in

Edhe Topalli u premton emigrantëve votën atje ku jetojnë. Pas katër vjetëve

Në sallën e Teatrit Golden, në Romë, të mbushur plot militantë, më 2 maj erdhi për fushatë elektorale numri dy i PD-së, Jozefina Topalli, e shoqëruar nga deputeti Tritan Shehu. Mes brohorimash dhe thirrjesh për fitore, Topalli u kërkoi emigrantëve votën e tyre, dhe veçanërisht të familjarëve e të të njohurve në Shqipëri, për të vazhduar “rrugën drejt Europës së nisur nga PD”. Ajo u premtoi emigrantëve të pranishëm në sallë dhe të gjithë atyre që jetojnë jashtë vendit, se pas katër vjetësh ata do të mund të votojnë atje ku jetojnë, pasi “këtë radhë nuk u bë dot e mundur sepse Edi Rama ka frikë prej tyre”.

Para saj morën fjalën disa emigrantë, ndonjë prej të cilëve e quajti veten “përfaqësues” i të tjerëve. Përveç thirrje për të votuar PD-në, përmendën sukseset e saj në Shqipëri: ndërtimin e rrugëve e shkollave të reja, futjen në Nato, afrimin me Europën deri një hap nga marrja e statusit të vendit kandidat, dhe ky hap i munguar vetëm “për faj të Edi Ramës e opozitës që nuk votoi ligjet”, rritja e krenarisë të të qenit shqiptar për shkak të përparimit të vendit.

Ndryshe nga ç’mund të pritej, asnjë nga ata që foli, qoftë nga pushtetarët e ardhur nga Tirana, apo nga emigrantët “përfaqësues” të bashkatdhetarëve, nuk përmendën asnjë prej problemeve më urgjente dhe konkrete që emigrantët kanë në vendet ku jetojnë. Asnjë fjalë për atë ç’ka bërë ose do të bëjë qeveria për ta, asgjë për pensionet, për marrëdhëniet me konsullatat, për ruajtjen e gjuhës shqipe, për perspektivat e emigrantëve që kthehen në atdhe.  

Takimi i Romës qe shumë i ngjashëm me ata që kryetarja e Kuvendit e numri dy i Partisë Demokratike ka mbajtur e do të vazhdojë të mbajë ditët e ardhshme në qytete të ndryshme të Shqipërisë në këtë periudhë fushate. Me një ndryshim: takimi i Romës u hap si të tjerët nën tingujt e himnit kombëtar, por u mbyll me Adagio të interpretuar nga Elhaida Dani gjatë një prej netëve të The Voice, për të cilën bashkëqytetarja Topalli u shpreh shumë krenare. “Do të kishte ardhur me shumë dëshirë – tha kryetarja e Kuvendit – por angazhime në Milano nuk ia lejuan”.

Luli Bitri, tre çmime në një muaj

La primavera bollente dei facchini