in

Emigrantët mund të paguajnë sigurimet vullnetare atje ku jetojnë

Emigrantët shqiptarë në Itali mund të verfikojnë periudhat kontributive ose të paguajnë përplotësimin e viteve të punës për efekt pensioni në Shqipëri në vendet ku ata jetojnë.

Ky hap është bërë i mundur falë marrëveshjes më të fundit të ISSH-së me bankën Intesa San Paolo, me marrëveshjen mes ISSH-së dhe Ministrisë së Jashtme si dhe informacionit të shprëndarë falas për të gjithë emigrantët që jetojnë në Itali përmes mbi 800 zyrave të INAS-it, patronatit më të madh Italian që asiston në dhënien e informacionit dhe plotësimit e dokumenteve për emigrantët. Pikërisht, zgjerimi i bashkëpunimit me INAS ka qenë në qendër të takimit më 3 dhe 4 mars në Romë mes drejtuesve të ISSH-së dhe drejtuesve të INAS-it. “Dua të falenderoj patronatin për të gjithë asistencën që u jep bashkëqytetarëve tanë që jetojnë dhe punojnë në Itali. Informnacioni përmes jush dhe marrëveshja e firmosur së fundmi me Intesa San Paolo për mundësimin e pagesave nga emigrantët për plotësimin e viteve të duhura për pension në Shqipëri përmes kontributit vullnetar, na jep mundësinë e një komunikimi sa më konkret, sidomos me të gjitha ata që kanë patur një histori kontributive në Shqipëri përpara se të emigronin”, tha në fjalën e saj kreu i ISSH-së, Evelina Koldashi, duke falenderuar Presidentin e INAS Antonio Sorgin dhe Ambasadorin shqiptar në Romë, z. Llesh Kola, për asistencën në zgjerimin e marrëveshjeve.

Ndërkaq, Sorgi ka deklaruar vendimin e Patronatit INAS-CISL për të hapur një zyrë në Tiranë, ku pritet një shkëmbim edhe më konkret të dhënash dhe verifikimesh që do t’u duhet shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali lidhur me mundësinë e përfitimit të pensionit edhe në Shqipëri. I pranishëm në këtë takim, ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola, e konsideroi këtë një prani të rëndësishme të shtetit shqiptar pranë çdo shqiptari në emigracion. “Falenderoj Sorgin e Koldashin për këtë takim kaq të rëndësishëm, që i jep mundësinë bashkëqytetarëve të mi që të njihen falas me kushtet e mbrojtjes sociale edhe në Shqipëri ku një pjesë jo e vogël kthehet për të jetuar. Eshtë shumë pozitive që tashmë ata do të mund t’i derdhin kontributet këtu ku jetojnë për plotësimin e viteve të duhura për pension”, tha ambasadori Kola. Ai paralajmëroi se, si përfaqësues i Qeverisë Shqiptare do të vijojë negociatat me qëllim arritjen e një marrëveshje edhe më të rëndësishme, që ka të bëjë me totalizimin e periudhave kontributive në Shqipëri dhe Itali, çka do t’u jepte mundësinë shqiptarëve që të përfitonin nga të dy sistemet e siguruara. “Ne do të kërkojmë këtë të drejtë që kanë shqiptarët në bazë të gjitha ligjeve”, tha Kola. Ndërkohë, ai përshëndeti edhe mundësinë që jep kjo marrëveshje, duke nisur mbledhjen e të gjitha të dhënave për emigrantët shqiptarë, çka do të mundësonte saktësimin e të gjithë shqiptarëve me priudha kontributive që kanë nevojë për plotësim.

Ndërsa sociologu Rando Devole, që është edhe koordinator mes patronateve në Itali dhe negociator i marrëveshjes INAS-ISSH, tha se, si një dëshmitar i të gjitha ndryshimeve që kanë ndodhur në 20 vitet e fundit mes shqiptarëve që jetojnë në Itali, e sheh këtë bashkëpunim si një mënyrë shumë efikase që emigrantët të ndjejnë nga pranë kujdesin nga shteti i tyre. “Falenderoj znj. Koldashi për këtë projekt që tashmë ka kohë që funksionon dhe që ka bërë që shumë shqiptarë të jenë tashmë aplikues të kërkesave për t’u njohur me hisotikun e punës së tyre apo të mënyrës se si mund të përfitojnë edhe në Shqipëri”, tha Devole.

Më pak fotokopje për lejeqëndrimin

Saimir Pirgu, tenori i suksesshëm