Etrit B. portier me Lazion, sulmuesi Valmir B. shumë pranë klubit të Romës
Romë, 14 janar 2014 – Këtë radhë nuk flitet për politikanin e njohur Berisha. Por për dy të rinj, Etritin dhe Valmirin, futbollistë nga Kosova që kanë mbiemrin e ish kryeministrit të Shqipërisë, nuk janë kushërinj as me të e as mes tyre, por që shpejt mund t’i vërë përballë njëri-tjetrit në një ndër Derby-t më të ndier në Itali, ai i futbollit mes Romës dhe Lazios.
Etrit Berisha, 25 vjeç, luan me Lazion nga shtatori i shkuar. Është portier i dytë, ndaj edhe deri tani ka qenë nën hijen e Marchettit, portierit të parë të skuadrës. Por javët e fundit për shkak të një dëmtimi të titullarit, Etriti ka treguar aftësitë e tij në fushë, dhe jo vetëm nuk ka zhgënjyer drejtorin sportiv, Igli Taren, që kërkoi me forcë ta kishte në radhët e klubit të tij, por ka bërë për vete edhe tifozët dhe shtypin sportiv për të cilin është “muri i Prishtinës” apo “Berisha i pamposhtur”. Nga shtatori, Etriti ka luajtur pesë ndeshje, mes atyre të Serisë A të kampionatit italian dhe atyre në Ligën Evropiane. Në të gjitha bashkë ka marrë vetëm një gol, edhe atë për shkak të një gabimi fëminor të bashkëkombësit të tij Cana, thonë ekspertët e futbollit. Ka shkëlqyer veçanërisht në dy ndeshjet e fundit, atë kundër Interit dhe atë të javes së shkuar kundër Bolonjës kur ka mbajtur të paprekur portën e Lazios.
Berisha tjetër është Valmiri. I lindur në vitin 1996, Valmiri është ndër sulmuesit më të mirë në Suedi, ku luan, dhe ku e konsiderojnë “Ibrahimoviçi i ri”.
Në këtë periudhë shitblerjesh ia kanë vënë sytë klube si Juventus, Milan, Chievo, Atalanta e Roma. Edhe pse nga klubi i kryeqytetit ende nuk ka konfirmim, për mediat sportive, Valmir Berisha është shumë pranë skuadrës së Romës. Orët e fundit shkruhet se Roma i ka ofruar skuadrës suedeze Halmstads 500 mijë euro ndërsa Valmirit një kontratë katërvjeçare. Madje vetë Valmiri shkruan në Twitter “Romë, po vij!”.
Nëse Valmiri firmos me Romën, mund të gjendet përballë Etritit në një nga ndeshjet më të bukura të Serisë A të kampionatit italian, ajo që vë përballë në fushën e gjelbër dy skuadrat e kryeqytetit.
K.B.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)