in

Filmi “Ballkan Pazar” shkakton debate mes kishës dhe artistëve

Priftërinj ortodoksë kanë reaguar ndaj filmit të ri të regjisorit Edmond Budina duke e cilësuar si shpifje. Artistë dhe intelektualë, mbrojnë filmin nga këto ndërhyrje të pavend të Kishës

Romë, 21 qershor 2011 – Filmi i regjisorit, Edmond Budina, “Ballkan Pazar”, që trajton në mënyrë ironike skandalin e zhvarrimeve në fshatin Kosinë të Përmetit, ka ngjallur së fundi reagimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, e cila e ka cilësuar atë si shpifje ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë.

 “Ballkan Pazar” e pati premierën shqiptare në 14 prill, ndërkohë që letra e Kishës Autoqefale, e zbuluar pak ditë më parë, mban datën 26 maj.

 “Ky film është një shpifje e turpshme ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë dhe për pasojë, fyerje e rëndë për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Filmi është në mënyrë ekstreme sarkastik, e duke kaluar çdo cak, i shfaq priftërinjtë si përdhosës varresh, matrapazë eshtrash njerëzore dhe familjet e tyre si imorale”, thuhet në letër.

Regjisori i filmit Edmond Budina, në reagimin e tij në një të përditshme shqiptare, i ka krahasuar fjalët e klerikëve me ato të komisarëve komunistë, ndërkohë që shprehet i kënaqur që ndër 145 firmat e klerikëve nuk ka qenë firma e Hirësisë së Tij, Anastas Janullatos. Kjo sipas Budinës tregon se, ka ditur të distancohet prej faktit që kjo është një vepër arti dhe jo një traktat politik.

“Ju e gjykoni një vepër arti, një film, ashtu sikundër gjykohej në periudhën e regjimit një vepër, propagandë e mirëfilltë”, është shprehur regjisori Budina (artikullin e plotë të tij mund ta lexoni këtu)

Ky debat në lidhje me filmin “Ballkan Pazar” ka përfshirë disa artistë dhe intelektualë. 

Historiani Pëllumb Xhufi flet me tone të ashpra ndaj pretendimeve të klerikëve ortodoksë për filmin “Ballkan Bazar” të Edmond Budinës dhe letrën e Sinodit të Kishës drejtuar institucioneve shqiptare. Xhufi thekson se eshtrat në Kosinë u trazuan si në dyndjet barbare dhe filmi i Budinës duhet ta kishte thënë më fort të vërtetën: Më ra në sy, që teksa shigjeton ironinë dhe sarkazmën e regjisorit Edmond Budina, sinodi i kishës ka ndërtuar një proklamatë të mbushur plot sarkazëm, ironi e fyerje pagane. Si për të vërtetuar pikërisht shqetësimin qytetar të Budinës, sipas të cilit kisha dhe klerikët e çdo niveli e të çdo besimi (jo vetë besimi) nuk është e thënë të jenë shenjtorë, mëkatojnë ndonjëherë edhe ata, si viktimë e pashmangshme e interesave materiale, korrupsionit e akoma më keq e shpërdorimit politik të besimit, që shkon tej misionit kryekëput shpirtëror që institucionet fetare e kleri i tyre duhet të kryejnë. Sepse nuk përbën një mister tashmë, që edhe njerëzit e fesë mëkatojnë, madje edhe rëndë. Dhe për mëkate të tilla, klerikët në vendet e qytetëruara e pësojnë keq, dënohen si keqbërësit e zakonshëm, edhe me burg”.

“Anëtarët e Sinodit, që flasin në emër të “145 klerikëve ortodoksë shqiptarë”, me sa duket janë të vetmit që nuk e dinë se në Kosinë ka ndodhur një nga sakrilegjet më të rënda, që nuk kanë ndodhur as në kohën e dyndjeve barbare. Në shkelje flagrante të ligjit, në mes të ditës, pa leje të autoriteteve shqiptare, pa shoqërim të organeve të specializuara, janë hapur varret e fshatarëve të Kosinës, janë nxjerrë prej andej eshtrat e të parëve të tyre, janë paketuar në kuti metalike të ardhura enkas nga Greqia dhe janë bërë gati për t’u vendosur në varrezat monumentale të ngritura në mënyrë të paligjshme në luginën  e Këlcyrës. Anëtarët e Sinodit duhet ta dinë, se grupi i ekspertëve të mjekësisë ligjore, i thirrur për të përcaktuar identitetin e eshtrave të nxjerra në mënyrë të përzishme nga varret e fshatarëve të Kosinës, dhe që drejtohej nga Prof. Sokrat Meksi, konkludoi se eshtrat në fjalë nuk u përkisnin ushtarëve grekë, por fshatarëve paqësorë të Kosinës, madje në shumicë të tyre u përkisnin pleqve e fëmijëve” vazhdon argumentimin e tij në favor të filmit historiani.

Sipas Xhufit, “Budina nuk mund të kritikohet se rrëfen një ngjarje të gënjeshtërt. Sepse skena të kësaj historie janë ndjekur edhe “live” nga shqiptarët. Ajo që unë do t’i kisha sugjeruar, ka të bëjë me dëshirën time që e vërteta të ishte rrëfyer mundësisht e tëra. Budina merret me priftin Thomollari, sherrxhi e qejfli si ai, por nuk merret me heroin kryesor të kësaj historie, të cilin e njohin të gjithë shqiptarët, dhe që është Hirësia e tij, Anastas Janullatos, kreu aktual i Kishës Ortodokse Autoqefale SHqiptare. Edhe kjo një figurë tragjike e tranzicionit shqiptar. Në një kohë që iu imponua shtetit dhe ortodoksëve shqiptarë si kreu i Kishës Ortodokse shqiptare, Hirësia e tij filloi të fuste hundët në çështje krejtësisht laike dhe të sponsorizonte iniciativa politike antishqiptare, siç ishte edhe kjo e ngritjes së varrezave monumentale të Këlcyrës për ushtarët grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore në tokat shqiptare. Hirësia e tij, duke përfituar nga pozicioni e statusi i tij i uzurpuar në mënyrë antiligjore e antikanonike, ofroi një territor të kishës për të ndërtuar monumentet në fjalë. Deri në atë kohë, si zëdhënës tashmë i njohur i politikave nacionaliste greke ndaj Shqipërisë, z. Janullatos kishte ndërhyrë për vite me radhë pranë autoriteteve shqiptare, qendrore e lokale, civile e ushtarake, për të nxjerrë “lejen” për ndërtimin e këtyre varrezave, të cilat të mbjella gjithandej në gjithë linjën nga Korça në Gjirokastër, do ishin një dëshmi e gjallë që kjo tokë (“Vorio-Epiri”) është një vend i larë me gjakun e heronjve të Helladës, e pra është tokë greke. E thjeshtë, por tragjike!”.

“Në këto kushte, përse qahet Sinodi i Kishës, ç’problem ka me Edmond Budinën, ç’problem ka me qeverinë shqiptare, me qeverinë italiane, që paskan mëkatuar duke financuar një film të tillë, kur personazhet që Budina i skanon me një të qeshur, do të duhej të kishin përfunduar në burg?” vazhdon historiani.

“Në letrën e zëmëruar të Sinodit e të sinodalëve lakohet shumë shpesh, gati patriotikisht, termi “shqiptar”: filmi i z. Budina paska prekur ndjenjat e kishës ortodokse shqiptare, të një prifti ortodoks shqiptar, madje të 145 klerikëve shqiptarë. Ja pra, që nuk qenkan 145 klerikë “shqiptarë” që qenkan indinjuar me “shakanë” e z. Budina. Por, Hirësia e tij nuk është i vetmi jo-shqiptar në radhët e klerit ortodoks të Shqipërisë: i tillë, d.m.th. grek, është edhe mitropoliti i Beratit, mitropoliti i Gjirokastrës…pra, jo-shqiptarë janë ¾ e Sinodit të KOASH që kanë shkruar letrën në fjalë. Ndërkohë, ne nuk dimë se sa ndër ata 142 klerikë që mbeten janë vërtet shqiptarë. Mund të ketë mes tyre priftërinj si luftaraku Krisostom, që dikur vinte nga Greqia për të shpërndarë, jo fjalën e Perëndisë, por trakte e harta të “Vorio-Epirit”. E në mos pastë më të tillë, duhet të jenë të shumtë të tjerët që, ndonëse vërtet shqiptarë, janë pajtuar me këtë situatë absurde të krijuar në KOASH, kur kjo është kthyer në një lloj refugium peccatorum, ku organizohen e zbatohen veprimtari e projekte, që s’kanë të bëjnë aspak me misionin e kishës, por që kanë një finalitet e përmbajtje të qartë politike, antikushtetuese e antishqiptare, siç janë ato që i miri dhe i ndershmi Edmond Budina i rrëfen në filmin e tij si një histori naive fshati, duke buzëqeshur, e duke na bërë të buzëqeshim hidhur” e mbyll Pëllumb Xhufi. (artikullin e plotë të tij mund ta lexoni këtu)

Shkrimtari Dritëro Agolli, në një intervistë për shtypin shqiptar, e cilësoi letrën e Kishës Autoqefale si një ndërhyrje të pastër të fesë në punët e kulturës dhe artit.

 “Këto ndërhyrje i bëjnë dëm artit dhe zhvillimit të tij, por nga ana tjetër rrisin ndjenjën e zemërimit te artistët për të bërë vepra më të forta akoma”, është shprehur Agolli.

Shkrimtari tha se me kërkesat për ndalimin e kësaj apo asaj vepre arti, njerëzit e fesë janë bërë si Komiteti Qendror i Partisë së Punës, që kontrollonin e ndalonin çdo vepër që nuk u shkonte për mbarë. (artikullin e plotë të tij mund ta lexoni këtu)

Në letrën e Kishës Autoqefale cilësohet si e turpshme mbështetja e këtij filmi nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Në lidhje me këtë, Drejtori i saj, Artan Minarolli është shprehur se duhet të respektohet arti kinematografik, i cili nuk është akt informues, por ka edhe krijimtari artistike.

 “Filmi u shfaq për disa javë rresht në rrjetin e kinemave ‘Imperial’ dhe nuk kemi marrë asnjë reagim nga ana e spektatorëve. Për kinemanë është i rëndësishëm spektatori, ndërsa interpretimet qoftë fetare, burokratike apo shtetërore janë të ndryshme”, ka thënë Minarolli në media. (artikullin e plotë të tij mund ta lexoni këtu)

Filmi “Ballkan Pazar” është një prodhim në bashkëpunim me Italinë, ndërkohë që distributori Mediaplex Italia ka marrë përsipër shpërndarjen e filmit në kinematë italiane, që prej datës 8 korrik.

Komedia “Ballkan Pazar” përcjell idenë e shit-blerjeve jo vetëm të eshtrave, por edhe të ndërgjegjeve dhe shpirtrave njerëzorë, një histori absurde që interpetohet nga aktorët: Visar Vishka, Erand Sojli, Artan Islami, Karafil Shena, Valentina Xhezo, Laert Vasili, etj, ndërkohë që vetë regjisori Budina interpreton rolin e një prifti ortodoks. “Ballkan Pazar” pati premirën e parë në Festivalin e 15-të të Filmit në Sofje, ndërsa nga 8 korriku do të dalë në sallat e kinemave në Itali.

Çeqet familjare, ndryshojnë nivelet e të ardhurave

Fondi për të sapolindurit: kërkesat deri më 30 qershor