Një pasdite me fëmijët e shkollës shqipe Scanderbeg në Parma
Me rastin e 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës shkolla shqipe “Scanderbeg Parma” organizoi të dielën një pasdite tematike në formën e një mësimi të hapur.
Nxënësit kishin të gjithë plisat e bardhë në kokë si simbol i shqiptarëve.
Pasditja nisi me këndimin e himnit kombëtar shqiptar nën drejtimin e mësueses Elvira Lashi. Nxënësit iu përgjigjen pyetjeve mbi simbolet e kombit, plisin shqiptar, himnin, emrin e lashtë të Kosovës dhe shpalljen e Kosovës së lirë më 17 Shkurt 2008.
Më pas mësuesja e letërsisë shqipe Mimoza Cerri bëri një pasqyrë të shkurtër të rrugëtimit të Republikës së Kosovës nga lashtësia deri në ditët e sotme.
Nxënësit recituan poezi të zgjedhura mbi tematikën nga shkrimtarë kosovarë.
Të ardhur enkas nga Modena, Marin e Samuele Hila, atë e bir, kënduan këngë patriotike. Një moment mjaft i bukur dhe i shumëduartrokitur nga të gjithë të pranishmit.
Pjesa e dytë e mësimit të hapur vijoi me pyetje nga njohuritë e marra deri tani për kombin shqiptar duke u ndalur kryesisht tek Republika e Kosovës në gjuhë, letërsi, histori, gjeografi, simbolet dhe traditat e kombit.
Atmosferën festive e ndezi grupi i valleve “Scanderbeg Danza” nën drejtimin e Spartak Dedjas që me kostumet kombëtare shumëngjyrëshe dhe larminë e valleve emocionuan sallën.
Në fund u shtrua një banket me gatime tipike shqiptare të përgatitura nga prindërit dhe të afërmit e nxënësve të shkollës.