in

Emigrantët dhe bankat: 1,5 milionë llogari bankare

Shqiptarët kursejnë, hapin llogari rrjedhëse e dërgojnë para në vendlindje. Gjatë vitit 2009, përmes sistemit bankar kanë dërguar në Shqipëri mbi 8 milionë e 400 mijë euro, shumë kjo shumë më e ulët se ajo marokenëve, rumunëve, moldavëve apo brazilianëve, që i paraprijnë në renditje, por duke bërë urdhër-xhirime me shumë mesatare prej  rreth 5 mijë eurosh, më e larta se e të gjithë të tjerëve

euroRomë, 27 shtator 2010 – Gjatë vitit 2009 përmes sistemit bankar italian janë dërguar si remitanca në vende të tjera 210,05 milionë euro, me 92.020 urdhërr-xhirime të kryera nga emigrantët. Vlera mesatare e çdo remitance është 1.543 euro, rreth 7 herë më e madhe se e njëjta e dhënë në shkallë ndërkombëtare, që është rreth 223 euro.

Kjo del në dritë nga Dosieri ABI-Cespi 2010, hulumtimi periodik i ofertës së shërbimeve dhe produkteve bankare për klientët emigrantë referuar vitit 2009 dhe e kryer mbi një kampion institutesh italiane bankare që bëjnë pjesë në ABI (shoqata bankare italiane) që përfaqësojnë 63% të të gjitha bankave të Italisë.
Objekt i hulumtimit kanë qenë emigrantët e 21 komuniteteve të para në Itali që përbëjnë 88% të të gjithë të huajve të pranishëm këtu. Ajo që bie në sy nga studimi është konfirmimi i faktit të vënë re edhe më parë: “emigrantët u drejtohen bankave për transferime shumash të mëdha parash, kryesisht mbi njëmijë euro, ndryshe nga ç’ndodh me kanalet e tjera tradicionale të dërgimit të parave familjarëve”.

Vendet drejt të cilave nisen flukset më të mëdha të remitancave nga Italia janë Maroku (rreth 28 milionë euro) e Rumania (mbi 22 milionë euro), të ndjekura nga Moldova (mbi 15 milionë), Brazili (mbi 10 milionë) dhe Shqipëria me 8.409.698 euro. Edhe pse vlera komplesive e dërguar në Shqipëri është shumë më e vogël se ajo e dërguar në katër vendet e para (për arsye objektive si fakti ë komuniteti rumun është shumë më i madh se ai shqiptar, apo për arsye të të shkuarit shpesh në vendlindje), ajo që bie në sy është që shqiptarët nisin shumat më të larta me çdo urdhër-xhirim bankar: mesatarisht 4.953 euro.

Një tjetër e dhënë interesante është edhe shtimi i numrit të llogarive bankare në emër të emigrantëve. Numri i llogarive rrjedhëse bankare të emigrantëve ka shkuar nga 1,404 milionë të vitit 2007 në 1,514 milionë në vitin 2009. Ndërkaq numri i emigrantëve gjatë kësaj periudhe është rritur me 32,4% ndaj edhe përqindja e ‘bankarizimit’ të emigrantëve ka rënë nga 67% në vitin 2007 në 61% në vitin 2009. Kjo është mëse e natyrshme po të mbahet parasysh kriza ekonomike që po kalon Italia. Përsa i përket renditjes së komuniteteve me më shumë llogari rrjedhëse bankare, ajo përkon me renditjen e pranive në Itali: rumunët, shqiptarët e marokenët.

Në studim theksohet që emigrantët përdorin shërbimet bankare jo sapo mbërrijnë në Itali, por pas rreth pesë vjetëve qëndrim, gjatë të cilëve përpiqen të fitojnë një farë stabiliteti ekonomik dhe në punë. Emigrantët i drejtohen bankës për të hapur një llogari rrjedhëse, kryesisht për arsye familjare, por megjithatë vërehet një rritje konstante e llogarive të hapura nga imigrantë sipërmarrës, që në fund të vitit 2009 kanë arritur në 52.924.

Kërkohen në Korçë eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në Luftën II botërore

Pasaporta e letërnjoftimi në konsullatë. 100 euro për person