in

Dorëheqja e Tahirit, “akt dinjitoz” apo “manovër politike e detyruar”?

Për kreun e opozitës, Basha, deklarimi i dorëheqjes nga mandati i deputetit i Saimir Tahirit është “një manovër politike, pas presionit që iu bë kryeministrit në Berlin”, për kreun e qeverisë, Rama, një “akt dinjitoz”

Tiranë, 4 maj 2018 – Pas deklaratës së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për lënien e mandatit të deputetit, kanë reaguar përfaqësues të politikës.

Kryeministri Rama: Akt dinjitoz, i pari i këtij lloji në historinë e Kuvendit

Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste në emisionin Opinion tha se dorëheqja e Saimir Tahirit si deputet, është një akt dinjitoz, teksa theksoi se integrimi nuk varet nga çështja Tahirit, pasi nuk është kusht.

“Ky është një akt dinjitoz, në kujtesën time i pari i këtij lloji në historinë e parlamentit shqiptar, i respektueshëm plotësisht.  Besoj që është humbje kohe të merremi me llafet e kazanit politik dhe mediatik, pasi ky është një akt që flet vetë dhe është i respektueshëm për atë që është. Unë s’kam pasur asnjë dijeni dhe s’ka asnjë arsye pse unë duhet të kisha dijeni. Saimir Tahiri prej 6 muajsh nuk është pjesëtar i grupit tonë parlament dhe nuk ka asnjë rol në Partinë Socialiste” theksoi Rama.

“Parlamenti shqiptar, fatkeqësisht nuk është një i tërë sot, është i ndarë. Parlamenti shqiptar ka një shumicë, ka dhe një pakicë. Në rast se flasim për shumicën, nuk ka pasur asnjë lloj nevoje të çlirohet nga asgjë. Shumica ka mbajtur qëndrimin e duhur për këtë rast. 100 herë të ktheheshim mbrapsht, 100 herë do kishim mbajtur të njëjtin qëndrim”, tha Rama.

LSI, Kryemadhi: Akuzat e Tahirit pa vlerë

“Akuzat e Saimir Tahirit ndaj opozitë janë të pa vlera, pasi ai është njeriu që kanabizoi Shqipërinë”, – deklaroi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat, para Kuvendit.

E pyetur për dorëheqjen e Saimir Tahirit, Kryemadhi tha se dorëheqja e tij është për t’i dhënë oksigjen qeverisë.

“Saimir Tahiri është një nga ushtarët e drogës dhe kërkon t’i japë oksigjen qeverisë, por nuk mund t’u hedhë hi syve shqiptarëve dhe opozitës. Lotët e krokodilit të Tahirit nuk janë gjë tjetër vetëm një shfaqje e shëmtuar. Ne e dimë se kanabizimi i Shqipërisë solli varfëri të shqiptarëve, shpërnguljen e tyre dhe kriminalizimin në vend”, – tha Kryemadhi.

Përsa i përket akuzave të Saimir Tahirit ndaj çiftit Meta dhe drejtuesve të opozitës, Kryemadhi tha se është një fat i madh që opozita akuzohet nga një njeri, i cili komuniteti ndërkombëtar e di se kanabizoi vendin.

“Bërja kurban vetëm për dy orë të Saimir Tahirit, tregon se drejtësia shqiptare është e kapur nga politika”, – shtoi Kryemadhi.

Ndërsa, e pyetur për zgjedhje të parakohshme, Kryemadhi tha se opozita është gati, 27 janari e tregoi se kush është opozita dhe ne do t’i vazhdojmë protestat.

PS, Balla: Dorëzimi i mandatit nga Tahiri, vendim personal

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla komentoi për mediat vendimin e Saimir Tahirit për të dorëzuar mandatin e deputetit.

Balla u shpreh se vendimi i Saimir Tahirit për të dorëzuar mandatin e deputetit është personal dhe është një çështje që i përket atij dhe drejtësisë.

“Vendim tërësisht personal i Saimir Tahirit që e respektojmë tërësisht dhe dua të ripërsëris atë që kemi thënë këtu e 6 muaj më parë, që kjo është një çështje tërësisht mes Saimir Tahirit dhe drejtësisë. As e jona, dhe kurrësesi e kësaj opozite gojështhurur që në çdo mundësi që i jepet gjen argumenta për të ndërtuar baltën e radhës ndaj punës së rëndësishme që ka imazhi i Shqipërisë në rrugën drejt hapjes së negociatave”, – tha Balla.

PD, Basha: Dorëzimi i mandatit të Tahirit, manovër politike

“Dorëzimi i mandatit të Tahirit ka ardhur pas presionit që iu bë Kryeministrit në Berlin”, – deklaroi Kryetarit i PD-së Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat.

Basha shprehet se “dorëzimi i mandatit nga Saimir Tahiri është vazhdim i paktit Rama-Tahiri. Është fakt se dorëheqja nga mandati erdhi pas presionit direkt që iu bë Kryeministrit në Berlin, ku iu tha se është e patolerueshme mbrojtja politike që i bëhet Saimir Tahirit me imunitet parlamentar kundër veprimeve të drejtësisë”.

Sipas Bashës, Tahiri shkoi në Kuvend për të mbrojtur mandatin e deputetit. “Më 19 prill Saimir Tahiri mori pjesë në seancë plenare pas 6 muajve mungesë për të shpëtuar mandatin e deputetit. Çfarë ndryshoi këto dy javë? Asgjë, përveç vizitës së Kryeministrit në Berlin dhe premtimit se do ta zgjidhte problemin e imunitetit të Tahirit”.

Po ashtu, sipas Bashës dorëzimi i mandatit nga Tahiri është manovër politike dhe për faksin se prokuroria është nën kontroll të politikës. “Dorëzimi i mandatit të Saimir Tahirit është manovër politike pasi Kryeministri ka futur nën kontroll të plotë Prokurorinë”, – shprehet Basha.

PD, Spaho: Dorëzimi i mandatit nga Tahiri pasi u prishën provat

Për dorëzimin e mandatit nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se dorëzimi ndodhi kur janë prishur provat.

“Po sigurisht që ju sot mund ta jepni e ta falni mandatin sepse jeni të pastër si qelibar dhe nuk keni frikë të shkonin tek drejtësia, por pasi prishët provat. 4-5 muaj prishët të gjitha provat e hetimit, sigurisht, pasi e liruat Orest Sotën, i humbi të gjitha gjurmët, pasi ikën ata tre oficerët e policisë në emigracion dhe pasi e çuat Nazer Seitin në Itali që të mos ketë mundësi të deponojë. Dhe tani bëni një farsë tjetër që na jepni imunitetin e Saimir Tahirit me deklarata”, – pohoi Spaho. (Sipas ATSh)

Saimir Tahiri jep dorëheqjen

Drita Gega, in Italia con l’amore per la danza e i costumi albanesi