in

Elsa Lila: “Jeta ime një vit me Evitën”

Në orët e pasdites së 8 marsit të 2011-ës, Evita ka dhënë përshëndetjen e parë me të qarën e saj foshnjore. Sot është një fëmijë i bukur “me ka sy të mëdhenj blu, flokë ngjyrë gruri, është komike si tip, ekspresive dhe shumë e lëvizshme”, për ta thënë me fjalët e nënës Elsa Lila

Kur Elsa i përgjigjet telefonatës, zëri i adhuruar nga shumëkush, natyrisht edhe prej meje, më ç’orientoi pak dhe sekondat e para e pata të vështirë të gjeja fjalët e duhura. Por gjithçka u ndreq më tej, komunikimi u bë më i afërt, gati gati miqësor dhe biseda në ato pak minuta shkoi për mrekulli.

Sigurisht ju e kuptoni që dëshira ime ishte për të realizuar një intervistë me të, por Elsa më tha se intervista do të ishte më e përshtatshme në një kohë të dytë. Gjithsesi pas insistimit tim, arrita që t’i vjedh disa përgjigje lidhur me ndjesitë që e kanë shoqëruar për herë të parë këto 12 muaj.
Siç dihet tashmë prej një viti, këngëtarja e dashur e skenave tona është bërë nënë. Artistja shumë e njohur e muzikës shqiptare është bërë mama për herë të parë në ditën e gruas: në orët e pasdites së 8 marsit të 2011-ës, Evita i ka dhënë përshëndetjen e parë kësaj bote me të qarën e saj foshnjore. Veç mrekullisë me emrin Evita, këngëtarja Lila, sikundër kemi mësuar është shumë e lumtur edhe që ka gjetur njeriun e zemrës, Alessandron. Takimi me të ka qenë sa i veçantë aq edhe romantik.

Përpjekja e saj për t’u shkëputur për pak çaste nga kjo botë e zhurmshme, në një tjetër, ku mbizotëron paqja dhe qetësia i dha mundësi të njohë Alessandron, zhytësin profesionist. Një dashuri me shikim të parë në ishullin e Madagaskarit. Pasioni i zhytjes ka qenë ai që i ka bashkuar në një det të tërë fantazish dhe realitetesh. Përpos pasioneve të njëjta, kanë shumë gjëra që i bashkojnë. Karakteri, shpirti i lirë, adhurimi që kanë për fëmijët. Të dashuruar kokë e këmbë pas njëri-tjetrit, ata bien dakord dhe në një tjetër ide, antikonformizmin që kanë për martesën. Kanë vendosur të mos martohen. Megjithatë është e sigurt për diçka tjetër, është shumë e dashuruar, dhe shumë e lumtur.

Duke u rikthyer tek Evita, emri i së cilës erdhi si një homazh për nënën që aq shumë i ka munguar këngëtares, Elsa tregon se vogëlushja ia ka ndryshuar kryekëput jetën.

“Më duket sikur jam në një tjetër botë, po jetoj një jetë të dytë”, – thotë Elsa. “Këtë 8 mars, për ditëlindjen e saj ishte e kotë të organizonim dreka e darka, ku Evita nuk do të argëtohej fare, prandaj duke qenë se shumë muaj i ka kaluar në Madagaskar, në mes të natyrës dhe kafshëve nga të cilat është shumë e tërhequr, menduam ta kalonim në kopshtin zoologjik këtu në Romë mes tigrave e elefantëve”, – vijon ajo.

Mes të tjerash Elsa rrëfen: “Mund të shtosh edhe një detaj të vogël, për të cilin ndihem krenare. Evita ime, edhe pse 1 vjeç akoma pi qumështin e gjirit tim, natyrisht krahas ushqimeve të tjera që ha”. Këngëtarja tregon edhe për tiparet e të bijës që si çdo fëmijë është shumë e bukur. “Evita ka sy të mëdhenj blu, flokë ngjyrë gruri, është komike si tip, ekspresive dhe shumë e lëvizshme”, – thotë Lila, duke më dhënë mua shkas për pyetjen pasuese: “Kujt i ngjan më shumë vajza?”. “Edhe mua edhe Alessandros. Sytë blu për fat të mirë i ka nga i ati. Megjithatë një miku ynë, piktor i njohur dhe me sy të rafinuar estetik kur na pa së bashku, tha: ‘Evita është si Elsa me ngjyra, Elsa si Evita bardh e zi’”, – përfundon këngëtarja e dashur dhe e suksesshme.

E kthimi në skenë? Për artdashësit lajmi i mirë është që ajo do të rikthehet, shumë shpejt madje. Ajo do të vijë me një projekt muzikor, pjesë e të cilit do të jetë edhe engjëlli i saj. Eraldo Rexho, Blutooth/BalkanWeb

Lexo edhe:

Elsa Lila: “Unë dhe Evita”

Bashkëpunim ISSh-INAS në informimin e emigrantëve shqiptarë në Itali

Gërdec. Homazhe në vendin e shpërthimit