Takim me konsullin Petrit Prekazi
Është përfaqësia diplomatike e shtetit më të ri në Europë, e hapur prej vetëm dy vjetësh, e megjithatë Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë ka një aktivitet të pasur diplomatik. Zyra konsullore në brendësi të saj ofron një sërë shërbimesh konsullore, përfshirë edhe aplikimet për dokumentet e identifikimit të shtetasve kosovarë, pasaporta e letërnjoftime.
E pikërisht për të folur për ecurinë e aplikimeve, dhe për shërbimet konsullore në përgjithësi, u takuam me konsullin e Kosovës, Petrit Prekazi.
“Preferojmë t’u shërbejmë pak shtetasve në ditë, por me cilësi, sesa të pranojmë shumë kërkesa e të mos i plotësojmë të gjitha”, thotë konsulli që më pas shpjegon se, veçanërisht në aplikimin për pasaportat dhe letërnjoftimet, ka kërkesa por nuk të interesuarit nuk kanë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, disa certifikata që duhet t’i sjellin nga Kosova.
“Dokumentet e identifikimit janë problemi më i madh për kosovarët jashtë vendit. Deri më sot kanë dokumente të ndryshme, nga ato të ish-Jugosllavisë, dokumente të Unmikut, dhe së fundi pasaportën e Kosovës. Dhe për përtëritjen e dokumenteve italiane, tashmë të gjithëve u kërkohet pasaporta e shtetit të Kosovës, kështu që të gjithë janë të interesuar ta bëjnë”.
Veçse, shumë vetë kujtohen në minutë të fundit e shpesh nuk mbarojnë dot punë. U mungojnë certifikatat e nevojshme për nxjerrjen e pasaportës e shpesh marrin vetëm një dokument udhëtimi.
“Në fakt, dokumenti i udhëtimit, është ai që më shumë kemi lëshuar nga kur është hapur konsullata: rreth 3 mijë. Aq shumë sa kemi kërkuar në ministrinë tonë të jashtme (dhe kërkesa na është plotësuar) që të ulet çmimi i këtij dokumenti që ne lëshojmë në 10 minuta. Kështu, sot ky dokument kushton vetëm 30 euro, ndërsa më parë 50 euro” shpjegon konsulli.
Sa pasaporta keni lëshuar?
“Ka shumë kërkesa, por në konsullatën tonë në Romë kemi lëshuar vetëm 111 pasaporta dhe 81 letërnjoftime. Siç po thosha, të interesuarve shpesh u mungon ndonjë nga certifikatat e lindjes, shtetësisë, vendbanimit apo e martesës, dhe kërkesa e tyre është e papranueshme. Por zakonisht u nevojitet një dokument me urgjencë për të lëvizur dhe kur është e mundur u lëshojmë dokumentin e udhëtimit”.
Nga fillimi i muajit dhjetor, kush aplikon në Romë merr pasaportën biometrike. “Në punën tonë nuk ndryshon asgjë. – shpjegon konsulli Prekazi – Kërkesa paraqitet me të njëjtat certifikata. Ne u marrim shenjat e gishtërinjve dhe u bëjmë fotografitë e pas 30-60 ditëve nga aplikimi të interesuarit duhet të vijnë të tërheqin dokumentet”.
Sa kushtojnë dokumentet kosovare?
“Në linja të përgjithshme mund të themi që pasaporta e parë për të rriturit kushton 100 euro, për fëmijët deri në 3 vjeç, 60 euro, për ata nga 3 deri në 18 vjeç, 70 euro. Letërnjoftimi i parë është falas”.
Si bëhet pagesa?
“Kjo është një pikë e dobët për kosovarët. Pagesa bëhet vetëm përmes bankës, në një llogari në Intesa Sanpaolo. Duke qenë se shumica e kosovarëve nuk kanë një llogari të tyren në bankë, nga e cila të xhirojnë paratë në llogarinë e konsullatës. Zakonisht vijnë në konsullatë, u themi sa duhet të paguajnë e shkojnë në një filial këtu pranë për të kryer derdhjen. E shpesh janë trajtuar jo mirë. Është e vërtetë që ndoshta nuk dinë si bëhet derdhja e bëjnë shumë pyetje, por sidoqoftë ata paguajnë e kanë të drejtë të marrin shërbimin me mirësjellje si çdo klient tjetër i bankës. Kam shkuar personalisht për të kontestuar për këtë aspekt në bankë, për t’u dalë në mbrojtje qytetarëve tanë”.
“Për të aplikuar duhet marrë takim në konsullatë me anë të numrit të telefonit 06.85356571 në mënyrë që të mund të organizojmë mirë punën e të mos lëmë njerëzit të presin. – shpjegon konsulli Prekazi – U këshilloj të gjithëve që para se të vijnë këtu të interesohen në internet apo me telefon se ç’dokumente duhet të kenë me vete, në mënyrë që mos u shkojë rruga dëm. Aq më tepër që pjesa më e madhe vjen nga larg, nga veriu i Italisë. Për t’iu përgjigjur sa më mirë shtetasve tanë në Itali, po shohim mundësinë e hapjes së një konsullate në Milano. Në këtë mënyrë do t’u afroheshim pjesës më të madhe të tyre”.
Çfarë shërbimesh të tjera u ofroni shtetasve kosovarë?
“Personeli i konsullatës është i paktë. Jemi vetëm tre vetë: konsulli, nënkonsulli dhe një sekretare. Veç punës së përditshme përpiqemi me sa mundemi të kujdesemi në veçanti për ata që kanë nevojë për mbrojtje juridike, të jemi të shpejtë në lëshimin e dokumenteve në rastet e vdekjeve. Nga ana tjetër, po punojmë me shtetin italian për zgjidhjen e problemit të patentave kosovare”.
A i drejtohen konsullatës së Kosovës kosovarë serbë?
“Konsullata e Kosovës është e hapur për të gjithë shtetasit e republikës sonë. Por duhet të them që janë të paktë serbët që na drejtohen, kjo për shkak edhe të politikës serbe që deri pak muaj më parë ka lejuar administratën e saj t’u lëshojë dokumente, në kundërshtim me të gjitha rezolutat e OKB-së. Ky qëndrim kohët e fundit duket se ka ndryshuar. Pjesa më e madhe e atyre që na drejtohen janë shqiptarë, por ka edhe goranë dhe romë”.
Shifrat e fundit të ISTAT-it (31 dhjetor 2010) flasin për 22.778 shtetas kosovarë. Sa kosovarë jetojnë në Itali?
“Është shumë e vështirë të thuhet një shifër e saktë, edhe për shkak të mungesës së dokumenteve. Ka ende nga ata që kanë pasaportë serbe, apo që nuk kanë dokumente. Por nuk besojmë se arrijnë 60 mijë vetë. Nga ana tjetër, Italia nuk është ndër vendet e parapëlqyera nga kosovarët. Shumë prej atyre që kanë ardhur këtu, nuk kanë qëndruar, por kanë shkuar drejt Gjermanisë e Zvicrës, vende që kanë një emigracion të hershëm nga Kosova”.
“Unë i ftoj të gjithë të kërkojnë ndihmën tonë sa herë që të kenë nevojë, bëjmë ç’është e mundur për t’i ndihmuar shtetasit tanë. Por, në të mirë të punës, do t’u kërkoja të gjithëve të informohen lidhur me shërbimet që u ofrojmë në konsullatë qoftë duke telefonuar në 06.85356571, qoftë përmes faqeve internet të ambasadës sonë në Romë (http://www.ambasada-ks.net/it/)” përfundon konsulli .
Keti Biçoku
Lexo edhe: Pajisja me pasaportë të Republikës së Kosovës në konsullatë