in

Dëshmia e Dom Ernest Simoni që përloti Papën në Shqipëri

Gjatë vizitës në Shqipëri më 21 shtator 2014, Atit të Shenjtë i janë “ofruar” nga komuniteti katolik dëshmitë e vuajtjeve të hequra gjatë komunizmit nga dy të krishterë që i mbijetuan persekutimeve. Një prej dëshmive ishte ajo e Dom Ernest Simonit, një prej 17 Kardinalëve të rinj të shpallur sot nga Papa. Dëshmia e priftit shqiptar preku thellë Papën, sepse siç u tha më pas gazetarëve, “të dëgjosh një martir që flet për persekutimin e vet është tronditëse”.

“Persekutorët e mi ia kam lënë në dorë Zotit”

Unë i quajturi Dom Ernest Simoni (Troshani), si bari shpirtëror jam lidhur me Kishën Shenjte para 70 viteve.
Në dhjetorin e vitit 1944 erdhi në fuqi shtetërore partia komuniste ateiste, e cila në parim kishte eliminimin e fesë, duke synuar kështu të zhdukte Klerin. Në zbatim të këtij programi menjëherë filloi arrestimi, torturimi e pushkatimi i qindra meshtarëve dhe civilëve, për shtatë vite rradhazi, duke rrjedhur gjaku i pafajshëm i besimtarëve, ku disa prej tyre, para pushkatimit, brohoritnin “Rrnoftë Krishti Mbret”.

Në vitin 1952 qeveria komuniste, për konjukturat politike të saja, me urdhër të Moskës, Stalinit, kërkoi mbledhjen e meshtarëve që kishin mbetur gjallë për ta lejuar ushtrimin e lirë të fesë, por me kusht që Kisha të shkëputej nga Papa e Vatikani. Këtë qëllim të qeverisë kleri nuk e pranoi kurrë.

Unë kam vazhduar studimet në kolegjin françeskan për dhjetë vite: 1938 – 1948. Eprorët tanë u pushkatuan nga komunistat dhe për këtë arsye u detyrova t’i vazhdoj fshehtas studimet teologjike që më kishin mbetur. Pas katër vitesh më morën në ushtri, me qëllim që kështu të gjenin rast të më zhduknin. Bëra dy vite aty, vite që ishin më të tmerrshme se në burg. Por Zoti më shpëtoi dhe me 7 prill 1956 u shugurova meshtar. Të nesërmen, ditën e Mëshirës Hyjnore, Dominica in Albis, kremtova Meshën e Parë. Tetë vite e gjysëm vazhdova shërbimin fetar. Por komunistat vendosin per të më zhdukur.

E prandaj, me datën 24 dhjetor 1963, sapo mbarova kremtimin e Meshës së Vigjiljes së Krishtlindjeve në fshatin Barbullush të Shkodrës, me vijne katër oficerë të sigurimit e më paraqesin dekretin e arrestimit dhe të pushkatimit. Më vunë hekurat duke m’i lidhur krahët pas shpinës dhe duke më goditur me shkelma, me futën në makinën e tyre. Nga kisha më çuan në dhomat e izolimit, ku më lanë për tre muaj në kushte cnjerëzore jetese. Ashtu të lidhur më çuan në hetuesi. Kryehetuesi më tha: “Ty do të të varim në litar si armik sepse i ke thënë popullit që të vdesim të gjithë për Krishtin po qe nevoja”. M’i shtrënguan hekurat aq fort në duar sa që gati me penguan sistolacionin e zemrës e gati pata vdekur. Donin të më bënin të flisja kundës fesë dhe kundër hierarkisë kishtare. Unë nuk pranova asgjë. Nga torturat rashë gati i vdekur. Kur e panë këtë hetuesit më liruan. Zoti deshi që të vazhdoja të jetoja.

Një ndër akuzat ishte edhe kremtimi i tri Meshëve për shpirtin e Presidentit amerikan Xhon Kenedit të vrarë një muaj para arrestimit tim, Meshë të cilat i kremtova sipas urdhrit të Papës Pali VI të dhënë të gjithë meshtarëve të botës.

Unë isha i abonuar në revisten kryesore sovjetike “L’union Sovietique”, në frangjisht. Kjo ndërkohë që Shqipëria i kishte shkëputur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Revistën, në të cilën gjëndej fotoja e presidentit amerikan e paraqiten në gjyq si provë materiale.

Një rrethanë e provanisë hyjnore, bëri që dënimi im me vdekje të mos ekzekutohej: Në dhomat e izolimit më sollën edhe një të burgosur tjetër, i cili ishte edhe miku im më i dashur, por që në këtë rast kishte qenë spiun. Ai filloi të fliste kundër partisë në pushtet, por unë i përgjigjesha gjithnjë se Krishti na ka mësuar t’i duam armiqtë tanë dhe t’i falim ato e të punojmë për të mirën e për begatinë e popullit. Këto fjalë shkuan në vesh edhe të diktatorit, i cili pas pesë ditësh ma hoqi dënimin me vdekje. Por këtë dënim ma shndërruan në 18 vite burg në minierat e Spaçit. Pasi përfundova burgun, më dënuan sërish me punë të detyruar: për dhjetë vite (pra deri në rëniet e komunizmit), kam punuar nëpër kanalet e ujërave të zeza.

Gjatë kohës kur isha në burg, kam thënë Meshën përmendësh në latinisht, si edhe kam rrëfyer e kunguar fshehtas.

Me ardhjen e lirisë fetare më ka ndihmuar Zoti që të shërbej në 110 fshatra dhe kam pajtuar shumë gjaqe me Kryqin e Krishtit, duke larguar urrejtjen dhe djallin nga zemrat e njerëzve.

Shenjtëri, duke qenë i sigurtë se po shpreh dëshirën e të gjithë njerëzve këtu të pranishëm, lutem që, me ndërmjetësinë e Madhnueshme të Nënës së Krishtit, Zojës së Bekuar, i Madhi Zot t’ju jape Juve jetë, shëndet e begati për drejtimin e kësaj grigje të madhe që është Kisha e Krishtit.

Lexo edhe: Është kardinal Dom Ernest Simon Troshani, që preku Papën me rrefimin e persekutimit të tij

 

 

Sfida e kuqezinjve ndaj Spanjës, sfida e italianit De Biasi

Come diventare Mediatore Culturale/Interculturale con Icotea