in

Europa, një kërcënim me ndëshkim kolektiv për shqiptarët

Nga Andrea Stefani, Shqip

Në një shkrim të botuar sot në të përditshmen shqiptare Shqip, Andrea Stefani analizon rrezikun e rivendosjes së vizave për lëvizjen e shqiptarëve në Scengen, për shkak të abuzimeve. Dhe e bën përmes  një paralelizmi me ndalimin e  lëvizjes së lirë të imponuar gjatë regjimit komunist, kur lëvizja e lirë e shqiptarëve “sakrifikohej ‘për të mirën e socializmit dhe të popullit’”.

“Politika që projekton të ndjekë Bashkimi Europian ndaj lirisë së lëvizjes nuk ndryshon shumë nga ajo e ndjekur prej diktaturës së proletariatit të Enver Hoxhës” shkruan Stefani. Që më pas bën krahasimet “Diktatura komuniste u shqetësua shumë kur vuri re se mes shqiptarëve fshihej një tendencë e fuqishme për t’u larguar drejt botës së lirë, drejt Europës. Ndaj, për ta penguar këtë proces arratisjeje nga “parajsa” e diktaturës, regjimi komunist e rrethoi shtetin me tela gjembaçë duke e shndërruar në burg për të gjithë shqiptarët. Logjika e kësaj politike ishte: Meqenëse disa duan të arratisen nga Shqipëria për në Europë, atëherë të gjithë shqiptarëve ju hiqet e drejta dhe liria për të udhëtuar në Europë. Ndëshkimi qe haptazi kolektiv. Cili është thelbi i politikave që paralajmëron Bashkimi Europian lidhur me lirinë e lëvizjes, të paralajmëruar së fundi edhe nga ambasadori i KE në Tiranë, Ettore Sequi? As më shumë dhe as më pak, por ndëshkim kolektiv i shqiptarëve, privim i lëvizjes së lirë të tyre vetëm dhe vetëm se disa shqiptarë (nuk thuhet ende se sa) kanë kërkuar azil në vende të ndryshme të zonës Shengen”.

Stefani arrin në përfundimin se “rivendosja e vizave që projekton të ndërmarrë politika europiane, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, është jo vetëm e gabuar, por edhe mjaft e dëmshme për proceset integruese me BE-në. Mbi të gjitha, ajo do të shërbejë negativisht duke ngritur sentimente antieuropiane në masat e njerëzve në këtë rajon, një objektiv jo vetëm i lakmuar, por edhe i tentuar nga forca qytetërimesh jo euroatlantike”.

Sipas tij, “kërcënimi për kalim në ndëshkimin kolektiv të shqiptarëve dhe kujtdo tjetër, shpreh dobësinë e strukturave shtetërore dhe ndërshtetërore të BE-së për të zbatuar ligjin dhe të drejtën në çdo rast të veçantë. Sepse tashmë dihet që ekzistojnë rregulla të vendosura për lirinë e lëvizjes dhe penalitete për çdo individ që shkel këto rregulla”.

Sa për rivendosjen 6 mujore të regjimit të vizave, si ndëshkim për abuzimin nga disa me liberalizimin, autori shpreh të tjera dyshime: “Thonë se vizat mund të rivendosen vetëm për 6 muaj dhe pastaj të hiqen prapë? Po kush jep garanci për këtë? Pastaj, sa mundësi reale ka që në 6 muaj të zhbëhen të gjithë ata faktorë që nxisin disa shqiptarë për të kërkuar azil?”

Sipas Stefanit, burokracia e BE-së shqiptarëve po u duket si burokracia e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. “Ka vite që kjo kompani, në pamundësi për të vjelë energjinë tek të gjitha familjet, ka rritur drastikisht faturimin e energjisë për familjet që janë pagues të rregullt të energjisë. Madje, në raste dhe zona të caktuara, nuk ka munguar të zbatojë ndëshkime kolektive me prerje të energjisë, pa marrë parasysh se janë ndëshkuar me terr edhe pagues të rregullt të energjisë”.

Si mund të zgjidhet problemi. Zgjidhja, sipas Stefanit, mund të vijë vetëm nga zbatimi dhe fuqizimi i të drejtës edhe në këtë rrafsh. Autoritetet e shteteve të zonës ‘Shengen’ duhet që rast pas rasti, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, të ndjekin të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me azilkërkuesit për shkaqe të gjakmarrjes. Të ndajnë rastet false nga ato tragjikisht të vërteta. Falsifikatorët të ekstradohen në Shqipëri duke u penalizuar për shkeljen, ndërsa për ata që kërkojnë azil të dëshpëruar për gjendjen pa shpresë në shtetin e tyre, një gjendje që ofron ose mbyllje përjetë mes katër mureve ose vdekje, të zbatohen ligjet që mbrojnë njeriun dhe lirinë e tij. Ndërkaq, duhet të fuqizohen politikat bashkëpunuese që Shqipëria të shndërrohet realisht në një shtet ku njerëzit ndihen të lirë dhe të sigurt në jetët e tyre, në një shtet që nuk shtyn të arratisesh për shpëtim në një tjetër shtet si këtu e 20 vjet më parë”.

Lexo të plotë: EUROPA, NJË KËRCËNIM ME NDËSHKIM KOLEKTIV PËR SHQIPTARËT

Lexo edhe: Janë 971 shqiptarët që kanë kërkuar strehim në Belgjikë nga fillimi i vitit

26 nëntor, 99 vjet nga ngritja e flamurit në Tiranë

Sabato. Gli albanesi di Macerata festeggiano l’anniversario della Indipendenza