in

Flukset 2011 për sezonalët: dekreti dhe sqarimet

Dekreti i ri i flukseve stinore i firmosur nga qeveria më 17 shkurt dhe sqarimet e ministrisë së Punës dhe asaj të Brendshme. Kontrolle më të rrepta kundër kërkesave të rreme

Romë 28 shkurt 2011 – Dekreti i flukseve sezonale, një mundësi më shumë për të futur këmbët ligjërisht në Itali, i firmosur nga qeveria pret vetëm botimin në Gazetën Zyrtare. Ndërkaq ministritë e Brendshme dhe e Punës kanë shpërndarë një qarkore me një sërë sqarimesh.

Praktikisht teksti parashikon ardhjen për punë sezonale të 60 mijë punonjësve jokomunitarë rezidentë jashtë Italisë dhe shtetas të një prej këtyre vendeve:  Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë, Bosnja-Hercegovina, Maqedoni, Kroaci, Serbi, Indi, Pakistan, Bangladesh, Sri Lankë, Ukrainë, Tunizi, Marok, Moldavi, Egjipt, Nigeri, Niger, Gambia, Gana, Filipine.

Një risi e rëndësishme i dallon këto flukse nga të mëparshmit. Për punonjësit sezonalë nga këto vende që kanë qenë për të paktën dy vjet rresht në Itali, punëdhënësit do të mund të kërkojnë një autorizim shumëvjeçar. Në këtë mënyrë, vitin e ardhshëm, këta punonjës sezonalë do të mund të vijnë në Itali duke mos kaluar më mes flukseve.

Edhe këtë vit kërkesat do të paraqiten online, përmes faqeve internet të ministrisë së Brendshme (www.interno.it), duke përdorur formularin Mod.C – stag. Procedurat për regjistrimin e përdoruesit dhe nisjen e kërkesës janë të njëjtat që përdoren tashmë prej kohësh e numd t’i gjeni në faqet internet të ministrisë së Brendshme.

Dërgesat do të mund të bëhen nga ora 8.00 e ditës pasuese të botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare deri më 31 dhjetor 2011.

Vitet e shkuara kanë treguar se kuotat e vëna në dispozicion për sezonalët janë të mjaftueshme, ndaj nuk duhet nxituar.

Kontrolle më të rrepta

Kërkesat e punësimit do të shqyrtohen sipas datës së fillimit të marrëdhënies së punës, me qëllim që të arrihet ardhja e punonjësve në kohën e duhur për “sezonin” kur nevojiten, por edhe për të kontrolluar me rigorozitet kërkesat në mënyrë që të mos kalojnë kërkesa të rreme, që nuk janë tjetër veçse rrugëzgjidhje për legalizimin e të afërmve apo më keq akoma të paguara shtrenjtë nga të interesuarit personave të paskrupuj.

Në veçanti do të verifikohet që punëdhënësit të mos kenë kërkuar në të shkuarën punonjës sezonalë që më pas nuk kanë pranuar të punësojnë. Për më tepër, punëdhënësve do t’u duhet të shoqërojnë punonjësin në Sportelin unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit dhe për të komunikuar marrëdhënien e punës. Nëse, për motive të justifikuara, nuk do të duan të punësojnë punonjësin, do t-i jepet mundësia një tjetër punëdhënësi të punësojë punonjësin me të njëjtat kushte kontrate.

Sa për vlerësimin e të ardhurave të sipërmarrësve në bujqësi, nuk do të merret parasysh vetëm fitimi agrar, zakonisht i pamjaftueshëm, por në llogaritje do të futen edhe deklaratat IVA, Irap dhe kontribute komunitare.

Së fundi një lehtësim: nëse kërkohet ardhja e një punonjësi të punësuar edhe vitin e shkuar dhe strehimi është po ai, nuk do të nevojitet të tregohet sërish certifikata e përshtatshmërisë së banesës.

Shkarko:

Teksti i plotë i dekretit të flukseve sezonale 2011

Qarkorja sqaruese e ministrive

Mbërrijnë flukset për punonjësit sezonalë

Elsa Lila: “Unë dhe Evita”