Dekreti pritet të botohet në Gazetën Zyrtare. Nga 4 prilli mund të përpilohen kërkesat online, por do të nisen vetëm pas botimit. Udhëzimet e ministrive të Brendshme dhe të Punës
Romë, 3 prill, 2014 – Është më zemërgjerë nga ç’pritej dekreti i flukseve 2014 për punonjësit sezonalë që këto ditë do të botohet në Gazetën Zyrtare.
Teksti i nënshkruar nga Matteo Renzi më 12 mars e që ka kaluar edhe në Kontrollin e Shtetit, autorizon ardhjen në Itali për 15 mijë punonjës nga jashtë. Janë tamam gjysma e vitit të shkuar por, sidoqoftë, pesë mijë më shumë se kuotat e premtuara shoqatave të agrikultorëve, që më shumë se të gjithë bëjnë presion për ardhjen sa më parë në Itali të këtij krahu pune tashmë i domosdoshëm në fusha.
Ministria e Brendshme dhe ajo e Punës kanë shpërndarë një qarkore të përbashkët që shpjegon detajet e dekretit dhe procedurat për prezantimin e kërkesave.
Ashtu si vitet e fundit, punonjësit mund të sillen nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Algjeria, Egjipti, Filipine, Gambia, Gana, India, Maroku, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistan, Senegal, Serbia, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia. Pavarësisht nga Vendlindja, do të pranohen edhe punonjës që kanë qenë në Itali vitet e fundit.
Po të mbajmë parasysh marrëdhënien e besimit reciprok që krijohet në vite mes ndërmarrjeve dhe punonjësve, vetëm një pjesë e këtyre të fundit do ta ketë për herë të parë ardhjen për punë stinore në Itali. Për më tepër, 3 mijë kuota të këtij dekreti i rezervohen punonjësve që kanë qenë këtu si sezonalë për dy vjet rresht e për të cilët punëdhënësit mund të paraqesin kërkesa autorizimesh shumëvjeçare, në mënyrë që vitet e ardhshme të mund t’i sjellin sërish ata në Itali pa pritur shpalljen e dekretit të flukseve.
Paraqitja e kërkesave do të jetë e mundur vetëm të nesërmen e botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare. Edhe këtë vit, punëdhënësit duhet të bëjnë gjithçka në internet, personalisht ose me ndihmën e shoqatave të kategorisë. Nga ora 9.00 e 4 prillit, kërkesat mund të përpilohen e të ruhen në faqet internet të ministrisë së Brendshme, në mënyrë që të jenë gati në çastin kur do të jetë e mundur nisja e tyre.
Së fundi, fluksi për sezonalët e këtij viti autorizon edhe dy mijë hyrje për punonjës të varur josezonalë për EXPO 2015. U rezervohen punonjësve nga ato vende që do të marrin pjesë në evenimentin e madh të Milanos. Por për të paraqitur kërkesat për punonjës të varur josezonalë për EXPO 2015 duhen pritur akoma udhëzime të reja nga ministria e Brendshme dhe ajo e Punës.
Elvio Pasca
Lexo edhe
Përpilimi i kërkesave për sezonalët. Udhëzues i ilustruar
Shkarko:
Dekreti i Kryeministrit “Programimi kalimtar i flukseve të hyrjeve në territorin e Italisë gjatë vitit 2014 për punonjës jokomunitarë për punë sezonale dhe kategori të tjera”
Qarkorja e përbashkët e ministrisë së Brendshme dhe ministrisë së Punës
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)