Në Angli kanë nisur të vihen baste
Ndërsa në Itali shumëkush po i numëron ditët presidentit Napolitano, në Britaninë e Madhe po përflitet mbi një hap mbrapa akoma më “historik”: abdikimi nga froni i mbretëreshës Elisabeta II.
Zëra të pakonfirmuar zyrtarisht flasin se ajo do të japë lajmin natën e Krishtlindjeve, gjatë urimeve tradicionale drejtuar nënshtetasve. Të njëjtat thashetheme u përfolën edhe një vit më parë, por këtë herë kanë nisur edhe të vihen baste, aq sa bookmakers janë detyruar të tërhiqen: është tejet i lartë rreziku që kush ka ndonjë informacion të rezervuar nga Buckingham Palace të fitojë lehtësisht të gjitha paratë e këtij “bixhozi”.
Një zëdhënës i Pallatit Mbretëror ka refuzuar të komentojë zërat që qarkullojnë, duke rritur kështu mundësinë e vërtetësisë së tyre.
E bashkë me lajmin “historik” ka nisur menjëherë të bëhet lista e pasuesve. Natyrisht i pari në radhë është i biri Karli, trashëgimtari i përjetshëm i fronit. Por tashmë të gjithë e dinë që 65-vjeçari është “më i dashuri” i nënshtetasve të Mbretërisë. Për simpati ia merr padyshim, i biri, princi William, që bashkë me gruan e tij Kate, të birin George dhe një tjetër fëmijë në pritje, mund të ringjallë pasionin e anglezëve për familjen mbretërore.
Mbetet vetëm të presim fjalimin e Mbretëreshës për Krishtlindjet për të parë nëse zërat e këtyre ditëve janë të vërtetë e më pas të shohim edhe nëse pasardhësi i saj do të jetë Karli apo edhe ky do të tërhiqet për t’i lënë vendin të birit.