in

Dorëheqja e Papës. Reagimet e krerëve të shteteve dhe të besimeve fetare

Liderët fetarë dhe krerët e shteteve nëpër Botë përshëndetën Benediktin XVI, pas dhënies së vendimit të Papës për dorëheqjen si kreu i Kishës Katolike në fund të këtij muaji për shkak të moshës që i shkakton pamundësi për të përmbushur plotësisht detyrën.

Napolitano: “Vendimi i dorëheqjes tregon kurajë të madhe”
Presidenti italian Giorgio Napolitano u shpreh shumë i habitur nga vendimi i Papa Benediktit XVI për dorëheqjen e tij në fund të këtij muaji nga detyra e kreut të lartë të Kishës Katolike.
“Papa Benedikti XVI ka shfaqur një kurajë të madhe në publikimin e largimit dhe dorëheqjes së tij nga kryesimi i Kishës Katolike në fund të këtij muaji”, u shpreh presidenti italian pas marrjes së njoftimit mbi largimin e klerikut të lartë katolik.
Napolitano shtoi se “ky vendim kishte ngjallur tek ai vetë një respekt të thellë”, duke qenë se Papa Benedikti XVI 85-vjeçar, i zgjedhur shtatë vite më parë, e kishte ndërmarrë këtë hap për shkak të moshës së madhe, që sipas vetë klerikut të lartë, nuk e lejonte të përmbushte më së miri detyrën e kreut të Vatikanit dhe Kishës Katolike.

“Është një njoftim pak tronditës”, deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel, në komentin e saj mbi vendimin e papës, ku shtoi se ”ky hap kishte ngjallur respektin e saj më të thellë ndaj klerikut të lartë”.

Presidenti francez, Francois Hollande u shpreh se vendimi i papës “ngjallte një respekt të thellë dhe ishte shumë njerëzor”.

Kryeministri britanik, James Cameron, i uroi Papës një jetë të gjatë dhe e përshëndeti për përpjekjet e tij të palodhur në forcimin e marrëdhënieve mes Britanisë dhe Kishës Katolike.

Obama: “Falënderimet dhe lutjet tona për Shenjtërinë e Tij”
“Në emër të amerikanëve kudo në botë, unë dhe bashkëshortja ime, Michelle, dëshirojmë të shprehim falënderimet dhe lutjet tona për Shenjtërinë e Tij, Papa Benedikti XVI”, deklaroi Obama.
Çifti presidencial amerikan kishte takuar për herë të parë dhe të fundit Papën gjatë vizitës së tyre në Vatikan, në korrik të vitit 2009, të cilën Obama e konsideroi “një kujtim të ngrohtë”.
“Vlerësoj punën që kemi realizuar së bashku katër vitet e fundit”, shtoi Obama. 

Kryeimami i myslimanëve sunitë, Ahmad el Tayyeb, u shpreh “i tronditur nga njoftimi”, pas përfundimit të një takimi me dyer të mbyllura në Kajro, për zgjedhjen e Myftiut të Lartë të Egjiptit.

Kryerabini i Izraelit, Yona Metzger, përshëndeti Papën Ratzinger për arritjen e “marrëdhënieve më të mira mes Rabinatit të Izraelit dhe Kishës Katolike” dhe po ashtu i uroi një jetë të gjatë dhe shëndet të plotë.

Kardinali Keith O’Brien, kreu i Kishës Katolike Skoceze, deklaroi se ishte ”i tronditur” dhe po ashtu shprehu ”keqardhje duke u kërkuar të gjitha famullive në Skoci të luteshin për Joseph Ratzingerin në këto momente të vështira për të”.

Lexo edhe: Papa Benedikti XVI jep dorëheqjen

Tani themi MJAFT!

Nome diverso tra passaporto e permesso di soggiorno. Che fare?