Paditen katër shtetas rumunë, por vazhdojnë akoma hetimet
Romë, 8 nëntor 2011 – Sipas agjencisë së lajmeve Adnkronos, dy shqiptarë janë goditur me thikë natën e shkuar në Montesilvano të Pescarës.
Alarmin e ka dhënë rreth orës 3 të natës një banor i rrugës Trebbia që ka sinjalizuar praninë e dy personave të plagosur përpara portës së shtëpisë së tij. Në adresën e dhënë nga banori kanë mbërritur qoftë karabinierët, qoftë një ambulancë, dhe kanë gjetur dy shqiptarë, njëri 21 vjeç tjetri 30, rezidentë në Cepagatti që të dy të plagosur nga goditje me thikë. Sipas mjekëve, më i riu prej shqiptarëve gjendet i shtruar në repartin e kirurgjisë së spitalit të Pescarës. Është plagosur në mushkëri e shërohet për 30 ditë. Ndërsa tjetri, në gjendje më të mirë shëndetësore, është plagosur në kofshën e djathtë dhe do ta marrë veten brenda 10 ditëve.
Viktimat kanë treguar se u sulmuan nga katër rumunë që nuk njihnin më parë, pas një konflikti që kishin pasur me ta në brendësi të një lokali aty pranë.
Gjatë kërkimeve të nisura menjëherë, karabinierët kanë ndaluar një makinë me targa bullgare me katër rumunë brenda, të cilët nuk u njohën si agresorët e dy shqiptarëve. Gjithsesi ata u denoncuan që të katër, pasi në makinën e tyre u gjet një thikë me tehun 40 cm të gjatë.
U denoncua për favorizim të agresorëve edhe roja i lokalit sepse, edhe pse i pranishëm në ngjarje, nuk u dha karabinierëve që e morën në pyetje informacione të dobishme mbi agresorët.