in

Eurostat: 17.665 shqiptarë kanë kërkuar azil në BE gjatë tremujorit të dytë 2015

Ndër azilkërkuesit në BE, shqiptarët renditen të tretët, menjëherë pas sirianëve dhe afganëve. Të dhënat duhet të ishin alarmuese për Shqipërinë, por duket se kush qeveris vendin nuk po shqetësohet shumë nga ky problem

Romë, 24 shtator 2015 – Shqiptarët po lënë në masë vendin e po kërkojnë azil në BE, kryesisht në Gjermani. E kanë shprehur shpeshherë këtë shqetësim vende të veçanta evropiane, si Gjermania e Finlanda, e thotë së fundi edhe raporti Eurostat mbi azilkërkuesit në BE gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Sipas zyrës së statistikave të BE-së, nga 213.200 personat që nga 1 prilli deri në 30 qershor kanë kërkuar azil  në një vend të Bashkimit Evropian, 8% ose 17.665 vetë vijnë nga Shqipëria. Përbëjnë grupin më të madh të azilkërkuesve nga rajoni, duke lënë pas kosovarët (përbëjnë 5% të të gjithë azilkërkuesve) dhe serbët (2%), dhe duke u renditur të tretët, menjëherë pas sirianëve (43.995 ose 21% e të gjithë azilkërkuesve në BE) dhe afganëve (26.995 ose 13%). Për të kuptuar edhe më mirë shifrën, mjafton të mbajmë parasysh se është më e lartë se ajo e azilkërkuesve shqiptarë gjatë gjithë 2014-tës në BE. Në fakt, gjithnjë sipas Eurostat-it, numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil politik në vendet e BE-së në vitin 2014 ishte 16.805).

Ajo që bie në sy është se thuajse 90% e azilkërkuesve nga Shqipëria, ose 15.445 prej tyre, azilin e kërkojnë në Gjermani, vend ku renditen të dytët, menjëherë pas sirianëve (16.335 azilkërkues) duke lënë pas kosovarët (7.475).

Shifrat e Eurostat-it flasin vetëm për azilkërkuesit në BE. Por veç tyre ka edhe shumë e shumë të tjerë që largohen nga Shqipëria. Si ata që vijnë në Itali, për shembull, gjejnë një punë në të zezë e shpresojnë të pajisen me dokument qëndrimi falë një sanatoreje të mundshme apo bashkëjetesës me vëllanë apo motrën që ndërkohë kanë marrë shtetësinë. Askush nuk di të thotë me saktësi sa janë, por pyetjet e përditshme që i drejtohen redaksisë sonë nga persona me qëndrim të parregullt në Itali që duan të dinë mbi mundësinë e pajisjes me dokumente, lënë të kuptohet që shifrat nuk janë të vogla.

Për një vend të vogël si Shqipëria, me përqindjen më të lartë në Evropë të shtetasve të vet që jetojnë jashtë, ky fluks i ri në rritje njerëzish që kërkojnë strehim në BE, është një plagë që kujtonim disi të mbyllur. Ajo duhet të përbënte një shqetësim madhor për klasën politike, dhe veçanërisht  për qeverinë e mazhorancën në fuqi. Nuk duket se është kështu. Veç forcimit të kontrolleve në kufi për personat që përfitojnë nga qarkullimi pa viza në Schengen, kërcënimeve se kush shkel regullat vë në rrezik liberalizimin e vizave, apo deklaratave se azilkërkuesit janë në të vërtetë shqiptarë emigrantë në Greqi, nuk po analizohen seriozisht shkaqet e largimit në masë dhe as po ndërmerren masa konkrete për të mbajtur shqiptarët në atdhe.

Siç u shpreh pak kohë më parë edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Hoffmann, njerëzit kanë nevojë për shpresë, për të qenë të punësuar, për të besuar në një të ardhme të sigurt. Nëse këto nevoja nuk përmbushen, nëse e ardhmja shihet sterrë, nuk mbetet tjetër veç të kërkohet tjetërkund diçka më e mirë. Me çdo kusht.

K.B. /Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Rruga e vështirë e reformës së shtetësisë italiane. Paraqiten 240 amendamente

Pensionet e emigrantëve. Marrëveshje Gjermani-Shqipëri për njohjen e viteve të punës