in

Rrëfen Sokol Koçiu, me Selimin deri pak çaste para se ta vrisnin

Ish-oficeri i lartë i policisë gjyqësore, Sokol Koçiu njeriu që ishte me Arjan Selimin pak çaste para ekzekutimit të këtij të fundit mbrëmjen e së hënës, rrëfen momentet e fundit të jetës së Selimit dhe bisedën me të

Tiranë, 27 shtator 2011 – Policia e Tiranes nuk ka mundur ende të mbërrijë tek emrat e autorëve qe ekzekutuan mbrëmjen e të hënës Arjan Selimin. Burime jozyrtare thonë se janë marrë në pyetje një numër i madh personash, që mund të kenë dijeni për rrethanat apo motivet e krimit.

Sokol Koçiu tregon për Vizion Plus se bashkë me të shoqen u takua rreth 1 orë e gjysmë para se 37-vjeçari të mbetej i vrarë në atentat. E gjithë biseda ishte përqendruar në një konsulencë ligjore, pasi Selimi kishte përballjen e radhës në gjykatën e Krimeve të Rënda mesditen e së martës. Koçiu dëshmon më tej se Selimi kishte vënë re një person të panjohur në afërsi të lokalit, dhe e kishte ndarë këtë shqetësim me të.

Policia duket se ka marrë në pyetje edhe Jolanda Koçiun, bashkeshorten e ish-oficerit të policisë Sokol Koçiu, e cila ishte në kafene me Selimin para se ta ekzekutonin. Ajo ka deklaruar se nuk ka mundur të dallojë vrasësit.

Edhe dëshmia e 19 vjeçarit Keltis Kola, kalimtari që u plagos aksidentalisht nga breshëria e plumbave që i mori jeten Selimit, nuk ka hedhur dritë në dosjen policore. I riu mësohet se nuk ka mundur të dallojë atentatorët.

Në pyetje janë marrë gjithashtu te akuzuarit e tjerë si bashkëpunëtorë të Selimit, për trafik droge, duke dyshuar për konflikte të mundshme.

Ndërkohë në gjykatën e Krimeve të Rënda, është shtyrë seanca ku po ri-gjykohej Arjan Selimi dhe i dyshuari tjetër i dosjes Kompas. Prokurori i çështjes Adnan Xholi tha se me t’u dokumentuar ligjërisht vrasja e 37-vjeçarit, çështja e tij gjyqësore do të mbyllet.

Sot në shtëpinë e të ndjerit ku ai jetonte bashkë me të shoqen, Inis Gjoni, që pret dhe një fëmijë, kanë qenë kryesisht shokë të Selimit. Familjarët e viktimës nuk kanë vendosur ende ditën e përcjelljes për në banesën e fundit të Selimit, pasi janë në pritje të prindërve të tij, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

http://www.youtube.com/watch?v=2XddqNAf7Jw&feature=player_embedded

Lexo edhe: Ekzekutohet edhe me armë zjarri Arjan Selimi

Ekzekutim me armë zjarri në mes të Tiranës

Shqiptarët në botë dhe mediat shqiptare