in

Dekreti i flukseve 2019 është miratuar. Pritet botimi në Gazetën Zyrtare

Burime të ndryshme jo zyrtare konfirmojnë jo vetëm miratimin e dekretit të flukseve 2019, por edhe që është fotokopje e dekreteve të viteve të fundit: mëse 30 mijë kuota, kryesisht për punonjës sezonalë e konvertime 

 

Romë, 2 prill 2019 – Brenda pak ditëve, do të shohë më në fund dritën dekreti i flukseve 2019. Burime të ndryshme konfirmojnë që është miratuar në qeveri nga fundi i marsit e se pritet që nga dita në ditë të botohet në Gazetën Zyrtare. 

Të njëjtat burime deklarojnë edhe që dekreti i flukseve 2019 duhet të jetë njësoj si ai i vitit të shkuar, gjë që do të thotë se do të jenë mëse 30 mijë kuota, thuajse të gjitha do t’u dedikohen punonjësve sezonalë dhe atyre që jetojnë në Itali e duan të konvertojnë lejen e qëndrimit. Se kur do të nisin paraqitjet e kërkesave përmes portalit të ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it (nga 15 marsi 2019 në sistem mund të hyhet vetëm me anë të kodit SPID – Sistema Pubblico di identità digitale) do të mësohet vetëm me botimin e Dekretit në Gazetën Zyrtare. 

Për të pasur një ide se si do të jetë pak a shumë dekreti i këtij viti, kujtojmë se vitin e shkuar ishin 30.850 kuota, të ndara si më poshtë:

Hyrje

18.000 për punonjës sezonalë për sektorin bujqësor dhe turistik (2.000 nga këto të rezervuara për autorizimet shumëvjeçare). Punonjësit mund të ishin nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, e vende të tjera të përcaktuara në dekret.

500 hyrje për punonjës të huaj josezonalë që kishin përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;

100 punonjës të pavarur apo të varur josezonale me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;

2.400 hyrje për punonjës të pavarur: sipërmarrës që donin të hapnin aktivitetin privat në Itali apo profesionistë, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.

Konvertime

Autorizohej konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:

4.750 lejeqëndrimeve për punë sezonale;

3.500 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

800 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;

Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur të:

700 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

100 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.

Për të mësuar se kur do të nisë paraqitja e kërkesave, na ndiqni në shqiptariiitalise.com ku do të shkruajmë sërish sapo dekreti të botohet e  hyjë në fuqi.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në
Facebook dhe Twitter)

BRENGA IME SHQIPTARE – Komiteti olimpik

Premio Anna Cenerini Bova. Le candidature si possono presentare fino al 30 giugno