in

Flukset 2010: Modena rekord

Drejtoria Provinciale e Punës ka mbarur shqyrtimin e të gjitha kërkesave. Me vetëm një punonjës në dispozicion

Romë, 1 prill 2011 – “Të parët në Itali? Mbase, por mos e shkruani, nuk duam të na kenë zili”

Flet me shaka Eufranio Massi, drejtori i Drejtorisë Provinciale të Punës dhe nuk fsheh kënaqësinë për punën e kryer në zyrat e tij: prej disa ditësh kanë përfunduar shqyrtimin e kërkesave për flukset, kanë vendosur se cilat do të pranohen, cilat kanë nevojë për dokumente të tjera e cilat do të hidhen poshtë. Tani Sporteli Unik mund të thërrasë punëdhënësit.

Në provincën e Modenës kërkesat kanë qenë mbi dhjetëmijë, vetëm njëmijetreqind arritën të përfitojnë nga kuotat. Gara qe shumë e vështirë, gjë që e dëshmojnë edhe oraret e kërkesave të fundit të paraqitura (me përjashtim të mospranimeve të mundshme): “Përveç se për punonjësit që vijnë nga Niger, për të gjitha vendet e tjera të privilegjuara kuotat u arritën brenda tridhjetë sekondave, për punonjësit shtëpiakë sekondat qenë vetëm dhjetë. Kjo dëshmon që flukset janë vërtet lotari” komenton Massi.

Por nga sa nëpunës përbëhet ekipi i punës që merret me flukset? “Nuk është tamam një ekip, keni vetëm një njeri që merret me to me orar të plotë. Për fat të keq kemi mungesë të madhe personeli dhe mjetesh, por kjo nuk na pengon që të arrijmë rezultate të rëndësishme” thotë drejtori. Shembull është edhe faqja e internetit e Drejtorisë Provinciale të Punës së Modenës e cila është e përditësuar shumë shpesh, rast i vetëm në Itali, gjë që e bën pikë referimi për ata që merren më çështjet e punës.

Njeriu i rekordeve, ai që i vetëm ka shqyrtuar të gjitha kërkesat është inspektori i punës Corrado Spitaleri. Ai nuk ndalet kurrë : “Tani që mbarova me flukset e 2010-ës do kaloj tek kërkesat për punonjësit sezonale. Pastaj do të jem tek portali unik për thirrjet” thotë ai. Kur do të përfundoni? “Nuk i dihet:edhe pse zyrat punojnë mirë, afatet zgjaten gjithnjë, herë nuk paraqiten punëdhënësit, herë ka nevojë për dokumente shtesë apo paraqiten raste të veçanta”.

Spitaleri verifikon mbi të gjitha nëse një kërkesë për punësimi është ekonomikisht e përballueshme. “Vështirë se i themi po atyre që kërkojnë më shumë se një bashkëpunëtore shtëpiake, veç nëse dëshmon që ka një shtëpi shumë të madhe dhe të ardhura të larta. Për ndërmarrjet parametri është një xhiro prej 25 mijë eurosh për çdo njeri që punësojnë, përndryshe si do t’i paguajnë?”

Gjatë këtyre viteve më flukset inspektori ç’nuk ka parë. “Njerëz që kërkonin katër bashkëpunëtore shtëpiake, ndërmarrje që nuk ekzistonin, por që ishin krijuar posaçërisht për të paraqitur kërkesën” rrëfen ai. Raste që përsëriten kryesisht sepse flukset janë një rast shumë i mirë për t’u pajisur me dokumente qëndrimi. Të njëjtën ide ka dhe inspektori Spitaleri: “për bashkëpunëtorët shtëpiakë, 90% e kërkesave paraqiten nga punëdhënës të huaj”. Po sa prej tyre kanë vërtet nevojë për bashkëpunëtore në shtëpi?

Elvio Pasca

E përplas furgoni. Rrezikon jetën punëtori shqiptar

Vazhdon zija e vdekjeve në punë