in

Novara. Këngë, valle, video e intervista për të njohur më nga afër komunitetin

Shoqatat Ura e Scanderbeg prezantojnë komunitetin shqiptar në Novara

Një mbrëmje shumë e këndshme ajo që u kalua më 20 shkurt në Novara në takimin e parë të projektit “Ndërkultura, një pasuri për Novarën” i realizuar nga Komuna, shoqata Ri-nascita dhe Fondacioni i Banca Popolare di Novara.

Projekti që ka për qëllim të krijojë mundësi të reja njohjeje dhe shkëmbimi me kulturat e komuniteteve të të huajve që jetojnë në zonë, takimin e parë ia dedikoi komunitetit shqiptar që u realizua me bashkëpunimin e shoqatave Ura të Novarës dhe Scanderbeg të Parmës.

Pas përshëndetjeve institucionale mbrëmja u gjallërua nga muzika e vallet shqiptare të Grupit të Valleve Scanderbeg nën drejtimin e koreografit Spartak Dedja që ngritën në këmbë publikun.

Pas një koktejli me specialitete të kuzhinës shqiptare, u kalua në projektimin e një videoje të realizuar nga gazetarja Valentina Sarmenghi me intervistën e një familjeje italo-shqiptare dhe imazhet e festës së mbajtur më 28 nëntorin e shkuar për festën e Pavarësisë. “përmes rrëfimit të Etlevës, shqiptare, të të shoqit të saj Marco, italian, dhe bijve të tyre – tha gazetarja – desha të tregoj përditshmërinë e komunitetit në qytetin tonë. Kur njërin prej fëmijëve e pyes “si ndihesh ti, shqiptar apo italian? Mu përgjigj “normal”. Jam e bindur që në këtë fjalë qëndron forca e domethënia e integrimit”.

Më pas morën fjalën Enea Canaj kryetar i shoqatës Ura dhe Durim Lika që përshëndeti në emër të shoqatës Scanderbeg Parma. I pari nënvizoi faktin që shqiptarët janë shembull i shkëlqyer bashkëjetese fetare dhe më pas foli për dashurinë e komunitetit për vendin ku jeton: “Ne nuk harrojmë rrënjët tona, por toka ku jetojmë bëhet atdheu ynë”. Ndërsa Durim Lika, edhe pse sot jeton në Parma, ka treguar se ka një lidhje të veçantë me Novarën: “20 vjet më parë në këtë qytet të mrekullueshëm, unë e kryetari i Urës ishim kalandestinë e flinim jashtë, pak metra larg prej ku jemi tani. Historia jonë është ajo e shumë e shumë shqiptarëve të tjerë që sot janë një vlerë e shtuar e këtij vendi të madh të quajtur Itali”.

 

 

 

Fëmijët e Scanderbeg Parma festuan paravësinë e Kosovës

Bolonjë. Përpiqen “të shesin” një vajzë për 30.000 euro, arrestohen