Cilat janë festat kryesore të cilat kremtohen nga arbëreshët e Italisë? A gjejnë ende vend festat pagane në kalendarin e kremtave të tyre? Sa dallon mënyra e festimit nga italianët? I tregon Giovanna Nanci, albanologe në një intervistë dhënë gazetarit Esat Ahmeti të Deutsche Welle. Sipas saj “Italianët e jugut dhe shqiptarët kanë shumë ngjashmëri për sa u përket elementeve etno-psikologjike: në thelb na bashkon temperamenti mesdhetar, që na bën të jemi gazmorë, plot gjallëri dhe pasion, dhe ky karakter del në pah fuqimisht gjatë festave”
Nanci: “Njësoj si zakonat kalabreze dhe italiane, shumica e kremtimeve tek arbëreshet përputhen me kalendarin fetar, pra festat më të rëndësishme ndër arbëreshet janë Krishtlindjet dhe Pashkët. Dhe mënyra sesi festohen ato është shumë e ngjashme, ndërsa tradita arbëreshe dallohet thellësisht nga zakonet kalabreze për kremtimin e të vdekurve dhe për festen e Karnevalit. Pastaj vijnë festa të tjera të përbashkëta me traditën italiane, siç janë festat patronale, siç quhen, kur bëhen ceremoni religjioze dhe aktivitete zbavitëse nëpër katundet, zakonisht gjatë verës, kur shtëpitë e mbyllura gjatë vitit gjallërohen prapë me njerëzit të migruar që kthehen të vizitojnë familjen. Zakonisht vera është stina e preferuar edhe për të organizuar dasmat, të cilat kthehen shpeshherë në festë për të gjithë komunitetin.”
Dita e Verës për shembull është një festë pagane me origjinë të lashtë, ajo është festë arbëreshe e trashëguar kryesisht në jug të Shqipërise dhe festohet me 14 mars. A gjejnë ende vend festat e tilla në kalendarin e kremtave tek arbëreshët?
“Po, ka edhe katunde ku ruhet kjo traditë. Pranvera e arbëreshëve e quajnë, dhe kjo festë krijon një atmosferë shumë të këndshme në katund, sepse grupet folkloristike mblidhen në shesh dhe realizojnë shfaqjet e tyre nëpër rrugët e katundit, me muzikë tradicionale, me vallet, me këngët e vjetra… i gjithë katundi merr pjesë në festimet dhe njerëzit dalin në rrugë dhe shtrojnë para shtëpive sofra të vogla, plot me ushqime tradicionale që ende i përgatisin gratë e katundeve, për t’u ofruar ndonjë gjë për të pirë e për të ngrënë atyre që kalojnë nëpër katund duke vallëzuar dhe duke kënduar, me veshjet e tyre të bukura tradicionale që admirohen nga të gjithë.”
Sa dallon mënyra e festimit të gëzimeve personale e familjare, siç janë p.sh. dasmat nga mënyra e festimit nga italianët apo kanë ngjashmëri më të madhe me mënyrën e festimit në Kosovë apo Shqipëri?
“Sipas përvojës sime, italianët e jugut dhe shqiptarët kanë shumë ngjashmëri për sa u përket elementeve etno-psikologjike: në thelb na bashkon temperamenti mesdhetar, që na bën të jemi gazmorë, plot gjallëri dhe pasion, dhe ky karakter del në pah fuqimisht gjatë festave, kur njerëzit duan të kënaqen me miqtë dhe me familjen, duke ndarë me shoqërinë gëzimet personale dhe familjare. Gjatë festave mbizotëron atmosfera e gjallë dhe e këndshme, muzika dhe vallëzimet, humori dhe shakatë… brezat e ndryshme takohen dhe festojnë bashkë duke mbajtur zakone dhe doke tradicionale por edhe duke sjellë inovacion dhe modernitet.”
Po kur flitet për festat fetare?
Giovanna, ti je njohëse e mirë e të dy kulturave, asaj italiane dhe shqiptare. Po të bëjmë një krahasim me Italianë, sipas mendimit tuaj a janë shqiptaret një komb që i japin rëndësinë e duhur kremtimit të festave?
“Po, unë kam përshtypjen se shqiptarët përfitojnë nga rastet e festave për të kaluar momente të këndshme me familjen, me shoqërinë, me fisin. Shqiptarët u japin rëndësinë kremtimeve të festave sepse këto janë momentet kur ruajtja e disa traditave mban gjallë identitetin e tyre, pasi populli shqiptar është i shpërndarë në kombe të huaja të botës dhe duhet të veprojë çdo ditë kundër asimilimit dhe humbjes së veçorive tradicionale. Kremtimi i disa festave, për shembull, ka luajtur një rol të rëndësishëm tek arbëreshët e Italisë, sepse në këtë mënyrë traditat e lashta që përmendin rrënjët e thella të këtyre njerëzve u transmetojne brezave të reja, duke mbartur me vete elemente gjuhësore, gastronomike, folkloristike dhe kulturore të veçanta që u japin arbëreshëve një vend të posaçëm në mozaikun e identiteteve të ndryshme që bashkohen në trojet tona.”