in

Fini: “Shtetësi italiane për të miturit”

Fini:“Duhet të jenë pjesë e komunitetit kombëtar, multietnik dhe multikulturor”. Touadi (PD): “Fini dhe njerëzit e tij të sfidojnë Legën”. Rinis reforma

Për fëmijët e imigrantëve shtetësia italiane duhet të mbërrijë shumë më shpejt se tani; Italia duhet të ndërtohet mbi baza multietnike dhe të rinjve duhet t’u japë mbështetje sepse janë “subjekte të dobëta të qytetërimit”.

Gianfranco Fini ripohon idetë e tij aq të ndryshme nga ato të aksit PdL-Lega në Milano me rastin e paraqitjes së raportit “Familja 2009”. Dhe i kthehet temës së shtetësisë: “Fëmijët e emigrantëve janë në kopshte me fëmijët tanë, flasin jo vetëm gjuhën tonë por edhe dialektet tona, bëjnë tifozllëk për të njëjtat skuadra për të cilat bëjnë tifozllëk edhe fëmijët tanë, dëgjojnë të njëjtën muzikë dhe shohin të njëjtit filma”. Si është e mundur, pyet Kryetari i Dhomës së deputetëve, të mos kuptohet që nevojitet shtetësi më e shpejtë për bijtë e imigrantëve, qoftë për ata që lindin këtu, qoftë për ata që vijnë në moshë të njomë.

Më 23 mars, në fjalën përshëndetëse në një konferencë në Milano, Fini i kthehet propozimit të tij tashmë të njohur për reduktimin e kohës së nevojshme për shtetësinë e brezave të dytë. Një temë që bëhet sërish aktuale me rifillimin e diskutimit në parlament të reformës së ligjit mbi shtetësinë, temë e hapur që në janar por e shtyrë për pas zgjedhjeve për të mos u ndikuar nga fushata elektorale.

Fini thotë me bindje që “nuk duhet pritur që këta të mbushin 18 vjeç, që në të vërtetë do të thotë edhe ndonjë vit më shumë, që t’u njihet shtetësia”. Sepse përndryshe, thekson kryetari i Dhomës së deputetëve, “ekziston rreziku që kur janë 10-12 vjeç të dëgjojnë ndokënd t’u thotë “ti je ndryshe, nuk je italian, dhe të bien pre e predikimeve të ndonjë mësuesi të keq. Duhet të shmangim me çdo kusht një rrezik të tillë. Këta të rinj ndihen krenarë që janë italianë dhe duhet të jenë pjesë e komunitetit kombëtar sepse tashmë ky koncept është multietnik dhe multikulturor”.

Në të vërtetë, teksti bazë i reformës nga i cili nis diskutimi në parlament është ai i paraqituri nga deputetja e Popullit të Lirive Isabella Bertolini, që e bën edhe më të vështirë marrjen e shtetësisë. Qendra e majtë dhe deputetë të PdL-s më pranë linjës së Finit kërkojnë reduktimin e kohës së nevojshme për shtetësinë për të rriturit, dhe dhënien e menjëhershme brezave të dytë. Por me fitoren e arritur në zgjedhjet krahinore, fjala e Legës do të ketë edhe më shumë peshë, ndaj është shumë e mundur që të kalojnë shtrëngimet dhe asnjë nga lehtësimet që kërkojnë opozita dhe elemente finiane të shumicës.

“Teksti i Bertolinit përkeqëson edhe më (që nuk ishte aspak e lehtë!) ligjin aktual për marrjen e shtetësisë. Përveç qëndrimit të marrë nga Fini, nevojitet marrje e mirëfilltë përgjegjësie me akte parlamentare koherente” komenton Jean Leonard Touadi, deputet i PD-së.
Sipas tij “nëse Fini dhe ata që e mendojnë si ai i bashkohen opozitës për t’u njohur shtetësinë kujt lind në Itali duhet të sfidojnë Legën dhe të çojnë të gjithë PdL-n drejt afirmimit të të drejtave themelore të fëmijëve, që padrejtësisht quajmë emigrantë”.

Erion Kadilli: “Jam rritur në Itali por ndihem shqiptar”

Haki Doku: “S’ka më bukur se të jesh i pavarur”