Letra nga lexuesit
E nderuar redaksi
Quhem Anton Krasniqi, jam nga Prizreni, po tash jetoj në Itali.
Kam filluar me dhuru gjak që kur jetoja në Kosovë, por atje e bëja në mënyrë jo të rregullt. Këtu jam dhurues i rregullt, nëpërmjet shoqatës AVIS (“shoqata vullnetare italiane e gjakut”, do të ishte përkthimi në gjuhën tonë. Dhuroj rregullisht gjak çdo 3 o 4 muaj, dhe e fundit herë që e kam bërë ka qenë më 22 tetor 2010. Deri më tash kam dhënë gjak mbi njëzet herë.
Unë mund të dëshmoj personalisht që nuk ka kurrfarë rreziku, dhe asnjë problem për shëndetin. Ndërsa nga ana tjetër, përfitoj: para çdo dhurimi më bëhet një vizitë e shkurtër mjekësore, si dhe kur më merret gjak për dhurimin më bëhen edhe analiza të gjakut, rezultatet e të cilave m-i sjellin në shtëpi. Kështu që secili dhurues është në kontroll të rregullt të vazhdueshëm mjekësor.
Askush nuk duhet të shqetësohet e as të trembet: ripërtëritja e sasisë së gjakut të dhuruar bëhet
brenda disa ditëve, kështu që, as në këtë aspekt s’ka nevoje me pasë mëdyshje.
Më vjen keq që në Kosovë (nuk e di si është në Shqipëri) dhurimi i gjakut nuk është i organizuar në mënyrën e duhur, ndoshta kishte me qenë mirë me i marrë përvojat nga këtu, ndoshta ju me shkrimet e juaja mundeni me kontribu me u përmirësu gjendjen edhe atje. Uroj me shpirt që edhe në vendet tona të arrihet që dhurimi i gjakut të jetë një praktikë e zakonshme, e natyrshme, e që këtë gjë ta bëjnë sa më shumë vetë, sikurse ndodh këtu.
Për dhuruesin është një gjest i vogël, dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve (sepse ka persona që s’janë në gjendje me dhuru gjak) krejtësisht i padëmshëm, e për ndokënd që ka nevojë, është shpëtim.
Mua më jep kënaqësi që me një kontribut timin relativisht të vogël, mundem me i ndihmu ndokujt.
Ju përshëndes, dhe ju uroj punë të mbarë.
Anton Krasniqi
Lexo edhe: Vëllezër gjaku