in

Nënë Tereza: veprimtari të ndryshme në 100-vjetorin e lindjes

Në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes, Nënë Tereza kujtohet me ceremoni nga më të ndryshmet jo vetëm në Indi, Shqipëri, Maqedoni e Kosovë, por në të katër anët e botës

Vatikan 20 gusht 2010 – Një seri evenimentesh: mesha, vigjilje faljesh, kuvende, janë programuar në mbarë botën për të përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, që ka lindur në Shkup të Maqedonisë më 26 gusht 1910, dhe ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë. Më 19 tetor 2003 Papa Gjon Pali II lumnoi Nënë Terezën me një ceremoni madhështore në Romë ku mes qindra mijëra besimtarësh të krishterë, ishin të pranishëm edhe mijëra shqiptarë.
Ja disa nga evenimentet që, sipas agjencisë së lajmeve ANSA, po organizohen në vende të ndryshme të botës për të celebruar 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.

Këtë vit e Lumnuara do të kujtohet më 26 gusht në Shkup – sipas radios vatikane – me një seksion të Parlamentit maqedonas, pas të cilit do të prezantohet Titulli kombëtar “Nënë Tereza”. Pasdite, një meshë solemne do të mbahet në katedralen e Zemrës së Shenjtë nga Imzot Stanislav Hoevar, Arkipeshkv i Beogradit, dhe pas saj do të përurohet ekspozita fotografike pranë shtëpisë Muze të Nënë Terezës. Celebrimet në Maqedoni do të vazhdojnë deri në fund të vitit 2010.

Në Shqipëri, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka shpallur që në prill një kalendar  aktivitetesh  që po organizohen gjatë gjithë 2010-tës, “Viti i Nënë Terezës” me rastin e 100-vjetorit të lindjes së humanistes me origjinë shqiptare. ndër aktivitetet e shumta mund të përmendim një ekspozitë personale në GKA në muajin korrik-gusht të piktorit Gjelosh Gjokaj; një panair libri me botime kushtuar Nënë Terezës, po në GKA; fotografi Roland Tasho prezanton në gusht Albumin me foto dhe përmbajtje të lutjeve të Nënë Terezës; në shtator mendohet të jetë gati botimi “Autorët botërorë për Nënë Terezën”; Maratona e paqes, Kupa “Nënë Tereza”, do të ndjekë itinerarin Prishtinë-Shkup-Podgoricë-Tiranë, në ditën e lumturimit të saj, më datë 19 tetor. Teatri Kombëtar angazhohet me një mbrëmje muzikore, letrare me prozë dhe poezi për Nënë Terezën me aktorë të Teatrit dhe në vjeshtë duhet të vërë në skenë një dramë për Nënë Terezën. Po më 19 tetor është programuar Festivali Ndërkombëtar i Koreve, me pjesëmarrjen e Koreve nga vende të Evropës, ku me detyrim do të jetë një pjesë nga Oratori për Nënë Terezën. Çmimi për krijimtarinë më të mirë muzikore për veprën kushtuar Nënë Terezës si dhe Eseja më e mirë e krijuesve të rinj të mbarë shkollave, do të jepen në ditën e lindjes së saj më 26 gusht. në të njëjtën ditë do të organizohet një pelegrinazh kombëtar pranë katedrales së Vaut të Dejës, që do t’i kushtohet Nënë Terezës, me një meshë që do të mbahet nga Imzot Rrok Kolë Mirdita, arkipeshkv i Durrësit dhe i Tiranës.

Kosova, që ka shpallur gjithë 2010-tën “Vitin e Nënë Terezës”, do të festojë të Lumnuarën më 5 shtator duke i dedikuar një kishë-faltore në Prishtinë.

Në Romë, kardinali Angelo Comastri, mëkëmbës i Papës për Qytetin e Vatikanit, do të mbajë një meshë në bazilikën e Shën Lorencit në Damaso San Lorenzo in Damaso, më 26 gusht, ku do të marrin pjesë kongregacione dhe komunitete fetare të ngritura nga Nënë Tereza, bashkë me vullnetarët, bamirësit dhe të bujturit në manastiret e Romës. Mesha do të paraprihet nga përurimi i një ekspozite fotografike me titull “E Lumnuara Tereza e Kalkutës, jeta, veprat, mesazhi” në pallatin e Kancelerisë që ndodhet ngjitur bazilikës. Me rastin e festës liturgjike të 5 shtatorit, iniciativat shpirtërore do të zhvillohen në kishën San Gregorio al Celio, me vigjilje lutjesh të shtunën më 4 shtator dhe me meshë të mbajtur nga kardinali Ivan Dias, prefekt  i Kongregacionit për Evangjelizimin e Poujve, të dielën më datë 5. Mesha përkujtimore dhe liturgji parashikohen të mbahen edhe në qytete të tjera italiane si Torino, Genova, Bologna, Firenze, Napoli, Reggio Calabria, Palermo, Cagliari, dhe europiane, mes të cilave Paris, Madrid, Barcelonë, Kopenhagë, Mynih.

Në Indi, ku Nënë Tereza kaloi pjesën më të madhe të jetës, celebrimet kanë nisur që më 17 gusht me çaste lutjesh në famullitë e Kalkutës, ku ka selinë kryesore Shtëpia e Misionareve të Bamirësisë. Këtu, më 26 gusht, festimet për 100-vjetorin e Nënës do të hapen me një meshë të kardinalit Telesphore Toppo. Në New Delhi, pritet të ketë një program i ngjeshur evenimentesh, mes të cilave një simpozium mbi Nënë Terezën dhe spektakle artistike nga data 23 deri më 31 gusht, me iniciativë të Konferencës Episkopale indiane dhe me mbështetjen e Unesco-s. Gjithnjë në kryeqytetin indian do të mbahet një ceremoni përkujtimi publik, të shtunën më 28 gusht, në prani të presidentit indian Pratibha Patil: do të prezantohet edhe monedha që shteti indian i ka dedikuar Nënë Terezës. Në Indi shteti ka shpallur 26 gushtin ‘Ditën kombëtare të jetimëve’, në kujtim të kujdesit të veçantë që Nënë Tereza tregonte ndaj të vegjëlve të braktisur.

Dyfishohen udhëtarët e avionët, zgjerohet aeroporti i Rinasit

FLI “do të votojmë në favor të programit 5-pikësh të Berlusconit”