in

E drejta për pushime

Vera erdhi dhe të gjithë fillojmë të organizojmë pushimet, duke vendosur se ku do të kalojmë lejen e zakonshme, periudhën e shkëputjes nga puna që ligji u njeh punonjësve

Kushtetuta italiane u njeh punonjësve të varur të drejtën për një periudhë pushimi të paguar, në mënyrë që të çlodhen dhe të rifitojnë energjitë psiko-fizike të konsumuara gjatë periudhës së punës.

Nga e drejta për leje të zakonshme nuk mund të hiqet dorë: çdo marrëveshje ndërmjet punëdhënësit dhe punëtorit që parashikon një gjë të tillë është e pavlefshme. I vetmi përjashtim nga ky rregull parashikohet për drejtorët që vullnetarisht mund të mos pranojnë të shkojnë me leje.

Dispozitat ne fuqi parashikojnë veçanërisht:

– të drejtën e punëtorit për një periudhë prej të paktën katër javësh leje të zakonshme në vit;

– të drejtën për të marrë të paktën dy javë leje gjatë vitit të maturimit (kjo periudhë duhet të jetë e vazhdueshme nëse e kërkon punëtori);

– e drejtën për të përdorur periudhën që mbetet në 18 muajt vijues pas mbarimit të vitit gjatë (maturazione);

– aplikimin e një sanksioni administrativ për dhunimin të këtyre detyrimeve (që shkon nga 130 euro deri 780 për çdo punëtor);

– ndalimin e zëvendësimit në para të katër javëve leje të garantuar, me përjashtim të rastit kur ndërpritet përfundimisht marrëdhënia e punës.

Kontratat kolektive të kategorisë përcaktojnë kohëzgjatjen minimale të lejes në varësi të periudhës efektive të punës së kryer. Edhe periudhat e marrjes në provë janë të vlefshme si kohë pune për përllogaritjen e lejes.

Nëse marrëdhënia e punës zgjat prej më pak se një vit, punonjësi ka të drejtë të marrë një të dymbëdhjetën e lejes vjetore për çdo muaj punë (konsiderohet muaj i plotë edhe periudha prej 15 ditësh). Kontratat kolektive të kategorisë mund të parashikojnë edhe kohëzgjatje më të madhe të lejes.

Në përgjithësi, punëdhënësi, në përputhje me nevojat e ndërmarrjes dhe të punonjësit, përcakton periudhën e kur mund të merret periudha e mbledhur e lejes; por parashikohet edhe mundësia që palët të bien dakord ndryshe.

Leja e zakonshme duhet të merret gjatë vitit e nuk mund të ndahet në më shumë se dy periudha. Punonjësi që nuk gëzon të gjithë lejen, mund të marrë ditët e mbetura të saj në një datë tjetër të vendosur në mirëkuptim me punëdhënësin vetëm në raste të veçanta e të parashikuara shprehimisht nga ligji, leja e zakonshme mund të rimbursohet në para. Kështu, për shembull, në rast kur marrëdhënia e punës përfundon, punëdhënësi është i detyruar të paguajë punonjësin për të gjitha ditët e lejes që i takojnë por që nuk ka marrë.

Leja pezullohet automatikisht gjatë ditëve të festave dhe në periudha sëmundjeje apo fatkeqësie; pasi përfundojnë këto rifillon numërimi i ditëve të lejes së përcaktuar.

Gjatë mungesës në punë për leje, punonjësi ka të drejtë për të njëjtin trajtim ekonomik si të ishte duke punuar. Gjatë periudhës së lejes punëdhënësi është i detyruar, jo vetëm të paguajë punonjësin por edhe të derdhë të gjitha kontributet për të si zakonisht.

Ndërprerja e marrëdhënies së punës

Në rast të ndërprerjes së marrëdhënies së punës (vetëm në rast se punonjësi nuk mund të marrë lejen përpara përfundimit të marrëdhënies së punës), punonjësit i duhet dhënë shumë në para zëvendësuese për pushimet që i takojnë e nuk ka arritur të marrë. Kjo shumë është e barabartë me rrogën që do të merrte për çdo ditë lejeje. Edhe në rast se ndërprerja e marrëdhënies bëhet gjatë vitit, punonjësit i takojnë si pushime aq të dymbëdhjeta të lejes sa janë muajt që ka punuar gjatë vitit.

Leja për colf dhe badante

Edhe punëtorët shtëpiakë kanë të drejtë të gëzojnë leje të zakonshme. Kohëzgjatja minimale e lejes përcaktohet nga kontrata kombëtare kolektive që parashikon, pavarësisht nga kohëzgjatja e orarit të punë, për çdo vit pune pranë të njëjtit punëdhënës 26 ditë pushime. Në rast se marrëdhënia e punës ndërpritet gjatë vitit, edhe bashkëpunëtorit shtëpiak i takojnë si pushime aq të dymbëdhjeta të lejes sa janë muajt që ka punuar.

Punonjësit e huaj mund t’i mbledhin lejet gjatë dy vjetëve me pëlqimin e punëdhënësit, në mënyrë që të kenë një periudhë më të gjatë për tu kthyer në vendin e vet, pra mund të mos i marrin një vit e t’i mbledhin ditët me ato të vitit pasardhës për një periudhë maksimale prej 52 ditësh të njëpasnjëshme pushimi.

Leja dhe sëmundjet

Sëmundja gjatë lejes së zakonshme duhet të komunikohet menjëherë nga punëtori në ndërmarrje me dërgimin e një certifikate mjekësore. Është e rëndësishme që me lajmërimin punëtori të përcjellë edhe banimin e tij për të lejuar në oraret e caktuara (nga ora 10 deri në 12 dhe nga 17 deri në 19 të gjitha ditët e javës) kontrollin nga ana e mjekut të ngarkuar nga Inps-i dhe nga Asl-i.

Sëmundja pezullon lejen vetëm nëse prek rikuperimin e energjive psiko-fizike të punëtorit ndërsa punëdhënësi ka të drejtë të provojë se nuk është kështu (dhe që leja nuk duhet të ndërpritet).

Për shembull, në rast se punonjësi shtrohet në spital gjatë lejes, kjo dëshmon që, në ato kushte, nuk mund të vazhdojë pushimet, ndaj leja e zakonshme ndërpritet. Por nëse punonjësi ka dhimbje koke, leja nuk ndërpritet, përkundrazi ditët e pushimit e ndihmojnë punonjësin të shërohet.

Me një fjalë, sëmundja e shfaqur gjatë lejes, nuk e ndërpret atë automatikisht dhe është e nevojshme të vlerësohet çdo rast i veçantë nëse është vërtetë i pamundur gëzimi i çlodhjes gjatë lejes.

Mosmarrëveshjet me punëdhënësit

Periudha e lejes së zakonshme përcaktohet nga punëdhënësi dhe i komunikohet punonjësit. Nëse punonjësi merr lejen pa pëlqimin e punëdhënësit apo në rast se vonon kthimin në punë pas pushimeve pa asnjë justifikim, mund të ndëshkohet me sanksione disiplinore, dhe në raste të rënda edhe me pushim nga puna.

Punonjësi që refuzon pa asnjë motiv çdo ofertë të punëdhënësit lidhur me periudhën e lejes së zakonshme, humbet çdo të drejtë qoftë për  kompensim për leje të pamarrë qoftë për leje shtesë.

Kontrata e bashkëpunimit për projekt

Bashkëpunëtorët për projekt nuk gëzojnë të drejtën e lejes së zakonshme. Këto kontrata nuk parashikojnë mbledhjen  e ditëve të pushimeve (maturazione di ferie), pasi leja e zakonshme është e drejtë që u njihet vetëm punonjësve të varur e jo atyre autonomë.

Rosanna Caggiano

www.stranieriinitalia.it

 

Konsullatat kroate dhe vizat e transitit

Leonard Sherifi “Po të rri shumë gjatë, do të rri për fare”