Droga do të çohej në Itali
Tiranë, 17 korrik 2013 – Policia e Vlorës ka sekuestruar të hënën një sasi prej 1.200 kg lëndë narkotike të llojit marihuanë dhe arrestoi dy persona të dyshuar si autorë të trafikimit të saj në drejtim të Italisë.
Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se lënda narkotike u bllokua në segmentin rrugor Drashovicë-Peshkëpi, 15 km në lindje të qytetit, gjatë një operacioni që finalizoi një hetim 3 mujor. Gjatë veprimeve në terren, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, të mbështetura nga efektiva të Forcave Speciale FNSH të Fierit, bllokuan një furgon që transportonte sasinë e lëndës narkotike të vënë në 41 çanta të mëdha sportive. U arrestuan 25 vjeçari Erjon Nanaj dhe 23 vjeçari Enio Limushaj, respektivisht nga fshati Lubonjë dhe qyteti i Vlorës, të cilët drejtonin automjetin.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta persona, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, do ta trafikonin narkotike në drejtim të Italisë në rrugë detare.
Vijojnë hetime intensive në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku droge. (sipas ATSh)