“Përfaqësimi politik në Shqipëri, nga Antikiteti deri në vitin 1928” është libri i botuar së fundi në Trieste e Bruksel, i Dr. Kristaq Strattit (1904-1969), intelektual nga Vlora i dënuar nga regjimi komunist
“Përfaqësimi politik në Shqipëri, nga Antikiteti deri në vitin 1928” i Dr. Kristaq Stratti, i shkruar në dekadën e dytë të shekullit XX, sheh dritën pas më shumë se tetëdhjetë vjetësh harresë. Libri përmban një disertacion të diskutuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Studimeve të Torinos në datë 23 Nëntor 1928, në një kohë kur përfaqësimi politik ishte një temë shumë aktuale dhe pak e studiuar në shtetin e ri shqiptar.
Kjo vepër botohet sot nga shtëpia botuese “Qendra Ndërkombëtare për Studime Ndërkulturore” CIRSI dhe CCAI me qendër në Trieste dhe në Bruksel ku bashkëpunon me organizmat Europiane për të Drejtat Themelore të Njeriut.
Kush ishte Kristaq Stratti
Kristaq Stratti, ishte djali i një nga familjet më aristokrate të Shqipërisë, i cili lindi në Vlorë më 25 dhjetor 1904. Nga mosha 10-vjeçare studioi në Itali ku mbaroi studimet në fakultetin e drejtësisë dhe mori titullin “Doktor në Drejtësi”.
Pas studimeve punoi në studio ligjore në Torino dhe në Romë. Gjithashtu, kultivoi pasionin për futbollin duke kryer funksionin si arbitër dhe pjesëtar i Klubit Juventus. U kthye në Shqipëri në fillimin e viteve ’30 dhe ushtroi profesionin e noterit. Për disa vjet ishte Kryetar i Bashkisë së Vlorës dhe luftoi për një pjesëmarrje më të madhe qytetare në jetën e institucioneve. Kristaq Stratti ishte ndër të parët intelektualë që theksoi rëndësinë e ndershmërisë dhe arsimit të lartë si mjet themelor dhe të pazëvëndësueshëm në zhvillimin e demokracisë ne vend. Ndërtoi ujësjellësin e parë në Vlorë dhe ishte themeluesi dhe presidenti i parë i Klubit Sportiv “Flamurtari”.
Vitet e persekutimit
Kalvari i vuajtjeve të tij nisi më 16 maj 1947 me arrestimin në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. Kristaq Stratti u arrestua dhe u torturua. Gjatë një procesi farsë u dënua me 15 vjet burg dhe me punë të detyruar. Pronat iu konfiskuan dhe familja e tij u dëbua. Akuza e dënimit ishte krejtësisht të rreme: “grupim për përmbysjen e pushtetit popullor dhe komplikim me klerin ortodoks grek”. Të gjithë bashkëqytetarët e tij e njihnin atë djalë të ri, intelektual të rrallë, fisnik si në pamje dhe në sjellje, të zotin në profesionin e noterit, përherë buzëgaz e të sjellshëm.
Vitet e rënda të burgut dhe puna cfilitëse në kushte çnjerëzore në “kampet e punës së detyruar”, si në atë të tharjes së kënetës së Maliqit, në Beden, Burrel, Gjirokastër, Ura Vajgurore etj nuk përkulën guximin dhe karakterin e tij. Në moshën 50-vjeçare Kristaq Stratti doli nga burgu. Nga gjithë ai kalvar mundimesh as në sy dhe as në shpirt, nuk i mbeti asnjë hije e rëndë urrejtjeje, mbajti gjithçka brenda tij dhe nuk u ankua asnjëherë. Bashkohet me familjen e tij të dashur, gruan e tij, Ksanthipi Dovana Stratti dhe fëmijët Pandeli Strattin dhe Geraldinën. Në vend që të ushtronte aktivitetin profesional, u detyrua të punonte si punëtor i thjeshtë ndërtimi. Kalvari i tij, si për ironi të fatit, mbaroi të premten e zezë, në datë 11 prill 1969. Shqipëria nuk kishte dalë ende nga vitet e saj më të errëta të diktaturës, por Kristaq Stratti mbante gjithnjë në zemër endrrën e një Shqipërie të lirë, të drejtë dhe demokratike.
Pandeli Stratti