Sipas “Euobserver”, Komisioni Europian ende nuk ka prezantuar një raport në lidhje me plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Për Shqipërinë, në veçanti, lëvizja pa viza në BE që në verën e këtij viti është thuajse pamundur
Premtimi i qeverisë shqiptare për qytetarët se ata do të jenë në gjendje të lëvizin pa viza nga kjo verë zor se mund të mbahet. Madje, sa për plotësim kriteresh, Bosnja ka shumë me tepër shanse se Shqipëria për liberalizim.
Këtë pohon “Euobserver”, me një artikull të Augustin Palokajt, sipas të cilit, Komisioni Europian ende nuk ka paraqitur raportin në lidhje me plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.
“Sipas burimeve të BE-së, raporti i komisionit do të hartohet gjatë këtij muaji dhe një rekomandim i mundshme i tij nuk do të paraqitet para muajit qershor”- shkruan “Euobserver”, duke shtuar se qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjes kanë nevojë për vizë për të vizituar vendet në zonën Shengen, ndërkohë që BE vitin e kaluar hoqi vizat për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Kosova nuk është përfshirë në këtë proces.
“Sipas Traktatit të Lisbonës të BE-së, miratimi nga Parlamenti Europian është i nevojshëm edhe për të hequr regjimin e vizave për të dy vendet e Ballkanit. PE është i prirur në mënyrë të qartë për ta bërë këtë, por do të duhet të paktën dy muaj për të ndërmarrë hapat e nevojshëm zyrtar.
Në fund të i takon vendeve anëtare të BE-së të marrin vendimin final”- citon “Euobserver”.
Diplomatët e BE presin që ekspertët e komisionit në raportin e tyre të prillit të konfirmojnë se Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë progres drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara për liberalizimin e vizave. “Referuar burimeve, Bosnja ndodhet në një pozitë më të mirë se sa Shqipëria. Për liberalizimin ne i përmbahemi meritave dhe përparimeve individuale dhe në këtë rast përparime ka Bosnja, pra shanset janë për Bosnjën dhe jo Shqipërinë”- citohet një diplomat i BE-së.
Sakaq, situata politike në Shqipëri, me opozitën e cila refuzon të plotësojë vendet e saj në Parlament, mund të ketë pasoja në marrëdhëniet me Bashkimin Europian.
“Ne nuk duam që qytetarët shqiptarë të bëhen viktimë e politikanëve të tyre dhe do të dëshironim heqjen e regjimit të vizave sa më shpejt të jetë e mundur. Por nëse kriteret nuk janë përmbushur, ne kemi frikë se disa vende anëtare të Bashkimit Europian nuk do të binden dhe se do të dojë kohë derisa vendimi të merret”, paralajmëron zyrtari i Bashkimit Europian.