49-vjeçari Besnik Goxho akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë
Policia kufitare në bashkëpunim me sektorin e narkotikëve të policisë së Durrësit kanë arrestuar mbrëmë në portin e Durrësit 49 vjeçarin nga Gjirokastra Besnik Goxho.
Gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin me të cilin do të merrte tragetin për Itali i janë gjetur 109 pako me marihuanë me një peshë prej 130 kg. Ajo ishte e fshehur mirë në kamion por policia që duhet të ketë pasur një sinjalizim shumë të besuar ka sharruar pjesë të karrocerisë dhe e ka gjetur drogën.
Goxho akuzohet për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve që policia kufitare e portit të Durrësit kap në flagrancë persona që duan të ibarkojnë në traget sasi të konsiderueshme droge. Vetëm dy javë më parë ajo arrestoi tre persona dhe sekuestroi një ton marihuanë të fshehur në një kamion që sillte dru në Itali.