Gjatë manifestimit të djeshëm në kujtim të katër viktimave të 21 janarit, Edi Rama: “Shqipëria nuk është vetëm në rrugën e saj të mundimshme për t’u bashkuar me botën demokratike”
Tiranë, 22 janar 2012 – U zhvillua i qetë të shtunën manifestimi homazh i organizuar nga opozita, në nderim të katër viktimave që humbën jetën në protestat e dhunshme të 21 janarit 2011. Të kryesuar nga familjarë të Ziver Veizit, Aleks Nikës, Faik Myrtajt e Hekuran Dedës, deputetë të opozitës, qytetarë të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit kanë marshuar të heshtur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, si dhe u ndalën e bënë homazhe në vendin ku u vranë katër protesuesit, vendosën lule para portreteve të mëdha të katër viktimave të demonstratës të 21 janarit të vendosura përballë selisë së Kryeministrisë.
Familjarët e viktimave të 21 janarit kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes së një viti më parë dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjeve. Në një aktivitet përkujtimor të mbajtur pas kortezhit në Akademinë e Arteve me titullin “Drejtësi për 21 janarin”, familjarët e Aleks Nikës, Hekuran Dedajt, Ziver Veizit e Faik Myrtajt kanë kujtuar humbjen e njerëzve të dashur dhe dhimbjen që pasoi.
“Kam dëgjuar kryeministrin të tregojë me gisht të vrarët dhe jo vrasësit. Cilin ligj shkeli Aleksi? Cilin popull dhunoi Aleksi? Nuk kemi akoma një përgjigje nga drejtësia. Ne do të kërkojmë sa të kemi frymë shpagim në drejtësi”, tha bashkëshortja e Aleks Nikës.
“Më 21 janar jeta ime mori fund. Sali Berisha më vrau burrin, më vrau për së dyti kur fliste në televizor për të dhe 3 të tjerët. Më vrau djalin që nuk e pranoi dot humbjen e të atit. Gardistët që hapën zjarr mbi njerëzit e pafajshëm janë të lirë, kur unë dhe familja ime jetojmë në mes të skamjes dhe të dhimbjes. Unë nuk kam mundësi as fuqi, ndaj kërkoj të vihet drejtësia në vend për të 5 dëshmorët e demokracisë”, tha mes lotësh bashkëshortja e Faik Myrtajt.
“Edhe pse ka kaluar një vit, ende nuk kam dëgjuar të jenë arrestuar ata që vranë Ziver Veizin me duar në xhepa. Ai ishte një burrë hallexhi, baba i dy fëmijëve. Dikush dha urdhër që gardisti të vriste njerëz të pafajshëm. Ai njeri duhet të dënohet. I kërkoj drejtësisë të gjejë fajtorët, pasi shpirti i Ziver Veizit dhe katër të tjerëve nuk do të gjejë kurrë paqe pa u bërë drejtësi”, tha një mik i Ziver Veizit.
“Ne nuk jemi vetëm në kërkimin e drejtësisë për ngjarjen e 21 janarit”, tha të shtunën Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në protestën homazh për viktimat e 21 janarit 2011.
Sipas tij, “drejtësinë e kërkon Shqipëria, por e kërkon me zë gjithmonë e më të lartë edhe bota demokratike, e kërkojnë miqtë e partnerët e pazëvendësueshëm të popullit shqiptarë në rrugën e ndarjes me të shkuarën”.
“Më të parët ndër ta, miqtë e mëdhenj amerikanë, për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit nuk janë mjaftuar me fjalë, por kanë angazhuar agjencinë më të fuqishme hetimore të botës, FBI-në për hetimin e saj. Pa SHBA-në në krah, shqiptarët nuk do të kishin bërë shumë prej arritjeve historike të këtij 20 vjeçari, pa mbështetjen e SHBA-së edhe për hetimin e 21 janarit, Shqipëria nuk do të mund të shihte asnjë shpresë për këtë ngjarje”, tha Rama.
Ai theksoi se FBI, falë edhe këmbënguljes së mikut të madh të shqiptarëve, Aleksandër Arvizu vuri të gjithë profesionalizmin e saj të lartë në shërbim të gjetjes së autorëve të kësaj ngjarje.
Kryesocialisti shprehu bindjen se falë miqve të mëdhenj amerikanë, 21 janari i ardhshëm nuk do ta gjejë Shqipërinë kaq të trazuar sa sot për mungesën e drejtësisë për 21 janarin e shkuar, sepse provat e pakundërshtueshme të ekspertizës së lartë të Byrosë Federale Investigative do të hedhin dritën mbi këtë ngjarje.
“Mirënjohje dhe respekt për SHBA-në që po na tregon se rruga e demokracisë, lirive dhe të drejtave mund të mos jetë e lehtë kur kërkohet paqësisht, por vetëm paqësisht mund të ndërtohet mbi themele të qëndrueshme.
Lajmi çlirues që ambasadori amerikan u dha shqiptarëve për angazhimin e FBI-së u ka dhënë familjarëve të viktimave besimin se do të kenë përsëri dinjitetin e vjedhur me përdhunë”, tha ai.
Kjo e sotmja, tha Rama, “është një ditë shprese dhe si të tillë duhet ta jetojmë të gjithë së bashku, sepse Shqipëria nuk është vetëm në rrugën e saj të mundimshme për t’u bashkuar me botën demokratike”.