komunitare.

Kujdes: personat që kanë detyrim, por  nuk paraqesin deklaratën e të ardhurave, në rast kontrollesh nga ana e Agjencisë së Tatimeve, gjobiten. Për më tepër, nëse të ardhurat e padeklaruara janë mbi një kufi të vendosur nga ligji (rreth 60 mijë euro) shkelja është penale.

Si funksionon
Një bashkëpunëtoreje ose kujdestareje familjare që punon 365 ditë në vit, i takon sipas ligjit një “zbritje nga tatimet” që është e barabartë me tatimet që do të paguante deri në të ardhura prej 8.000 eurosh.
Kjo do të thotë që nëse duke mbledhur të gjitha rrogat mujore, nuk ka fituar mbi 8.000 euro, sipas ligjit nuk është e detyruar të përpilojë deklaratën e të ardhurave.
Në këtë rast, ajo nuk i detyrohet asgjë shtetit prandaj nuk ka nevojë të paraqesë deklaratën.
Nëse të ardhurat e përgjithshme nga puna e varur e kapërcejnë këtë kufi, duhet paraqitur deklarata e të ardhurave dhe duhet verifikuar nëse bashkëpunëtorja familjare ka apo jo të drejtë për zbritjet nga tatimet të parashikuara nga ligji.

Kur dhe ku paraqitet deklarata
Në periudhën nga maji në qershor është e këshillueshme t’i drejtoheni një zyre CAF, Qendra e Asistencës Fiskale, që duhet të garantojë asistencë falas për paraqitjen e deklaratës së të ardhurave.
Mund t’i drejtoheni dhe një konsulenti fiskal (commercialista) që mund të paraqesë deklaratën tuaj të të ardhurave.

Në çdo rast duhen paraqitur dokumentet që vijojnë:
1. Modeli CUD (certifikata e lëshuar nga punëdhënësi brenda marsit 2011 që vërteton të ardhurat për vitin 2010).
Në Kontratën Kolektive Kombëtare të punës pranë familjeve parashikohet që “Punëdhënësi, me kërkesë të punonjësit, duhet të lëshojë një deklaratë nga e cila të dalë shuma e përgjithshme e dhënë gjatë vitit”. Punëdhënësi pra, në rast se punonjësja e kërkon, është i detyruar t’ia bëjë këtë deklaratë ku të specifikohet paga vjetore e dhënë.

2. Kodi fiskal i punonjëses dhe i bashkëshortit apo fëmijëve që mund të ketë në ngarkim.
Për punonjëset jokomunitare është e nevojshme certifikata e përbërjes familjare (stato di famiglia) nëse fëmijët banojnë në Itali. Ose një dokument i ngjashëm i lëshuar në vendin e origjinës, i përkthyer në italisht dhe i legalizuar si i njëjtë me origjinalin nga konsullata italiane e pranishme në vendin e origjinës nëse fëmijët janë në atdhe.

3. Shpenzimet e mundshme shëndetësore të përballuara gjatë vitit 2010 (vizita tek mjekët specialistë, blerja e ilaçeve etj).

4. Shpenzime të mundshme për pagimin e qirasë së vendbanimit.

Kujdes: këto shpenzime mund të hiqen nga taksat që duhen paguar vetëm nëse kontrata e qirasë së shtëpisë është e regjistruar rregullisht pranë Agjencisë së Tatimeve.

Konsulenti fiskal ose punonjësi i CAF-it, pasi të ketë shqyrtuar dokumentet, do të jetë në gjendje të thotë nëse bashkëpunëtorja familjare është e detyruar apo jo të paguajë taska (IRPEF) në përpjesëtim me shumën që ka fituar gjatë vitit.

Klandestinët e sotëm janë italianët e të ardhmes

E përplas furgoni. Rrezikon jetën punëtori shqiptar