Pëllumb Tartarajn e qëllojnë me katër plumba në mes të rrugës. Policia e karabanierët në kërkim të vrasësve
Romë 22 maj 2011 – Pëllumb Tartaraj, 33-vjeçar, është qëlluar me disa plumba pistolete pasditen e djeshme në Vigevano të Pavias. Sipas rindërtimit të ngjarjes të bërë nga policia falë deklaratave të disa dëshmitarëve, rreth orës gjashtë të pasdites, viktima bashkë me një tjetër rreth të tridhjetave, ka hyrë në lokalin ‘Bar dei Passeggeri’. Më pas ka hyrë edhe një tjetër person, edhe ai rreth 30 vjeç, dhe të tre bashkë kanë marrë diçka në banak. Sipas pronarit të lokalit tre personat flisnin shqip dhe me ton të qetë. Nuk dukej se mes tyre kishte ndonjë tension.
Por me të dalë jashtë kanë krisur plumbat, të shtënë që të gjithë nga e njëjta pistoletë, me sa duket nga njëri prej dy 30-vjeçarëve që shoqëronin Tartarajn. Ai ka marrë tre plumba pistolete në kurriz dhe një tjetër në kokë. Dy vrasësit janë parë të largohen në drejtim të qendrës së Vigevanos me një Fiat Punto gri, ku ndoshta gjendej një tjetër person që mbështeste dy vrasësit.
Gjatë të shtënave me pistoletë, njëri prej plumbave ka bërë thërrime xhamin e pasmë të një makine që kalonte në atë çast, por shoferi nuk ka pësuar asgjë.
Për vrasjen po hetojnë agjentët e komisariatit të policisë së Vigevanos dhe karabinierët e Pavias.