in

Emigracion klandestin nga Shqipëria në Angli. 13 arrestime në Fiumicino

Mundësonin emigrimin klandestin të shqiptarëve drejt Anglisë me dokumente të rreme italiane. Mëngjesin e sotëm 13 arrestime, gjatë hetimeve nga tetor 2012 janë arrestuar edhe 8 të tjerë e janë paditur në gjendje të lirë dhjetëra persona. Kryesisht shqiptarë por edhe italianë

Romë, 25 qershor 2014 – Të shkosh nga Shqipëria në Angli pa vizë është e pamundur. Por jo për ata që duke paguar nga 6 deri në 10 mijë euro, vinin nga Shqipëria në Itali, këtu pajiseshin me dokumente të rreme italiane e merrnin avionin për në Londër. Këtë “shërbim” ofronte një organizatë kriminale e përbërë nga shqiptarë e italianë, 13 vetë të të cilës janë arrestuar mëngjesin e sotëm nga Policia e kufirit e Fiumicinos. Hetimet  kanë nisur që në tetor të vitit 2012 e shkas është bërë rasti i një shqiptari që është zbuluar me dy dokumente identiteti, një shqiptar e një tjetër (i rremë) italian.

Që atëherë, gjatë hetimeve është zbuluar se organizata çonte në mënyrë klandestine në Angli 5-7 persona në javë, kryesisht të rinj shqiptarë, duke siguruar fitime të paligjshme deri në 200 mijë euro në muaj. Gjatë këtij një viti e gjysmë janë arrestuar gjithsej 21 vetë (përfshirë këta 13 të ditës së sotme) që akuzohen të jenë organizuesit e këtij trafiku, janë paditur në gjendje të lirë rreth 40 persona dhe janë lajmëruar se janë nën hetim mbi 100 të tjerë. Sipas policisë, shumica e të paditurve dhe e të arrestuarve janë shqiptarë. Mes italianëve të arrestuar edhe një ish karabinier.

Bossi e bijtë në gjyq për mashtrim ndaj shtetit

Pesëmbëdhjetë vjet “Bota Shqiptare”