in

Erion Kadilli: “Jam rritur në Itali por ndihem shqiptar”

Edhe pse shqipen e flet me nje dialekt të çuditshëm që përzien zhurmshëm gegërishten dhe toskërishten,  27 vjeçari i rritur në Itali, student i regjisurës në universitetin e Torinos, ndihet tërësisht shqiptar. Nga dritarja e papafingos së tij në Torino valëvitet flamuri shqiptar. Të cilin Erioni e ka bërë protagonist edhe të dokumentarit të vet të parë, “Primavera in Kosova” kushtuar pavarësisë së Kosovës

erion_kadilli_2.gifMe rastin e dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shqiptarë në të katër anët e Italisë, organizuan festime, pak a shumë të rëndësishme, mes të cilave ia vlen të përmendet veprimtaria e studentëve të Milanos të shoqatës NewAge, gjatë të cilës u shfaqën dy filma dokumentarë dhe u zhvillua një debat mbi dy vjetët e para të jetës së shtetit më të ri evropian.
Një nga filmat, Pranverë në Kosovë, është një dëshmi të gjallë e kryengjarjes së përjetuar nga populli kosovar, e Ditës së Pavarësisë: ai është xhiruar në Kosovë në shkurt të vitit 2008, pikërisht në periudhën para, gjatë dhe menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Filmi përcjell emocionet e protagonistëve, përfaqësues të ndryshëm të popullit kosovar, atmosferën e ndezur të Prishtinës ku gjurmët e luftës janë ende të prekshme, por ku shpresat e ëndrrat për të ardhmen janë më të fortë se në çdo vend tjetër.
Dokumentari është vepër e parë e Erjon Kadillit. I lindur në Durrës në vitin 1983 dhe i transferuar në Itali që në moshë të njomë me familjen, sot vazhdon universitetin e Torinos për regjisurë. Të mjafton një takim me Erjonin për të kuptuar se është një i ri me kulturë e plot pasione: kalon natyrshëm nga literatura te filozofia, nga kinematografia te muzika klasike. Dhe sa herë bie fjala për Shqipërinë apo Kosovën vëren se Erioni ushqen një ndjenjë të fortë patriotizmi të shëndetshëm e kritik. Të tregon duke qeshur por edhe me krenari mëse të ligjshme, se në një dritare të papafingos ku jeton në qendër të Torinos, shihet që larg të valëvitet flamuri kuqezi shqiptar. Edhe pse i dhënë pas leximit e herë herë të duket si i humbur në botën e tij, është i ri me këmbët në tokë. Nga ata që bën çdo lloj pune. Në verë ndihmon të atin në një pikë-shitje gazetash. E aty punon e dëfrehet: lexon gjithçka që i intereson nga shtypi ditor e periodik e në të njëjtën kohë është në kontakt të vazhdueshëm me vendasit. E të tregon histori nga më të ndryshmet. Se si bën, për shembull, sikur nuk e di ç’është “Padania”, e përditshmja e Legës, kur ndonjë ia kërkon. Sepse – dhe ta thotë me gojën plot – dy janë gjërat që nuk i duron dot Italisë: mafia dhe Lega!

Intervista

Ke ardhur i vogël në Itali. Si ka qenë jeta jote prej emigranti në veri të Italisë?
Deri më sot, jeta ime ka qenë shumë e thjeshtë, pa tronditje të forta, mund të them si jeta e çdo italiani të moshës sime. Familja vjen nga Durrësi, qytet i kënduar nga Dannunzio. Im atë ashtu si dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë është përfaqësues i mirëfilltë i emigracionit, i atij klasikut  të vitit 1991. ndërsa unë, fatkeqësisht kam mbërritur këtu si turist (dhe kjo më shkakton njëfarë ndjesie faji përballë pjesës dërrmuese të shqiptarëve këtu në Itali) pak muaj më pas.
Familja ime u vendos dhe jeton edhe sot e kësaj dite në Liguria, në një fshat të mrekullueshëm turistik të bregdetit të Ponente-s: Varigotti (qytet ku ka lindur Renato Castellani) ku kam kaluar një fëmijëri dhe adoleshencë shumë të bukur  dhe ku jam formuar në mënyrë autodidakte kryesisht duke lexuar Heidegger dhe duke dëgjuar Wagner. Kur erdhi koha e Universitetit, u transferova në Torino, qytet i Nietzsches. Kalimi nga Varigotti i vogël në Torinon kozmopolite ka qenë një shoc kulturor i mrekullueshëm për mua: kinematografi eksperimentale, koncerte të muzikës klasike, persona interesantë me të cilët mund të shkëmbej idetë. Jetoj tashmë në Torino prej më shumë se gjashtë vitesh. Nga papafingoja e vogël ku jetoj, në qendër të qytetit, nga cila shoh Alpet, valëvitet flamuri shqiptar!

Ke ndier të të rëndojë fakti i të qenit shqiptar, në një zonë ku Lega ka një ndikim jo pak të vogël?
Për fatin tim të mirë nuk kam ndier kurrë racizmin. Jam i bindur që italianët janë përgjithësisht njerëz të zemërgjerë dhe mikpritës, madje mund të them që familja ime është ndihmuar shumë nga vendasit fillimisht. Ndërsa për mua, duke qenë i vogël kur kam ardhur, integrimi në shkollë ka qenë diçka shumë e natyrshme dhe aspak traumatike. Madje zakonisht me miq dhe të fejuara (italiane) jam përpjekur e kam ngjallur një interes të fortë për Shqipërinë.
Torino është ndryshe nga qytetet e tjera të veriut të Italisë, inteligjenca e majtë, Rezistenca, imigracioni i brendshëm nga jugu i vendit e kanë bërë këtë qytet tolerant dhe mikpritës. Edhe pse në veri, Lega nuk ka ngjizur mes torinezëve. E meqë ra fjala, të vetmet dy gjëra që nuk më pëlqejnë nga Italia – që në përgjithësi adhuroj – janë Lega dhe mafia. Natyrisht dukuri shumë të ndryshme nga njëra tjetra, por që të dyja frute të injorancës.

Si kanë evoluar në vite marrëdhëniet e tua me Shqipërinë? Si e parafytyroje Shqipërinë komuniste e si të duket ajo e sotmja?

Gjatë viteve të fundit jam bërë një patriot i vërtetë shqiptar! Edhe sot e kësaj dite kujtoj me një ndjenjë e lehtë faji që, në vitin 1999, kur në Kosovë shpërthente me të gjithë fuqinë e saj dhuna serbe, unë nuk dija kushedi se çfarë për vëllezërit tanë kosovarë. Vitet e fundit kam filluar të shkoj shpesh e me dëshirë në Shqipëri, pas një periudhe shkëputjeje të gjatë shtatëvjeçare. Dhe kthimi pas gjithë asaj kohe, rigjetja e personave dhe e vendeve fëmijërisë më dhuroi një emocion të fuqishëm. Shkoj gjithnjë me traget, edhe se Bari është goxha larg prej këtu, më duket sikur shlyej një borxh që u detyrohem shumë emigrantëve, një ushtrim i vogël për të mos harruar. Për më tepër, jam i mendimit se mjeti ajror, duke qenë ultra-teknologjik, është konceptualisht tepër i dhunshëm.
Shqipëria, sot është akoma më e vështirë për t’u inkuadruar se ajo e njëherëenjëkohe. Por e kuptoj që kemi nevojë për gjëra të caktuara të modernizmit edhe pse nuk më pëlqejnë shumë. Ne shqiptarët kemi nevojë të dëshpëruar për normalitet por po lëmë pas dore, po humbasim traditat tona. Sot ndodh në Shqipëri e njëjta gjë që Pasolini, kur fliste për Italinë e viteve ’60, e quante “gjenocid kulturor”. Kujtoj ende sot tronditjen dhe habinë time tek shihja në tv në traget në afërsi të Durrësit, gjatë udhëtimit tim të parë pas shtatë vjetëve që mungoja nga Shqipëria, një videoklip muzike popullore shqiptare të stilit të klipeve të Mtv-së. Por në këtë çast, e përsëris, kemi nevojë edhe për këtë. Sa për komunizmin dua të them që do ta kemi kapërcyer mendërisht vetëm kur të urrejmë më pak se sot, në kuptimin që ne shqiptarët jemi ende komunistë për mënyrën se si urrejmë komunizmin, dhe se si dashurojmë në mënyrë tepër dogmatike kapitalizmin.

erion_kadilli_4.gif

A e ndien veten sot “mes dy brigjesh”? Të qenit shqiptar i rritur në Itali të bën më të fortë, apo të krijon probleme identitare?
Mendoj që në emigracion, problemi i identitetit është tipik i brezit të dytë. Por njeriu nuk është kurrë diçka e përcaktuar në mënyrë absolute (i mirë apo i keq, italian apo shqiptar, fashist apo komunist, apo milanist). Anë të ndryshme të karakterit, në rrethana të caktuar, mund të marrin nuanca të ndryshme. Jam i mendimit se identiteti pasqyrohet te dallimi. Nuk mjafton të kemi më vetëm një botë apo vetëm një gjuhë. Dhe në këtë aspekt mendoj se ne shqiptarët jemi specifikë dhe specialë.

Dy vjet më parë ke bërë një film për Kosovën. Ç’mund të na thuash rreth eksperiencës tënde në Kosovë?
Interesi për Kosovën është në radhë të parë emotiv, por edhe i karakterit intelektual. Kjo tokë mbart  kaq shumë shpirt, dhimbje dhe bukuri sa nuk mund të mos i interesojë një shqiptari që ka zemër e mend. Kosova është ajo pjesë e Shqipërisë në të cilën Qielli dhe Toka (siç i kuptonte poeti Holderlin) afrohen dhe njeriu jep më shumë falë Jetës autentike, veçanërisht në vuajtje. Personazhet e dokumentarit tim “Pranverë në Kosovë” ishin miq të miqve të mi, ose persona të njohur rastësisht rrugëve të Prishtinës, të cilëve u kërkova të (mos)recitonin për mua në film. Të gjithë pranuan.

Kush janë bashkëpunëtorët? Si ishte eksperienca si regjisor?
Bashkautor i dokumentarit është regjisori italian Tommaso Bertani, që para të gjithash e kam mik. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mënyrën time të punës. Për realizimin e këtij filmi dokumentar një ndihmë të vyer kanë dhënë edhe persona të tjerë si sipërmarrësi shqiptar Besnik Binjakaj, shoqata shqiptare e Torinos, Vatra, e drejtuar nga shqiptari i gjithanshëm Benko Gjata, dhe dy drejtuesit e Festivalit të Filmit të Genovas, Antonella Sica dhe bashkëshorti i saj Cristiano.

foto-primavera-kosovo.gifSi është pritur filmi, në Kosovë veçanërisht?
“Pranverë në Kosovë”ka marrë pjesë në shumë festivale në Itali si në Piemonte Movie, Arcipelago, etj. Është shfaqur gjithashtu edhe në veprimtari të ndryshme si kjo e fundit në Milano, për rastin e dyvjetorit të pavarësisë, në Torino, Genova, Savona, Romë. Është shfaqur deri edhe në Shtetet e Bashkuara (në Florida). Padyshim është dhënë në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë në festivalin e mrekullueshëm Dokufest të Prizrenit dhe në Skena Up Festival të Prishtinës. Filmi është pritur gjithmonë ngrohtë nga publiku dhe shpesh debatet pas shfaqjes së tij kanë qenë mjaft interesante. Sa për kritikën, më jep kënaqësi të veçantë fakti që filmi është vlerësuar nga figura të rëndësishme si Nanni Moretti, Saverio Costanzo, Francesco Munzi, maestroja Daniele Gaglianone, regjisor nga i cili marr frymëzim,  dhe nga kritiku i njohur i Sky-t, Gianni Canova.

Mendon të bëhesh regjisor kur “të rritesh”?
Unë tashmë jam regjisor, por për mua nuk është shumë ndryshe nga të qenët kuzhinier. Unë tregoj historitë që më interesojnë. Fakti që aktorët e mi nuk janë yje të kinematografisë, që nuk fitojnë miliona dollarë, që dokumentarët e mi nuk shihen nga masa të gjera, për mua nuk do të thotë asgjë.
Nuk bëj këtë punë për paratë, të ishte për to do të kisha hapur një restorant në Tiranë. Të kuptohemi, jo për ndonjë “arsye të brendshme apo artistike”, thjesht sepse më pëlqen ta bëj.
Sot jam në fazën e montimit të një dokumentari që kam xhiruar kohët e fundit, mbi jetën e një italiani mercenar në Ballkan.
erion_vattimo.gif

Ç’mund të na thuash për projektet e ardhshme?
Shumë shpejt do të nis xhirimet për një film intervistë mbi jetën e filozofit Gianni Vattimo me shtëpinë filmike torineze Babydoc film. Do të quhet “Treni i Nietzche-s”.
Friedrich Nietzsche është mendimtari gjerman që me teoritë e tij si “Vdekja e Zotit” dhe “Vullneti për pushtet” ka ndryshuar në mënyrë të pamëshirshme drejtimin e metafizikës perëndimore. Nga ana tjetër, Gianni Vattimo, filozof torinez me famë ndërkombëtare, themelues i teorisë së “mendimit të dobët”, është interpretues i madh i mendimit të Nietzsche-s dhe Heidegger-it. Dy filozofi, një qytet: Torino. Nietzsche ka jetuar gjatë në kryeqendrën piemonteze, Vattimo aty ka lindur, është formuar dhe sot në moshë të pjekur ka zgjedhur të banojë në një lagje të qytetit që është e njëjta ku mëse një shekull më parë jetonte filozofi gjerman.
Por përtej të njëjtës linjë filozofike, dy profesorët e mendimit kanë shumë e shumë faktorë personalë të përbashkët. Aspekte të jetës familjare: që të dy kanë humbur babanë në moshë të re. Aspekte të jetës sentimentale: që të dy kanë përjetuar një trekëndësh dashuror të përfolur. Vattimo ka zgjedhur Roquebrune, në Rivierën e Kaltër franceze, si vendin e tij për t’u tërhequr në paqë, ndërsa Nietzsche, kur largohej nga Torino shkonte në Nicë, pra edhe ai në Rivierën e Kaltër…
Me anë të trenit, mjet simbol të shekullit XIX, do të përshkojmë rrugën e Nietsches nga Alpet në Mesdhe: Torino, Genova, Nice. Gjatë këtij udhëtimi filozofi bashkë me asistentin e tij të ri Alberto Martinengo, trashëgimtar i drejtpërdrejtë i mendimit të tij, do të prekin temat e politikës dhe të filozofisë bashkëkohore, për të arritur më pas në aspektet më njerëzore dhe më personale që kanë shënuar gjithë ekzistencën, nga hedhja poshtë e dogmatizmit deri te nxitja e egër drejt kërkimit të lirisë, elemente kyçe që mendimtari, tashmë në moshë të thyer, u lë në trashëgimi të rinjve.
Ky është mesazhi që filmi-dokumentar, thuajse i gjithi i ambientuar në tren, do të ketë për qëllim të japë.

Keti Biçoku

Bota shqiptare 232 – 16 mars 2010

Primavera in Kosovo -Trailer

 

 

 

Ekspozita”Migranti”: përvoja e zbarkimit kthehet në art

Fini: “Shtetësi italiane për të miturit”