in

Edi Rama emigrantëve në Milano: “Pas 23 qershorit do të votoni aty ku jetoni”

“Pa kontributin financiar të emigrantëve Shqipëria nuk do kishte mbijetuar dot” thotë Rama që pasi u kërkon emigrantëve të shkojnë të votojnë në Shqipëri më 23 qershor u premton se më pas PS do të bëjë të mundur që emigrantët të kenë të drejtën ta shprehin vullnetin e tij përmes votës atje ku jetojnë

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i shoqëruar nga Sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj, kandidati për deputet Parid Cara si dhe Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, ka zhvilluar të shtunën më 30 mars një takim me shqiptarë që jetojnë e punojnë në Milano. Në një sallë të mbushur plot të Cosmo Hotel Palace, kryetari socialist Rama ka folur për Programin për një Rilindje Shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në ato pika që lidhen drejtpërdrejt me problematikat e shqiptarëve që cilët jetojnë jashtë Shqipërisë.

“Sot janë të panumërta historitë e suksesit, historitë që tregojnë se shqiptarët në kushtet e lirisë dhe të konkurrencës janë në gjendje të bëjnë mrekulli, t’ia dalin mbanë, pavarësisht se nga vijnë, pavarësisht se si e kanë emrin, pavarësisht se nuk kanë asnjë lidhje me pushtetin apo me njerëz me influencë. Secili ia del mbanë sepse ka mundësinë t’i shprehë dhuntitë e veta, ka mundësinë që të gjejë përmes konkurrencës rrugën për të treguar se vlen dhe se atë çka kërkon përmes punës së ndershme e arrin. Unë kam qenë vetë në emigracion, unë e di shumë mirë se çfarë është emigracioni, e di shumë mirë se historitë e emigrantëve janë të gjitha të ndryshme, por ama të gjitha historitë kanë të përbashkët një gjë, kanë të përbashkët ambicien për t’ia dalë dhe kanë të përbashkët vështirësitë dhe pengesat në rrugën për t’ia dalë”, është shprehur Rama.

Ai ka nënvizuar më pas kontributin e rëndësishëm të emigrantëve në ekonominë shqiptare: “Pa kontributin financiar të emigrantëve Shqipëria nuk do kishte mbijetuar dot. Ajo që kanë bërë emigrantët në gjithë këto vite ka qenë e pazëvendësueshme për ekonominë shqiptare”.

Lexo edhe:
Premtimet e shtetit shqiptar dhe emigrantët
Berisha: “Duhet të votojnë edhe 16-vjeçarët” Pse nuk mendon për emigrantët?
Topi në Toskanë: “Ministri për emigracionin”
Ruçi e Balla takojnë emigrantët në Udine
Qeveria shqiptare ngre Komitetin e Diasporës

“Por më besoni shumë më pak se aq nga pikëpamja financiare dhe shumë më tepër se sa ndihma financiare për familjen është udhëtimi për të ardhur dhe për të votuar në 23 qershor. – ka ftuar Rama emigrantët të shkojnë të votojnë. – Për të përcaktuar Shqipërinë siç e duam, për të projektuar Shqipërinë siç e duam, për t’i dhënë një mundësi Shqipërisë siç e duam dhe nuk është një votë, është një votë që bën diferencën”.

Duke folur për të drejtën legjitime të emigrantëve për të votuar aty ku jetojnë, Rama i është referuar fillimisht propozimit ligjor të PS për këtë qëllim dhe refuzimit nga PD. “Ne kemi propozuar dy herë vendosjen e votës së emigrantëve dhe kemi synuar që të gjithë emigrantët të mund të votojnë aty ku jetojnë. Kjo nuk ka qenë e mundur. Nuk ka qenë e mundur sepse PD ka qenë plotësisht kundër dhe në fakt nuk ka sesi PD të ishte pro, kur mendon se kryeministri i sotëm i Shqipërisë nuk ka zhvilluar në 8 vjet asnjë takim me emigrantët asgjëkundi. Nuk ka shkuar asnjëherë t’i shikojë në sy, ta shohin në sy dhe t’i dëgjojë për çfarë kanë për të thënë emigrantët”, ka thënë kryesocialisti.

Për kreun e PS-së janë dy arsyet kryesore pse vota e emigrantëve është e rëndësishme dhe e domosdoshme: “Duam të bëjmë të mundur votën e  emigrantëve për zgjedhjet e mëpasme. Për ne është e rëndësishme dhe është një detyrim moral i shoqërisë shqiptare ndaj të gjithëve ju, që secili prej jush aty ku jeton të ketë të drejtën ta shprehë vullnetin e vet për atë dhe ata që duhet të qeverisin Shqipërinë me votë. Nga larg, nga Italia, nga Greqia, nga Amerika, apo nga kudo qoftë emigrantët jetojnë. Dhe ka dy arsye themelore për këtë: E para sepse ju jeni kontribuues të drejtpërdrejtë në ekonominë kombëtare të Shqipërisë, nuk jeni taksapagues shqiptarë, por jeni financues të drejtpërdrejtë të ekonomisë kombëtare të Shqipërisë dhe si të tillë ju keni jo vetëm të drejtën, por keni edhe detyrimin që të shpreheni me votën tuaj se si e mendoi ju qeverisjen dhe kush duhet ta qeverisë Shqipërinë dhe jo të kushtëzoheni që të vini patjetër në Shqipëri për të votuar. Së dyti vota juaj është shumë e rëndësishme dhe është e domosdoshme për të marrë një vendim të drejtë sovran kur Shqipëria bën zgjedhje sepse ju e ndiqni politikën shqiptare jo drejtpërdrejt të lidhur me interesa të ngushta dhe vota juaj, qëndrimi juaj është i pashantazhueshëm dhe i padeformueshëm për shkak të interesave që shantazhojnë apo deformojnë votën e shumëkujt në Shqipëri”.

Lidhur me angazhimet e PS ndaj emigrantëve, Rama ka thënë: “Ne mendojmë se duhet të ndërtojmë një rrugë të përbashkët ku gjithsecili nga ju të ketë mundësi të investojë në Shqipëri në rast se do ta bëjë këtë, ku gjithsecili nga ju të ketë mundësi të kthehet në Shqipëri për pushime apo sa herë ka mundësi në rast se do ta bëjë këtë. Ku gjithsecili nga ju të ketë mundësi ta mendojë jo si një gjë të pamundur, por si një mundësi edhe ardhjen në Shqipëri përfundimisht, po edhe kthimin e fëmijëve që sot studiojnë këtu për të punuar në Shqipëri”.

Duke folur për pjesëtarin më të ri të skuadrës së kandidatëve PS për zgjedhjet e ardhshme, kandidatin për deputet në zonën e Kavajës, Parid Cara, për vite emigrant në Itali, kreu i PS-së ka thënë se “është deputeti i parë në historinë e parlamentit shqiptar që zgjidhet si përfaqësues i emigrantëve dhe si një shembull për t’u marrë nga të gjithë për historinë e tij të suksesit për historinë e tij të sakrificave dhe të solidaritetit me emigrantët e tjerë”.

 

Forza Nuova sigilla la moschea di Pesaro

Shtetësia. Në Parlament 14 propozime reforme brenda një muaji