in

E diela e profesor Montit

E diela e shkuar, politikisht dhe mediatikisht, rezultoi të ishte një ditë shumë e rëndësishme politike për Italinë. Ishte e diela që i hap rrugë gjetjes së  përgjigjeve për shumë pyetje që gazetarë, politikanë e analistë kanë bërë gjatë muajve të qeverisjes “Monti” për fatin e politikës italiane.
Nga Eni VASILI

E diela e shkuar, politikisht dhe mediatikisht, rezultoi të ishte një ditë shumë e rëndësishme politike për Italinë. Edhe pse në dukje një match virtual mes Kryeministrit të dorëhequr Monti dhe kandidatit të qendrës së djathtë Berlusconi, kjo e diel mund të cilësohet në shumë mënyra.

Fundi i qeverisë së teknikëve, dita e parë e fushatës elektorale, dita e fundit e Montit si profesor dhe e para si politikan etj.

“Ndiej të kem bërë një hap gjigant e jam i  lehtësuar”. Me këto fjalë, Kryeministri ende në detyrë i Italisë, Mario Monti, përshëndeti të dielën gazetarët që ndoqën konferencën prej dy orësh me të cilën ai lajmëroi publikisht dhe përfundimisht dorëheqjen e qeverisë së tij.

I qetë dhe me ftohtësinë që karakterizon profesorët e nivelit të tij, ish profesori i Bocconit dha shpjegimet që donte pa ndihmuar profesionistët e lajmit të hedhin dritë mbi  aksionin që ai po përgatit. “Unë nuk do të zbres në politikë, por do të ngjitem në të; nuk do të bëhem palë me askënd, por do të pranoj të bashkohem me atë parti, lëvizje apo koalicion forcash, që do të aderojnë me agjendën time”, tha Kryeministri i teknikëve, pa shpjeguar formën se si agjenda e quajtur prej tij erga omnes, që u drejtohet të gjithëve, do të kthehet në një program politik. Me pamundësinë për të qenë pjesë e fushatës elektorale, si senator i përjetshëm, Monti mund të hyjë në politikë si aktor vetëm pas procesit të votimeve, por asgjë nuk e pengon të deklarojë se pranon ftesën e këtij apo atij formacioni për lidership qeverisjeje, duke i dhuruar kështu çdo formacioni 40% të popullaritetit që ai vetë zotëron.

Sigurisht që një koalicion me Berlusconin është i pamundur, duke pasur parasysh ndodhitë e javëve të fundit, e sidomos faktin që Berlusconi dhe vendimi i tij për të rikandiduar solli edhe dorëheqjen e qeverisë “Monti”.

Kavalieri, sigurisht, nuk e kishte parashikuar kur i dorëzoi karrigen profesorit të Bocconit, se kjo zgjedhje do t’i kthehej në bumerang.

As e ka imagjinuar se do të ishte pikërisht ky i fundit që do ta nxirrte nga skena politike italiane, ashtu siç pritet të ndodhë. Aq më pak e ka menduar në vitin 1994, kur i sapozgjedhur Kryeministër e në kulm të shkëlqimit të tij politik, e propozoi Montin si komisar europian, se pikërisht i përkëdheluri i tij do ta turpëronte në Bruksel. Kjo sepse mbështetja që mori Monti nga PPE në mbledhjen ku ishte i ftuar pa dijeninë e Berlusconit, nuk mund të ishte veçse një katastrofë politike për këtë të fundit.

Që nga ajo ditë Berlusconi mërmëriti gjykime nga më të ndryshmet për Kryeministrin e teknikëve, që nga ftesa e detyruar për t’i lënë drejtimin e koalicionit të të moderuarve e deri te vlerësimet negative për punën e qeverisë.

“Nuk arrij të kuptoj linearitetin e mendimit të tij”, tha Monti gjatë konferencës për shtyp, dhe të gjithë e komentuan si një sulm.

Ndoshta i gjithë ky kontekst dashurie dhe urrejtjeje e shtynë kavalierin pak minuta më pas  të përgjigjej në një intervistë të improvizuar  në një emision të së dielës në RAI UNO, pasi kish shfrytëzuar në javët e shkuara thuajse të gjitha emisionet e rrjeteve të tij.

Komunikatori politik par excellence u shfaq nervoz dhe në tension. Tentoi dy herë të largohej nga studioja televizive, duke e akuzuar gazetarin se po e pengonte të fliste dhe duke shpenzuar fjalë e fyerje për ish-kolegë të tij dhe kundërshtarë politikë. Berlusconi arriti vetëm të thotë se Italinë mund ta shpëtojë vetëm ai.
“Italinë mund ta shpëtojë vetëm shoqëria civile, e cila mund ta ndreqë këtë marrëdhënie të sëmurë  që ekziston sot mes qytetarit dhe politikanit”, kishte thënë më parë Monti nga studioja e Lucia Annunziatas në RAI Tre, ku shpjegoi më qartë se priste krijimin e lëvizjeve të reja centriste dhe deklaroi afinitetin me Casinin, eksponentë të PD, dhe lëvizjen e Montezemolos.

Një konferencë tjetër për shtyp e kavalierit apo zhurma dhe agresiviteti i deklaratave që gjeneroi nuk e zbutën, sidoqoftë, efektin e lëvizjes së Kryeministrit në ikje.

Me Bersanin, i cili e ka fituar me primariet të drejtën për udhëheqjen e qendrës së majtës, me Berlusconin e Montin definohen përfundimisht tri figurat kryesore që do të ndeshen në ketë fushatë elektorale. Pavarësisht përplasjes virtuale me Berlusconin dhe mënyrat e tij për të zbehur efektin e lëvizjes së profesorit, kjo e diel mund të cilësohet si e diela e Mario Montit, i cili duke lajmëruar largimin e tij si teknik, lajmëroi edhe rikthimin e tij politik, duke konturuar përfundimisht garën e ardhshme elektorale.

Kjo ishte e diela që i hap rrugë gjetjes së  përgjigjeve për shumë pyetje që gazetarë, politikanë e analistë kanë bërë gjatë muajve të qeverisjes “Monti” për fatin e politikës italiane.

Shumë thanë se eksperimenti italian do të ishte një model i ri qeverisjeje, politikë-bërjeje, do të tregonte se si përpjekja për konsensus dëmton reformat konstruktive kur janë të dhimbshme dhe jopopullore dhe se qeverisja dhe politika mund të jenë dy gjëra të ndryshme që mund të jetojnë në simbiozë. Të tjerë u shtynë në hamendësime kreative se si politika mund të zgjedhë teknikët si në një tender të pastër ku fiton më i miri. Por, me sa duket, askush nuk ishte gati për këtë lloj skeme.

Tani që gjithçka është ngërthyer në skemat e njohura, vendimi rikthehet në duart e italianëve me shpresën se distancimi nga politika nuk do t’i largojë edhe nga kutitë e votimit.

Gazeta Panorama

Lecce. Sekuestrohen 400 kg marijuanë dhe një gomone. Arrestohet një shqiptar

L’Albania indipendente compie 100 anni. Grande festa a Bolzano