in

Emergjenca refugjatë. Komisioneri Avramopulos në Tiranë: “Keni mbështetjen e plotë të BE-së”

Në Tiranë për vizitë, Komisioneri i Bashkimit Europian për Migracionin, Dimitris Avramopulos, ka takuar kryeministrin, presidentin, ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Jashtëm me të cilët ka diskutuar kryesisht rreth krizës humanitare të migrantëve dhe refugjatëve. Autoritetet shqiptare i kanë shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të bërë detyrat e saj, në kuadrin e një plani Europian. Avromopulos u ka kujtuar edhe që “Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të ulur numrin azilkërkuesve shqiptarë të parregullt në Europë”

Tiranë, 18 mars 2016 –  “Kriza e refugjatëve është një çështje që nuk prek vetëm një vend, por të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe atyre që aspirojnë të jenë në BE. Shqipëria në këtë drejtim është gati të marrë përgjegjësitë e saj, si pjesë e një plani të gjerë të Bashkimit Europian”.

Këtë theksoi sot, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë konferencës së përbashkët per shtyp me Komisionerin e Bashkimit Europian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopulos, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë njëditore gjatë cilës u takua edhe me Kryeministrin, Presidentin dhe ministrin e Jashtëm.

Ministri i Punëve të Brendshme, gjatë konferencës sqaroi se marrëdhënia mes vendit tonë dhe BE-së është bazuar në një platformë solide. Ai shtoi se fushat e bashkëpunimit janë të gjera dhe aspirata e vendit tonë për tu bërë pjesë e familjes së madhe Europiane është gjithnjë e madhe. Diskutimi u fokusua mbi reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve, por në veçanti u diskutua rreth krizës humanitare të migrantëve e rolin e Shqipërisë.

“Në mënyrë të veçantë folëm për fluksin e emigrantëve, që është një shqetësim dhe emergjencë humanitare, që lyps solidaritet mes popujve. Shqipëria është e gatshme të bëjë detyrat e saj, konceptuar kjo si pjesë e një plani Europian. Jemi të gatshëm, – theksoi Tahiri – të kontribuojmë përkrah vendeve të BE-së. Në këtë emergjencë duhet të jemi të gjithë nën flamurin Europian. Duhet më shumë koordinim mes nesh. Kjo, shtoi Ministri Tahiri është një Çështje Europiane, në të cilën Shqipëria nuk mund dhe duhet të jetë vetëm. Shqipëria është tërësisht e angazhuar për të marrë përgjegjësitë e saj në rajon dhe BE dhe kjo në frymën e bashkëpunimit në vendet e BE-së”.

Komisioneri BE-së për Migracionin, Dimitris Avramopulos u shpreh se Shqipëria ka mbështetje të plotë nga Bashkimi Europian. Ai në fjalën e tij bëri një përmbledhje të fushave të bashkëpunimit mes BE dhe vendit tonë.

Por duke kujtuar që veç migrantëve nga zonat e luftës që po mësyjnë Evropën, kanë qenë të shumtë shqiptarët që kanë këruar azil në BE, Komisioneri Avramopulos kërkoi më shumë vëmendje edhe ndaj lëvizjes së shqiptarëve, duke theksuar se kontrolli i kufirit duhet të jetë më i përforcuar në këtë drejtim. “Komisioni Europian ka propozuar që Shqipëria të konsiderohet vend i sigurtë origjine. Gjithsesi, Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të ulur numrin e emigrantëve shqiptarë të parregullt në Europë dhe që kërkojnë azil. Për këtë duhet të merren një sërë masash, si një kontroll më efikas i kufirit, apo politika të tjera. Shqipëria duhet të bëhet një fushatë efikase për të informuar shtetasit se çfarë do të thotë udhëtimi pa viza në Bashkimin Europian. Kjo nënkupton edhe bashkëpunim me vendet anëtare për çështje të ndryshme si p.sh. falsifikimi i dokumenteve. Aplikimi i këtyre masave do të sjellë një ulje, besoj, të aplikimeve për azil nga qytetarët shqiptarë në muajt apo vitet në vijim”. Po ashtu komisioneri Avramopulos theksoi se duhet më shumë vëmendje në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe se BE dhe Shqipëria janë pranë në luftën ndaj terrorizmit.

 

Duke u kthyer tek tema aktuale që shqetëson Bashkimin Europian, kriza emigratore, Komisioneri Avramopulos nënvizoi se të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe vendet aspiruese për në BE janë nga e njëjta anë e anijes. “Ne diskutuam për krizën e emergjencës dhe gatishmërinë e vendit tuaj në këtë drejtim. Shqipëria nuk është vetëm në këtë çështje, në rast se do të ketë probleme. Dua të jem shumë i qartë, deri tani nuk ka informacione që vendi juaj të jetë prekur nga ndonjë fluks i veçantë, por kjo nuk do të thotë se ju nuk duhet ta monitoroni situatën”.

 

Sipas Avramopulos, asnjë vend më vete mund të trajtojë çështjen e emigrantëve nga Siria më vete. “Nëse jeni apo jo shtet anëtar në BE, sërish ne jemi në të njëjtin krah. Kjo çështje trajtohet në mënyrë efikase vetëm nëse bashkëpunojmë me njeri tjetrin. Shqipëria është një nga partnerët më të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit të BE-së. Shqipëria nuk është vetëm në këtë sfidë. Duhet të punojmë së bashku me frymën e përgjegjësisë e solidaritetit”, nënvizoi Avramopulos.

 

Edhe në takimin me kryeministrin Rama, temë kryesore e diskutimit ishte kriza e emigrantëve të larguar nga zona në konflikt, si dhe perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Palët shprehën mendimin se kriza migratore me të cilën përballet sot Europa ka nxjerrë në pah nevojën për një përgjigje kolektive duke evidentuar rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit të përforcuar mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

Kreu i qeverisë shqiptare e ka siguruar zyrtarin e lartë të Brukselit se Shqipëria do t’i qëndrojë besnike vlerave europiane, angazhimeve të ndërmarra për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të përbashkët europiane kundrejt krizës së refugjatëve duke theksuar se vendimet e njëanshme nuk shërbejnë në zgjidhjen e krizës.

 

“Shqipëria është gati, sikundër ka qenë dhe do jetë gjithmonë gati brenda mundësive dhe kapaciteteve tona për të marrë rolin e saj, në kuadër të një plani të përbashkët të Bashkimit Europian,” tha Rama.

 

Edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë takimit me Komisionerin e BE-së për Migracionin, Avramopoulos, theksoi se beson tek zgjidhja burimore e këtij problemi dhe se Shqipëria nuk i shmanget angazhimit si vend me perspektivë të qartë evropiane për t’u bërë pjesë e një zgjidhjeje evropiane për krizën aktuale. Nishani nënvizoi domosdoshmërinë e një bashkëpunimi, asistence dhe bashkëveprimi të njehsuar nën ombrellën evropiane për trajtimin e flukseve migratore që lëvizin nëpërmjet Korridorit Ballkanik.

 

Ministri i Jashtëm Bushati shprehu edhe një herë angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në përballimin e krizës migratore në kuadrin e një zgjidhjeje të bashkërenduar evropiane dhe në përputhje me kapacitetet e vendit, duke shmangur veprimet e njëanshme që nuk pajtohen me angazhimin për një zgjidhje të përbashkët dhe të qëndrueshme. Në këtë kuadër, Ministri Bushati theksoi nevojën për koordinim përpjekjesh dhe forcim të mëtejshëm të partneritetit strategjik të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, për përballimin e sfidave të krizës migratore bashkërisht. Ky partneritet strategjik, nënvizoi Bushati, duhet të përfshijë një dialog të përforcuar politik, pjesë e të cilit duhet të jetë edhe perspektiva evropiane e vendeve të rajonit tonë. Ministri Bushati u ndal në bashkëpunimin e ngushtë që ekziston me Italinë, agjensitë e specializuara të BE-së e Kombeve të Bashkuara, si tregues i qartë i angazhimit aktiv e koherent të vendit për të parandaluar flukset e pakontrolluara të emigrantëve dhe trafikimin e tyre.

 

 

 

Përshtatshmëria e strehimit. Si përcaktohet nëse shtëpia është e mjaftueshme

Bonus bebe, refuzohen kërkesat e prindërve pa kartë qëndrimi