in

Dëshmitë e Dom Ernest Simonit dhe Motër Maria Kaletës përlotin Papën

Gjatë kremtimit të lutjes së Mbramënores, që u zhvillua në Katedralen e Shën Palit, me 800 meshtarë, motra, rregulltarë, e përfaqësues të lëvizjeve laike në vend, Atit të Shenjtë i janë “ofruar” nga komuniteti katolik dëshmitë e vuajtjeve të hequra gjatë komunizmit nga dy të krishterë që i mbijetuan persekutimeve, atë të Dom Ernest Simonit dhe të Motër Maria Kaletës. E Papa Françesku përlotet, sepse, siç do t’u thotë më pas gazetarëve, “të dëgjosh një martir që flet për persekutimin e vet është tronditëse”.

Ja dëshmitë e tyre:

Dom Ernest Simoni, Prifti i mbijetuar: Persekutorët e mi ia kam lënë në dorë Zotit

Unë i quajturi Dom Ernest Simoni (Troshani), si bari shpirtëror jam lidhur me Kishën Shenjte para 70 viteve.
Në dhjetorin e vitit 1944 erdhi në fuqi shtetërore partia komuniste ateiste, e cila në parim kishte eliminimin e fesë, duke synuar kështu të zhdukte Klerin. Në zbatim të këtij programi menjëherë filloi arrestimi, torturimi e pushkatimi i qindra meshtarëve dhe civilëve, për shtatë vite rradhazi, duke rrjedhur gjaku i pafajshëm i besimtarëve, ku disa prej tyre, para pushkatimit, brohoritnin “Rrnoftë Krishti Mbret”.

Në vitin 1952 qeveria komuniste, për konjukturat politike të saja, me urdhër të Moskës, Stalinit, kërkoi mbledhjen e meshtarëve që kishin mbetur gjallë për ta lejuar ushtrimin e lirë të fesë, por me kusht që Kisha të shkëputej nga Papa e Vatikani. Këtë qëllim të qeverisë kleri nuk e pranoi kurrë.

Unë kam vazhduar studimet në kolegjin françeskan për dhjetë vite: 1938 – 1948. Eprorët tanë u pushkatuan nga komunistat dhe për këtë arsye u detyrova t’i vazhdoj fshehtas studimet teologjike që më kishin mbetur. Pas katër vitesh më morën në ushtri, me qëllim që kështu të gjenin rast të më zhduknin. Bëra dy vite aty, vite që ishin më të tmerrshme se në burg. Por Zoti më shpëtoi dhe me 7 prill 1956 u shugurova meshtar. Të nesërmen, ditën e Mëshirës Hyjnore, Dominica in Albis, kremtova Meshën e Parë. Tetë vite e gjysëm vazhdova shërbimin fetar. Por komunistat vendosin per të më zhdukur.

E prandaj, me datën 24 dhjetor 1963, sapo mbarova kremtimin e Meshës së Vigjiljes së Krishtlindjeve në fshatin Barbullush të Shkodrës, me vijne katër oficerë të sigurimit e më paraqesin dekretin e arrestimit dhe të pushkatimit. Më vunë hekurat duke m’i lidhur krahët pas shpinës dhe duke më goditur me shkelma, me futën në makinën e tyre. Nga kisha më çuan në dhomat e izolimit, ku më lanë për tre muaj në kushte cnjerëzore jetese. Ashtu të lidhur më çuan në hetuesi. Kryehetuesi më tha: “Ty do të të varim në litar si armik sepse i ke thënë popullit që të vdesim të gjithë për Krishtin po qe nevoja”. M’i shtrënguan hekurat aq fort në duar sa që gati me penguan sistolacionin e zemrës e gati pata vdekur. Donin të më bënin të flisja kundës fesë dhe kundër hierarkisë kishtare. Unë nuk pranova asgjë. Nga torturat rashë gati i vdekur. Kur e panë këtë hetuesit më liruan. Zoti deshi që të vazhdoja të jetoja.

Një ndër akuzat ishte edhe kremtimi i tri Meshëve për shpirtin e Presidentit amerikan Xhon Kenedit të vrarë një muaj para arrestimit tim, Meshë të cilat i kremtova sipas urdhrit të Papës Pali VI të dhënë të gjithë meshtarëve të botës.

Unë isha i abonuar në revisten kryesore sovjetike “L’union Sovietique”, në frangjisht. Kjo ndërkohë që Shqipëria i kishte shkëputur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Revistën, në të cilën gjëndej fotoja e presidentit amerikan e paraqiten në gjyq si provë materiale.

Një rrethanë e provanisë hyjnore, bëri që dënimi im me vdekje të mos ekzekutohej: Në dhomat e izolimit më sollën edhe një të burgosur tjetër, i cili ishte edhe miku im më i dashur, por që në këtë rast kishte qenë spiun. Ai filloi të fliste kundër partisë në pushtet, por unë i përgjigjesha gjithnjë se Krishti na ka mësuar t’i duam armiqtë tanë dhe t’i falim ato e të punojmë për të mirën e për begatinë e popullit. Këto fjalë shkuan në vesh edhe të diktatorit, i cili pas pesë ditësh ma hoqi dënimin me vdekje. Por këtë dënim ma shndërruan në 18 vite burg në minierat e Spaçit. Pasi përfundova burgun, më dënuan sërish me punë të detyruar: për dhjetë vite (pra deri në rëniet e komunizmit), kam punuar nëpër kanalet e ujërave të zeza.

Gjatë kohës kur isha në burg, kam thënë Meshën përmendësh në latinisht, si edhe kam rrëfyer e kunguar fshehtas.

Me ardhjen e lirisë fetare më ka ndihmuar Zoti që të shërbej në 110 fshatra dhe kam pajtuar shumë gjaqe me Kryqin e Krishtit, duke larguar urrejtjen dhe djallin nga zemrat e njerëzve.

Shenjtëri, duke qenë i sigurtë se po shpreh dëshirën e të gjithë njerëzve këtu të pranishëm, lutem që, me ndërmjetësinë e Madhnueshme të Nënës së Krishtit, Zojës së Bekuar, i Madhi Zot t’ju jape Juve jetë, shëndet e begati për drejtimin e kësaj grigje të madhe që është Kisha e Krishtit.

Motër Kaleta: Ia dolëm me besim në Zot dhe tek njerëzimi

Jam Motër Maria Kaleta; në moshën 10-vjeçare kam nigjuar thirrjen e Zotit, pa dijtë çka don me thënë rregulltare.

Kam kenë vajzë e vetme, por kam pasë Axhën meshtar; lutjet dhe këshillat e tij me ndihmuan shumë e pranaj ju kushtova kësaj rruge. Ai ishte don Ndoc Suma, i cili ka vuajtur shumë në kampet e ndryshme për 8 vjet me rradhë. Sot ndihem e lumtur kur shof se në rreshtin e katërdhjetë martireve që janë në proçesin e kanonizimit ndodhet Ai dhe ajo grua e vetme – Marie Tuci – me të cilën ishim shoqe, edhe ajo Stigmatine.

Për 7 vjet kam jetuar në kuvendin e motrave stigmatine, mandej qeveria ateiste na dëboi dhe kështu u ktheva tek prinderit e mi në shërbim të Axhës i cili ishte në burg siç thashë më parë. Mbas vdekjes së prinderve kam jetuar vetëm, me dëshirën që të mbaja gjallë fenë ndër zemrat e besimtarëve në mënyrë të fshehtë.

Zoti më mbajti me një fe aq të gjallë saqë më shtynte t’ua dhuroja edhe të tjerëve duke pagëzu jo vetëm femijtë e fshatit, por edhe të gjithë ata të cilët më kanë ardhë në derë kur kisha sigurinë se nuk do të më padisnin.

Ka shumë ngjarje që më kanë shoqëru përgjatë këtyre viteve ku publikisht të shfaqje besimin. Më thjeshtësinë e zemres po ju tregoj një ngjarje. Isha tuj u kthy për në shpi nga puna e kooperativës. Gjatë rrugës dëgjoj një zë që më thërriste. Një grua me një femije ne krah me arriti me vrapin e saj. Kerkesa e saj ishte me i pagezu foshnjen qe mbante ne krah. Nga frika, pasi qe e dija se ajo ishte gruaja e nje komunisti, i them se nuk kam me ca ta pagezoj, pasi qe jemi ne mes te rruges. Ajo, nga dëshira e madhe që kishte, më thotë se kanali perbri ka ujë. Unë i them se nuk kam me ca ta nxjerr atë uje. Ajo vazhdonte të më lutej për pagëzimin e vajzës. Unë, duke pa fenë e saj, hoqa opangen prej kauçuku që kisha veshë. Me të nxora ujë prej kanalit dhe e pagëzova.

Falë njohjes së meshtarëve kam pasë fatin të mbaj në një komodinë të Shenjterueshmin Sakramend, kështu në raste të njerzve të sëmure që dergjeshin në shtratin e vdekjes. Kam kryer shërbimet e fesë, nuk e di se si, në fakt sot kur e mendoj, me duket e pabesueshme, si kemi duru ato vujtje te tmerrshme, por them me plot bindje se i madhi Zot na ka dhënë forcën, durimin dhe shpresën.

Ashtu sikurse me egjren e shëmbëlltyres Zoti priti “priti” pjekjen e plotë para se ta shkulte nga gruni. Edhe pse koha qe e gjatë dhe puna e kooperativës tepër e vështirë, prapseprap Zoti atyre qe i therret ua jep forcen e vet. Ne fakt në fund ai mi shperbleu te gjitha vuajtjet e mia edhe ketu ne toke. Mbas sa viteve te regjimit u rihap Kisha e une pata fatin me u gjete si rregulltare, fat te cilin per sa vite e deshirova sikurse te gjithe meshtaret e murgeshat e vendit tonë.

Në kët ditë fatlume nuk e dij se si mund ta falenderoj t’Madhin Zot, derisa pata fatin edhe me taku Shënjterine Tuaj, me kërku bekimin për veten, Axhen Prift e Motrat Stigmatine, për famulline ku kam lindur e famulline në të cilën kam shërbyer deri me sot, per Ipeshkvinjte, meshtaret e rregulltaret, per mbare Kishen e popullin shqiptare. Amen!

Papa në Shqipëri dhe fëmijët

Papa drejt Romës: “Shqipëria është vend evropian, për kulturën e bashkëjetesës dhe historinë e saj”