Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha takon aktoren me famë botërore, Eliza Dushku. Kjo e fundit pranon propozimin e kryebashkiakut Basha për të qenë ambasadore nderi e Tiranës, e ngarkuar për artet, kulturën dhe turizmin
Tiranë 8 gusht 2011 – Aktorja me famë botërore Eliza Dushku, që po viziton këto ditë Shqipërinë, do të jetë ambasadore nderi e Tiranës në botë, e ngarkuar për artet, kulturën dhe turizmin. Këtë e pohoi kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, pas një takimi të dielën në ambientet e bashkisë me aktoren Dushku, që shtoi edhe “ajo pranoi propozimin e tij për të përfaqësuar fuqimisht Tiranën dhe për të ndihmuar në vendosjen e saj në hartën turistike, artistike dhe kulturore të botës”.
Kryebashkiaku i Tiranës Basha theksoi se prania e aktores në dokumentarin që do të paraqitet në rrjetet më prestigjioze të botës për turizmin në Shqipëri, do të vendosë Shqipërinë në hartën turistike, artistike dhe kulturore të botës. “Jam shumë i lumtur që Eliza ndodhet sot në Tiranë dhe besoj se flas edhe në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës që e kanë pritur këtë vizitë me shumë kënaqësi. Të gjithë jemi të kënaqur dhe entuziastë për vizitën e saj, që padyshim që do të shërbejë për ta vendosur Tiranën fuqimisht në hartën turistike të botës”, tha Basha.
Basha i dhuroi aktores Kullën e Sahatit të Tiranës, simbolikën e qytetit, si dhe i bëri të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak për t’i dhënë titullin “Qytetare Nderi e Tiranës”. Më pas ai e shoqëroi Eliza Dushkun në vizitën që ajo bëri tek Muzeu dhe Sahati i Tiranës si dhe në një shëtitje në Bulevardin e Tiranës.