in

Familja shtohet me një foshnjë? Huaja rëndon më pak

Deri në pesë mijë euro me normë interesi të ulët falë Fondit Nuovi Nati. Për italiane e të huaj, garanton shteti

Mbërritja e një fëmije është një gëzim i pamasë por sjell edhe një sërë shqetësimesh, veçanërisht kur nënë e baba nuk janë në gjendje të mirë ekonomike. Qumësht, pelena, karrocë e djep janë vetëm disa nga zërat që i shtohen bilancit familjar.

Kush ka nevojë për një ndihmë, këtë vit ka edhe një mundësi më shumë: të kërkojë deri në 5 mijë euro hua në kushte të lehtësuara. Risia vjen falë “Fondo di kredito për i nuovi nati”, i ngritur pranë Departamentit për politikat e Familjes, që u lejon bankave t’u japin para prindërve të rinj pa rrezikuar shumë. Në fakt është shteti që u garanton bankave që, nëse huaja nuk kthehet, t’u rimbursojë deri në 50% të shumës.

Të qetësuara nga kjo “parashutë”, bankat që mbështesin iniciativën aplikojnë një normë interesi të paktën të përgjysmuar kundrejt mesatares huave personale. Në qershor, për shembull, kur norma mesatare e interesit ishte 94%, për huat për “të lindurit e rinj” bankat aplikonin një normë maksimale prej 5,97%. Një hua prej 5 mijë eurosh mund të kthehet në pesë vjet duke paguar 60 këste nga 96,23 euro, ndërsa një hua prej një mijë euro shlyhet me 60 këste nga 19,25 euro. Natyrisht, kush nuk kthen mbrapsht paratë duhet të japë llogari, qoftë bankës e qoftë shtëtit, kështu që do t’i nënshtrohet të gjitha procedurave të parashikuara në këto raste.

Baballarët e nënat e reja, italianë apo të huaj qofshin, pavarësisht nga të ardhurat e tyre, mund të kërkojnë këtë tip huaje për çdo fëmijë të lindur apo të adoptuar në vitin 2009 apo në vitin 2010. Kërkesa duhet paraqitur në bankë brenda 30 shtatorit nëse fëmija ka lindur vitin e shkuar, dhe brenda 30 qershorit 2011 nëse lind këtë vit.

Nëse fëmija ka një sëmundje të rrallë lehtësimet shtohen: norma e interesit e aplikuar nga banka është edhe më e ulët, dhe kërkesa mund të paraqitet deri në 31 dhjetor 2011. Nëse sëmundja shfaqet pasi është kërkuar huaja, mundtë paraqitet një kërkesë tjetër për të llogaritur sërish interesat.

Fjala e fundit, sidoqoftë u takon bankave, që me gjithë garancitë e shtetit mund edhe të mos pranojnë dhënien e huas nëse ka arsye të forta të dyshojë në kthimin e shumës. Lista e bankave që mbështesin iniciativën është aq e gjatë, sa nuk duhet të jetë e vështirë të gjesh një tjetër të gatshme për të ofruar huan.

Për të mësuar më shumë mjafton të lidhesh me faqet internet www.fondonuovinati.it, ku shpjegohen në detaje rregullat dhe kushtet, si dhe jepet lista e  bankave me kushtet që secila ofron për huan. Është gjithashtu aktiv edhe numri i gjelbër 803.164, që përgjigjet në tetë gjuhë.

Elvio Pasca

 

 

E drejta e pensionit

Flukset: u hapet rruga 1.400 atletëve jokomunitarë