in

Emigrantët, spektatorët e procesit zgjedhor në Shqipëri

Ndërsa Shqipëria voton për të zgjedhur kryetarët dhe këshilltarët e bashkive dhe komunave, pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë ndjekin si spektatorë procesin.

Në një sondazh që botuam në faqet e shqiptariiitalise.com me të cilin pyesnim lexuesit tanë nëse duhet apo nuk duhet të votojnë shqiptarët e mërguar në zgjedhjet e 8 majit, mbi 83% e atyre që i janë përgjigjur thotë që po.

Pa pasur asnjë pretendim shkencor mbi rezultatin e një sondazhi të tillë ku dikush mund të japë mendimin e tij edhe dy herë, ku ata që përgjigjen nuk i dihet nëse mund të konsiderohen kampion përfaqësues i komunitetit shqiptar, teksa flet me të njohur kupton që, veçanërisht në periudha paraelektorale, shqiptarët në Itali ndihen disi të braktisur nga shteti i tyre. U kërkohet shpesh nga përfaqësues të shtetit që kalojnë në Itali “të përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë” të bëjnë çmos për “përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë”, por nga ana tjetër nuk shohin asnjë mbështetje konkrete nga vendi i tyre. Madje as përfshirje në çështjet kombëtare.

Me rreth 1 milion e gjysmë shqiptarë jashtë vendit, në një vend që në listën e vet të zgjedhësve ka gjithsej 3 milion e 170mijë vetë, përfshirë edhe emigrantët, do të thotë që rreth një e treta e zgjedhësve jeton jashtë. Për më tepër “teorikisht” Shqipëria ua njeh atyre të drejtën e votës, qoftë për zgjedhjet vendore qoftë për ato politike, duke i përfshirë në listat e zgjedhësve, por praktikisht nuk ua ofron, nuk ua mundëson pjesëmarrjen.

Për zgjedhjet politike, nuk vihet në dyshim që shqiptarët e mërguar duhet të kenë të drejtën e votës, dhe jo thjesht në letër. Sa për votën në zgjedhjet vendore, në qytetet ku jemi të regjistruar, jemi teorikisht banorë, ndërsa praktikisht jemi padyshim kontribuues: duke mbajtur familjet, duke hapur aktivitete private, duke investuar, madje duke paguar edhe taksa, si ato të plehrave. Pra edhe pa qenë banorë, ndoshta shqiptarët në mërgim duhet ta kenë të drejtën e votës për administruesit bashkisë apo komunës ku janë të regjistruar.

Por nga shteti shqiptar, veç regjistrimit në listat e zgjedhësve nuk ofrohet asgjë më shumë. Nuk është e mundur në një epokë kur kryeministri i vendit shet mend me zhvillimin teknologjik të administratës, me përhapjen e internetit, të mos gjendet një mënyrë që shqiptarët jashtë shtetit të kenë mundësi reale për të votuar “në distancë” pa shkuar në Shqipëri.

Shqipëria voton

KQZ: Deri në orën 14.00 ka votuar 22% e zgjedhësve