in

Fatos Nano, presidenti i ardhshëm i Shqipërisë?

Ish kryetari i PS-së, Fatos Nano deklaron se po kërkon partnerë nga të dyja krahët politikë duke lënë të kuptohet se synon për postin e presidentit të Shqipërisë

Tiranë, 12 dhjetor 2011 – Në një intervistë për Top Channel nga Londra, ku ndodhet me ftesë të Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës për të folur për Shqipërinë, Nano e cilëson të domosdoshme që të gjithë, duhet të ndihmojnë Shqipërinë të paraqitet, të njihet, të gjejë sa më shumë partnerë në një çast kyç të rrugës së saj drejt Evropës së Bashkuar, kur edhe kjo ka problemet e saj. Ish kryetari i PS, komenton më tej edhe zhvillimet politike në Shqipëri. Ai flet për mos marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, rolin e qeverisë dhe opozitës në këtë proces, si dhe për marrëdhëniet e tij me PS-në dhe Edi Ramën.

Pyetjes nëse tërheqja e tij kohë e fundit nga politika aktive është thjesht një parapërgatitje për një hap tjetër më të madh, ish lideri historik i së majtës i shmanget duke thënë “është e lehtë të jesh i pranishëm në konfliktet e politikës shqiptare. Është e vështirë të tërhiqesh në distancën e duhur për të nxitur palët në konflikt, që të qetësohen, të gjejnë dhe rivendosin urat e komunikimit. Unë jam në Londër me ftesë të Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës (London School of Economics, LSE) për të folur për Shqipërinë, për të paraqitur vendin tim. Është e dobishme që të gjithë, të tërhequr ose jo, ta ndihmojnë Shqipërinë të prezantohet dhe të bëhet tërheqëse”.

Pyetjes së drejtpërdrejtë nëse kujdesi, balancimi i tij në të folur ka si synim kandidimin për postin e Presidentit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Fatos Nano përgjigjet: “unë dhe oferta që ju shprehët, jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësira bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen evropiane, për të bërë të kundërtën e asaj që ka ndodhur për fat të keq, dy vitet e fundit, kur dhe kampet e majta dhe të djathta të Parlamentit Evropian, nisen të mbrojnë lojtarët, anëtarët përkatës të familjeve në debatin dhe konfliktin që solli ngërçin e njohur, që bllokoi dy herë rresht kërkesën e Shqipërisë, për t’u futur në rrugën e anëtarësimit të plotë”.

Nano deklaroi se “jam shumë i vëmendshëm, për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshme prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar agjendën kombëtare të integrimit”.

Ndërsa i pyetur se kush ka më shumë faje për mos marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, ish kreu i PS-së thotë se tashmë jemi shumë vonë për të gjetur fajin. “Besoj se secila palë e di përgjegjësinë e saj, dhe unë jam i bindur që asnjëra nga palët, nuk mund ta kryejë vetëm detyrën kombëtare të integrimit”.

Sipas tij, ky nuk mund të jetë një terren konkurrimi negativ. “Pra, të dyja palët kanë potencialet, eksperiencën, përfaqësuesit e duhur dhe të pazëvendësueshëm. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Pak a shumë, elektorati është i ndarë përgjysmë, dhe Shqipëria nuk mund të hyjë me gjysma, as fal apo për faj të gjysmës së saj në Europë. Duhet të gjithë të vendosin duart, në formën që edhe fëmijët mbajnë njëri-tjetrin, që Shqipëria të mos humbë, në mjedisin e ngarkuar më shumë probleme që edhe ka edhe Bashkimi Evropian sot”, nënvizon Nano.

Lidhur me marrëdhëniet e tij me PS-në e veçanërisht me Edi Ramën, Nano thotë se “nuk bëhet fjalë për një reagim personal, ndaj një investimi shumëvjeçar që është i pranishëm në reformimin dhe në sjelljen e së majtës në qeverisjen me rekordet përkatëse dhe në aftësitë konkurruese, që ajo ka shfaqur në politikën shqiptare”.

“Jordan Misja” feston 65-vjetorin me koncert jubilar

Pistoia nderon Nikolin Gjeloshin me çmimin më të lartë qytetar