in

“Jordan Misja” feston 65-vjetorin me koncert jubilar

Shkolla Artistike “Jordan Misja” ka festuar të shtunën në mbrëmje 65-vjetorin e themelimit të saj, në një koncert jubilar të konceptuar si një ndërthurje brezash. Mes pjesëmarrësve, edhe Anyla Kraja, violiniste që jeton në Itali, por që mësimet e para i ka marrë pikërisht në bankat e kësaj shkolle

Tiranë, 12 dhjetor 2011 – Në skenën e Teatrit Kombëtare të Operës dhe Baletit, studentët e rinj të shkollës artistike “Jordan Misja”, si dhe artistë të tjerë që kanë dalë nga bankat e saj, interpretuan në një program me këngë klasike të kompozitorëve të huaj, nën udhëheqjen artistike të nëndrejtoreshës së kësaj shkolle, Klodi Zheji.

Koncerti u prezantua nga një ish-nxënës i kësaj shkolle, Ardit Gjebrea, ndërkohë që pjesë e programit ishin interpretimet e Anyla Krajës, Fatma Spahiut, Diana Ziut, Shpëtim Kushtës, Nora Çashkut, Eno Koços, etj.       

Violinistja Anyla Kraja, e cila prej vitit 1994 jeton dhe zhvillon karrierën e saj në Itali, u shpreh se vitet e studimit në shkollën “Jordan Misja”, i kujton si kohën më të bukur të jetës së saj, gjatë të cilës ka investuar shumë për të arritur rezultatet e sotme. “Të gjitha të dielat të kaluara brenda mureve të shkollës duke studiuar, me imazhin për të ndërtuar të ardhmen tonë. Edhe pse muret ishin shumë  të larta, imagjinata e një të riu i kalonte”, tha Kraja.  

Baza e formimit për Krajën është në shkollën “Jordan Misja”, një shkollë që sipas saj është shumë e fortë teknikisht, por që ka mangësi nga ana e interpretimit.

Megjithatë, për të e ardhmja është tek brezi i ri i studentëve të kësaj shkolle. “Brezin e sotëm e shikoj me dëshirën që të ketë seriozitet dhe dëshirë për të bërë diçka për të investuar për jetën”, tha Anyla Kraja.  

Violinistja, që ka një aktivitet të pasur si soliste jo vetëm në Itali e Shqipëri, por edhe në Francë, Belgjikë, Kosovë, Spanjë, Greqi, Poloni, ShBA e Kanada, është testimonial e FAO-s, organizatës botërore për ushqimin dhe Bujqësinë e OKB-së, dhe mbështet projektet e organizatës kundër urisë me koncertet e saj të solidaritetit.

Anyla Kraja interpretoi në koncert një duet me pianisten Fatma Spahiu, ish-studente e “Jordan Misjes”, aktualisht pedagoge në Akademinë e Arteve.

Koncerti i i madh jubilar i të shtunës, që bashkoi artistë të rinj e të vjetër, për të treguar vazhdimësinë e shkollës artistike, ishte kulmi i një sërë aktivitetesh që shkolla “Jordan Misja” organizoi për 65 vjetorin e themelimit të saj. Koncerti mblodhi në sallën e TKOB- artistë të brezave të ndryshëm për të festuar themelimin e shkollës në të cilën kanë marrë leksionet e para artistë në njohur në vend e në botë.  

Liceu Artistik u themelua në nëntor të vitit 1946, në godinën ku sot ndodhet Universiteti i Arteve. Fillimisht, në Liceun Artistik  mësonin vetëm 30 nxënës dhe nga këto banka kanë dalë emra të njohur si: Nikolla Zoraqi, Nihal Gabeci, Afërdita Tartari, Eli Kacidhja, Nora Nace, Ksenofon Dilo etj.

Shkodër. Panair i Krishtlindjeve në konsullatën italiane

Fatos Nano, presidenti i ardhshëm i Shqipërisë?