Një italian e dy shqiptarë janë arrestur pasi në makinat e tyre me të cilat po imbarkoheshin drejt Italisë është gjetur drogë
Tiranë, 22 nëntor 2013 – Dy të rinj nga Durrësi janë ndaluar mëngjesin e sotëm nga uniformat blu në Portin e këtij qyteti, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tyre u gjetën mbi 51 kg lëndë narkotike kanabis sativa.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut, bënë të ditur të premten për ATSH-në se Abdyl Kaçaça, 22 vjeç dhe Lezerin Prifti, 24 vjeç, do të udhëtonin për në Itali më tragetin e linjës Durrës – Bari.
Automjeti i tyre që drejtohej nga Abdyl Kaçaça, u përzgjodh për kontroll nga specialistët e sektorit të antidrogës në portin e Durrësit.
Sipas të njëjtave burime, bima narkotike kanabis sativa, e papresuar, u gjet brenda një bombole gazi, që ndodhej në automjetin që po imbarkohej në target. Nga peshimi rezultoi sasia ishte 51,3 kg e kanabis sativa.
Mbrëmë Policia e Durrësit ka arrestuar edhe një shtetas italian, në autoveturën e të cilit u gjet 49,2 kg lëndë narkotike e të njëjtit lloj.
Burime zyrtare nga drejtoria e Policisë së qarkut, bënë të ditur të premten për ATSH-në se 39-vjeçari nga Roma, Guerrino Festuccia, po kthehej në Itali me tragetin e linjës Durrës – Bari. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet doganore gjetën të fshehur lëndën narkotike, të ndarë në 92 pako. Materialet procedurale në ngarkim të 39-vjeçarit italian iu kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së krimeve të rënda.