in

Fanfara Tirana fiton dy çmime të Independent Music Awards

Kabatronics, albumi që Fanfara Tirana ka realizuar me grupin etno-techno Transglobal Underground me qendër në Londër, ka fituar dy nga çmimet e edicionit XIII të IMA-Independent Music Awards: i gjithë albumi fiton “Best World Beat Album” – Albumi i muzikës beat më i mirë në botë; No Guns To The Wedding fiton çmimin “Best Short Form Music Video”- Forma e shkurtër më e mirë e një videoklipi

 

Romë, 10 qershor 2014 – Pas turneut të suksesshëm evropian të Fanfarës Tirana dhe grupit anglez etno-techno Transglobal Underground me albumin e tyre Kabatronics, mbërrin për këtë të fundit edhe një vlerësim i lartë ndërkombëtar. Më 3 qershor Kabatronics ka marrë dy Çmime të Muzikës së Pavarur – IMA, Independent Music Awards, që vlerëson muzikën e mbarë botës që nuk prodhohet nga shtëpitë e mëdha diskografike.

E mes albumeve nga 80 vende të ndryshme të gjashtë kontinenteve, Kabatronics fiton “Best World Beat Album” – Albumi i muzikës beat më i mirë në botë; ndërsa njëra prej këngëve të tij, No Guns To The Wedding fiton çmimin “Best Short Form Music Video”- Forma e shkurtër më e mirë e një videoklipi. Me këto çmime, shënohet hera e parë që një grup shqiptar arrin majat më të larta të vlerësimit ndërkombëtar.

Kabatronics

Fanfara Tirana, pjesë e Bandës Frymore të Ushtrisë, bashkë më ikonën e folkut shqiptar, Mjeshtrin e Madh Të Arteve, Hysni Zela, sot ka një histori të pasur dhe prestigj të njohur në arenën e muzikës botërore. E lindur si për shaka, falë muzikës së mrekullueshme dhe një menaxheri të ri, të aftë e mendjehapur, Olsi Sulejmani, është projektuar drejt të ardhmes, duke njohur botën me një pjesë të kulturës thellësisht shqiptare. Përmes tingujve të tunxhtë e isos, ka arritur të përçojë nëpër sheshet evropiane muzikën më të mirë shqiptare e madje të elektrizojë turmat që e perceptojnë atë si një risi, jo vetëm në sferën e përgjithshme muzikore por edhe në vetë llojin e muzikës etnike. Sot Fanfara Tirana me këngëtarin Hysni Zela mund të konsiderohet pa frikë i vetmi projekt muzikor shqiptar që eksportohet me sukses në skenat më prestigjioze të Europës.

Në shkurt 2013, del albumi i vlerësuar së fundi me çmimet IMA. Quhet Kabatronics dhe është fryt i bashkëpunimit të Fanfarës Tirana me Transglobal Underground (TGU) të Londrës, grup etno-techno i specializuar në shkrirjen e stileve muzikore perëndimore, lindore e afrikane. Albumi përmban 14 këngë, 14 “takime të përkryera” mes Kabasë dhe Reggae-s, mes tunxheve dhe elektronikës, mes polifonisë e tingujve të sitarit, zërit ikonë të folkut shqiptar Hysni Zela dhe zërit të zi të Tuup. Folklori shqiptar apo ballkanik përbën bazën e diskut. Është kabaja, e qara e klarinetës, blues-i e jazz-i ynë antik ballkanik rreth të cilës ndërhyn me delikatesë, respekt e ndrojtje Transglobal Underground të Londrës. Rezultati: një muzikë që mund të konsiderohet zhanër më vete dhe që të lë gojëhapur.

Albumi, “martesë” e shkëlqyer mes antikes ballkanike dhe alkimive moderne elektronike të Londrës, është prodhuar në nivelin më të mirë të mundshëm që nuk ka ç’t’u ketë zili produksioneve të etiketave të mëdha muzikore. Suksesi i turneut evropian të Fanfarës Tirana e TGU dhe dy çmimet e dhëna nga juria e IMA-s me emra shumë të njohur te muzikës dhe industrise muzikore, është dëshmia më e mirë e vlerës së lartë të albumit.

Kush të mundet le të ndjekë live Fanfarën Tirana dhe Transglobal Underground, më 27 korrik në portin e La Spezia-s ku do të japin koncert bashkë me Natasha Atlas (Egjipt) dhe Baba Zula (Turqi).

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:
Kabatronics, Fanfara Tirana takon Transglobal Underground

videoklipi i “No Guns To The Wedding” që fiton çmimin “Best Short Form Music Video”

 

L’inno antirazzista di Checco Zalone per Brasile 2014: “La banana? Non la mangio!”

Miss Mondo Italia. Tra le finaliste Chrisolythe Songo, si scatenano i razzisti