Janë paraqitur më 21 mars tre kandidaturat për zgjedhjet e sekretarit komunal të Partisë Demokratike të Riminit. Mes tyre edhe Edmond Kumaraku, 46 vjeç, kryetar i shoqatës Agimi
Romë, 22 mars 2012 – Janë paraqitur dje tre kandidatët që do të garojnë për postin e sekretarit të ri komunal të PD-së së Riminit. Kandidatët janë Edmond Kumaraku, 46 vjeç, kryetar i shoqatës Agimi, Federico Berlini, 23 vjeç, sekretar i klubit Pd Viserbella dhe Torre Pedrera dhe Samuele Zerbini, 36 vjeç, këshilltar komunal i PD-së në Rimini.
Tani janë asambletë e 14 klubeve të PD-së që do të zgjedhin deri më 16 prill delegatët që do të çojnë në asamblenë e përgjithshme komunale që më 20 prill do të zgjedhin mes tre kandidatëve sekretarin e tyre.
Edmond Kumaraku ka ardhur në Itali me eksodin e vitit 1991 dhe gjithnjë është marrë me çështje sociale që kanë për qëllim integrimin e komunitetit shqiptar në Rimini. Ka themeluar Agimin, një nga shoqatat e para të shqiptarëve në Itali. Në vitin 1999 ka qenë një nga themeluesit e degës së Partito Democratico të Riminit e prej dy vjetësh – që kur ka marrë edhe shtetësinë italiane, është anëtar i kryesisë së kësaj force politike. “Përfshirjen në politikën italiane e më saktë PD, forcë që ndiej më pranë – thotë Kumaraku për shqiptariiitalise.com – e kam parë si një hap të domosdoshëm e të natyrshëm për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të integrimit”. Ai është edhe kryetar i Forumit provincial të PD-së për imigracionin dhe anëtar i forumit krahinor.
Nga ana tjetër, si kryekoordinator i 65 degëve të Partisë Socialiste shqiptare në Itali, në brendësi të kësaj force politike, çon përpara përpjekjet për t’u dhënë peshë emigrantëve shqiptarë në vendimmarrjen politike në Shqipëri.