Në kategorinë e të rinjve edhe Ermal Meta, emër tashmë i njohur i panoramës së muzikës së lehtë italiane
Ermal Meta do të jetë sërish në Sanremo, si një prej 8 të rinjve të përzgjedhur. Këtë radhë do të ngjitet në skenë vetëm me këngën e krijuar dhe të kënduar prej tij “Odio le favole”. Jo si në vitin 2010 kur në festivalin e muzikës së lehtë italiane mori pjesë bashkë me grupin e tij “La fame di Camilla” me këngën “Buio e Luce”. As si në Sanremo 2013 kur në skenë u ngjit virtualisht, si autor i këngës “Non so ballare” (Nuk di të kërcej) që u këndua nga Annalisa Scarrone në kategorinë e kampioneve apo shkurtin e shkuar kur ishte i pranishëm si autor i “Straordinario”, kënga e kënduar nga Chiara.
Pas tre albumesh e shumë koncertesh me grupin e tij La fame di Camilla, vitet e fundit Ermali i është përkushtuar karrierës së kantautorit. Edhe pse vetëm 34 vjeç, gjatë viteve të fundit ka kompozuar këngë edhe për një sërë artistësh mjaft të njohur si Marco Mengoni, Francesco Renga, Emma Marrone, Annalisa Scarrone, Chiara Galiazzo, Patty Pravo (me të cilën edhe këndon “Non mi interessa”), Clementino, Francesco Sarcina, Lorenzo Fragola, Fedez.
Në pritje të festivalit që do të mbahet nga 9 deri në 13 shkurt 2016, në videon e mëposhtme mund të ndiqni Ermal Metën në interpretimin e “Odio le favole” (Urrej përrallat):