Emigranti i paguan 20 mijë lekë zëvendës shefit të qarkullimit rrugor të Tiranës Baftjar Hadushaj për të rimarrë patentën italiane që iu bllokua pa ndonjë arsye ligjore
Tiranë, 6 shtator 2013 – Mbrëmë, “Fiks Fare” i dha përgjigje pyetjes që shtroi një natë më parë, nëse policët e qarkullimit rrugor të Tiranës i kishin marrë apo jo para emigrantit në Itali për kthimin e patentës. Përgjigjja është po. Pas sorollatjes nëpër sportelet e komisariatit të qarkullimit rrugor të Tiranës dhe pasi ka paguar 20 mijë lekë apo 150 euro, më në fund emigranti ka rimarrë patentën e lëshuar nga autoritetet italiane, pa kaluar në komision dhe pa u ndëshkuar.
Në pjesën e parë të skandalit, të nxjerrë në dritë nga “Fiks Fare” më 4 shtator, tregohet sesi pa asnjë arsye ligjore emigrantit i tërhiqet patenta italiane e më pas i premtohet nga punonjësi i policisë, Agim Kamberi, anëtar i komisionit të patentave, rikthimi i dokumentit pa dalë në komision e pa u ndëshkuar.
Më 5 shtator “Fiks Fare” jep pjesën e dytë të historisë, atë të dhënies së ryshfetit.
Emigrantit i lihet takim për të nesërmen e tërheqjes së patentës, në zyrën e zëvendës shefit të qarkullimit rrugor të Tiranës Baftjar Hadushaj. Ai e ka pritur vetë emigrantin në oborrin e komisariatit dhe e ka shoqëruar në zyrën e tij, ku i ka marrë shumën prej 20 mijë lekësh. Pasi ka bërë një shënim për rikthimin e patentës, i ka thënë emigrantit që mund ta tërhiqte tashmë patentën në sportel.
Më pas emigranti takon edhe Agim Kamberin që i kishte dhënë “zgjidhjen” përmes pagesës. Emigranti i tha se e mori patentën duke paguar 20 mijë lekë dhe në fund të bisedës i lë edhe Kamberit një bakshish prej dy mijë lekësh.
Ky është rasti i pastër i korrupsionit që ka ndodhur ditët e fundit të gushtit që emisioni “Fiks Fare” nxorri në dritë dy netët e fundit. Menjëherë pas videos së parë ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duke përjashtuar nga detyra nënkomisarin Agim Kamberi, me detyrë polic pranë Drejtorisë së Policisë Rrugore me akuzën e shkeljes së Kodit të Etikës. Është për t’u parë nëse do të merret nonjë masë edhe ndaj Baftjar Hadushaj, zv/shef i Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Tiranë, të cilit emigranti i jep shumën e 20 mijë lekëve.